Illustrim: vectorproject

Lumit Krushçica në Bosnje dhe lumit Rakita në Serbi nuk janë raste të vetme ku qytetarët dhe aktivistët mjedisor kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve dhe në mbrojtje të mjedisit. Edhe në Mal të Zi janë organizuar një numër protestash nga banorët vendas kundër ndërtimit të hidrocentraleve, rasti më i fundit në lumin Bukovica rreth 42 km i gjatë, në një nga lumenjtë më të pastër të Ballkanit, në komunën Shavnik të Malit të Zi qendror, me rreth 2000 banorë. 

Për të mbajtur që këto ujëra të rrjedhin lirshëm, qytetarët malazezë formuan “NVO Ekološki-Pokret Donja Bukovica” për të luftuar kundër shkatërrimit të natyrës dhe për lumin Bukovica me rrjedhje të lirë.

Sipas banorëve aty, kompania kishte filluar ndërtimet pa ndonjë njoftim për banorët, ndërsa njoftim nuk kishin marrë as nga ministria përkatëse. Kompania, ndonëse pa pëlqimin e banorëve kishte filluar punën, duke shembur kështu pemë për të shtruar një rrugë nëpër pyll deri tek lumi.

Në anën tjetër, banorët të mbështetur edhe nga aktivistë e tjerë mjedisor kishin filluar protestat dhe në të njëjtën kohë kishin grumbulluar fondet për të punësuar avokatë për të luftuar përmes procesit gjyqësor me kompaninë përkatëse. Me qindra protestues, për gjashtë javë rresht -të ndarë në turne- protestuan duke u pamundësuar makinerive që të kryejnë punën për ndërtimin e hidrocentralit. Si rezultat i protestave, punimet për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël në lumin Bukovica janë pezulluar derisa qeveria të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin dhe të marrë një vendim përfundimtar.

Kryetari i Komunës së Shavnikut, Mijomir Vujiçiq, në një intervistë për media kishte deklaruar se para se të miratoheshin projektet për lumin Bukovica, ishin marrë parasysh të gjitha faktet. Madje ndërtimin e hidrocentraleve në këtë komunë e kishte vlerësuar si fitimprurëse, investimi më i madh privat direkt në historinë e komunës së Shavnikut, me një vlerë prej 8.8 milionë euro, i cili do të punësohet rreth 60 persona.  

Në vitin 2019, aktivistët mjedisorë në Malin e Zi kishin paraqitur një peticion në parlament duke kërkuar një moratorium për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël për shkak të ndikimit në lumenj dhe furnizimin me ujë. Peticioni u nënshkrua nga 6300 persona, ku i bëhej thirrje shtetit të ndërpresë dhënien e lejeve të ndërtimit derisa të bëhet një vlerësim strategjik i ndikimit mjedisor të termocentraleve të tillë.

Sipas aktivistëve të Malit të Zi, shumica e hidrocentraleve të vegjël në Mal të Zi nuk i përmbushin standardet e BE-së për sa i përket planifikimit dhe ndërtimit, dhe se shumë prej investitorëve në impiante të tilla janë të lidhura me ish pushtetin. 

© PRIZMA MEDIUM

Ky lajm është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur