Rajoni i ish-Jugosllavisë filloi transformimin e tij nga socializmi real në kapitalizmin periferik me shpresa të mëdha. Elitat iu përcollën njerëzve historinë e mirë të vjetër për prosperitetin, lirinë dhe demokracinë që duhet të vinte si pasojë e “çlirimit” nga “burgu” i kombeve të quajtura Jugosllavi. Në tre dekadat e fundit, ne kemi parë se kapitali me të vërtetë ka siguruar prosperitet dhe mirëqenie, por më tepër për elitat dhe një numër shumë të vogël njerëzish që u vunë në krye të gjithë përpjekjes së quajtur tranzicion post-socialist. Ajo depërtoi në shumë fusha të jetës ekonomike, politike dhe sociale dhe arriti të privatizojë shumë prej pronësisve shtetërore dhe shoqërore. Besimi ishte se nga privatizimi do të përfitonin të gjithë, nga biznesmenët tek punëtorët dhe familjet e tyre. Por ndodhi e kundërta – privatizimi shkatërroi jo vetëm të tashmen, por edhe e bëri të ardhmen e shumicës punëtore pranë vizionit distopian të varfërisë dhe mungesës së shpresës. Ndërsa kapitali ishte në një mendje, njerëzit u shtynë në luftëra me njëri-tjetrin. Bashkëpunimi ndëretnik dhe ndërshtetëror ndërmjet “humbësve të tranzicionit” në rajon u rrezikua më së shumti përmes propagandës nacionaliste. Disa kanale të punës së përbashkët të aktivistëve vazhduan, por ofensiva ndërkombëtare e kapitalit kërkonte krijimin e lidhjeve më serioze.   

Pas shterrjes së mundësive për nxjerrjen e fitimit në rajon, përmes përvetësimit të firmave dhe fabrikave – pa shenja më serioze të rezistencës kombëtare ose ndërshtetërore, kapitali iu vu pas mallrave dhe burimeve natyrore. Për shkak të nevojës së tij të vazhdueshme për zgjerim, si “vlerë në lëvizje”, kapitali vuri “duart” në tokë dhe lumenj në kërkim të burimeve shtesë të fitimit. Kjo përshpejtoi ngritjen e ndërgjegjes ekologjike midis njerëzve dhe, rrjedhimisht, kontribuoi në ngritjen e lëvizjeve sociale ekologjike. Ndryshe nga rastet e privatizimeve të fabrikave dhe firmave, ku punëtorët e varfër nuk arritën të organizonin rezistencë ndërshtetërore, këtë herë ekologjia u shfaq si një shkas për vendosjen e një lidhjeje dëshpërimisht të nevojshme midis betejave për të mirat natyrore dhe burimet në të gjithë rajonin.

Një nga shembujt më të spikatur është arritur mes grupeve aktiviste që mbrojnë lumenjtë e tyre kundër hidrocentraleve të vogla. Nga Bosnja dhe Hercegovina (BH) në Serbi dhe Kosovë, ne kemi qenë dëshmitarë të bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërshtetërore midis grupeve të aktivistëve. Në shoqëritë etnikisht të ndara, si BH apo Kosova, ka pasur shembuj të rezistencës së përbashkët të komuniteteve etnike, përfaqësuesit politikë të të cilave bënë çmos për t’i ndarë dhe për t’i bërë armiq të ndërsjellë. Protesta më e njohur në Kosovë është ajo në vendin e vogël të quajtur Shtërpcë, ku banorët e përkatësisë etnike serbe dhe shqiptare u ngritën kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla. Në BH, protestat u zhvilluan kryesisht në entitetin e Federatës së BH-së, por mbështetja vinte edhe nga Republika Srpska. Në aspekt ndërshtetëror, veçanërisht është forcuar bashkëpunimi ndërmjet aktivistëve të gjelbër nga Serbia dhe BH. Aktivistët nga dy grupet aktiviste serbe – iniciativa Pravo na vodu (E drejta për ujë) dhe Ekološki ustanak (Kryengritja ekologjike) nga njëra anë dhe Pusti me da tečem (Më lër të rrjedh) nga BH, nga ana tjetër, kanë vizituar njëri-tjetrin dhe kanë marrë pjesë në protestat dhe veprimet e njëri-tjetrit.  “Zgjimi” për të gjelbër, në disa raste, i solli aktivistët e gjelbër në institucione (si në Beograd) dhe madje edhe në pushtet në nivel lokal (si në Zagreb). Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ndërmjet aktivistëve serbë dhe kroatë, kjo çoi në hapjen e mundësisë së bashkëpunimit institucional ndërshtetëror.

Sigurisht, bashkëpunimi ndëretnik në vende si Kosova, ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, nuk ka çuar në bashkëpunim ndërshtetërore dhe kjo është diçka që, shpresojmë, do të vijë në të ardhmen. Kërcënimet ekologjike që vijnë si pasojë e logjikës së kapitalit që kërkon të bashkojë çdo cep të hapësirës fizike, pavarësisht nga pasojat (shkatërruese) ekologjike – por edhe ekonomike e sociale paraqesin platformën më të përshtatshme për bashkëpunim. Anashkalimi i narrativave nacionaliste dhe diskutimeve të nxehta politike që nxisin urrejtjen ndëretnike dhe ndërshtetërore, duket se është më e mundur se kurrë në kontekstin e një bashkëpunimi më të ngushtë mbi bazën e mbrojtjes së natyrës dhe burimeve natyrore. Në disa raste, kjo shkoi më mirë se në të tjerat, por perspektiva e rezistencës ndërkombëtare në ish-Jugosllavi më në fund u shfaq në horizont. Detyra e aktivistëve të gjelbër dhe e pjesës tjetër të progresistëve në të gjitha shoqëritë tona është që të mos e lënë këtë perspektivë të zhduket edhe një herë nga horizonti. Arsyeja është e thjeshtë: kjo mund të jetë lehtësisht shansi ynë i fundit për të shpëtuar natyrën tonë, burimet tona dhe bashkëjetesën paqësore. 

✎ Filip Balunović

Filip Balunovic është hulumtues në Institutin për Teori Filozofike dhe Sociale në Universitetin e Beogradit
© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.