Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet – ashtu si në opozitë – në marrëdhëniet me Serbinë do të veprojë sipas “parimit të reciprocitetit”. Ky parim i reciprocitetit përbën bazën e sigurimit dhe vendosjes së sovranitetit të shtetit. Por kur praktikat ndërmerren mbi këtë bazë, atëherë në pjesën veriore të Mitrovicës, shohim konfliktin mes “de facto” dhe “de juro”. Me fjalë të tjera, një situatë ligjore dhe një situatë faktike bien ndesh me njëra-tjetrën.

Ka shumë shembuj të kësaj në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Situata që shkaktoi tensionin e fundit në Veri lidhet me targat dhe letërnjoftimet. Sipas situatës aktuale, pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ajo vazhdon të mbajë komunat e Kosovës dhe shumë institucione paralelisht në Serbi apo në komunat në veri të Mitrovicës, ku dominojnë serbët. Autoritetet serbe vazhdojnë të lëshojnë targa me simbole të qyteteve të Kosovës si Prishtina, Prizreni, Mitrovica, Gjilani, Ferizaji, Peja dhe Gjakova. Fatkeqësisht, kjo situatë ka qenë ‘de facto’ që nga 10 qershori 1999. Kjo praktikë është veçanërisht e dukshme në komunat veriore të Mitrovicës.

Qeveria e Kosovës “de juro” edhe pse ka deklaruar se praktika të tilla janë të papranueshme, ajo ka mbyllur sytë para shumë situatave “de facto”. Në bisedimet e Brukselit është bërë progres gradual në çështje të tilla, në të cilat Bashkimi Evropian ka luajtur një rol lehtësues, mirëpo për fat të keq, ka edhe situata të tilla si hedhja e një hapi prapa apo moszbatimi i çështjeve të dakorduara ligjërisht. Por, adresa për zgjidhjen përfundimtare është tavolina e Brukselit.

Tensioni i fundit shpërtheu kur vendimi i qeverisë së Kosovës për vendosjen e sovranitetit dhe zbatimin e parimit të reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë erdhi në fazën e zbatimit. Dy vendimet e marra në mbledhjen e qeverisë më 29 qershor 2022, janë të rëndësishme.

Së pari, thuhet se targat serbe të lëshuara me tabelat që i përkasin komunave të Kosovës nuk do të pranohen më, dhe i obligon qytetarët që posedojë automjete me këto targa që t’i konvertojnë ato në regjistrim të automjeteve të Kosovës me simbolin RKS ndërmjet 1 gushtit dhe 30 shtatorit.

E dyta parashikon reciprocitet për trajtimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia në pikat kufitare. Është e rregulluar që për çdo person që vjen në pikën kufitare të Kosovës me dokument identiteti të lëshuar nga autoritetet serbe, të lëshohet një dokument i përkohshëm për zëvendësimin e këtij identiteti, dhe me këtë dokument do të mund të udhëtojnë brenda kufijve të Kosovës. Në automjetet me targa të Serbisë, në të cilat nuk përfshihen qytetet e Kosovës, është paraparë që pjesët e simboleve shtetërore të mbulohen me shirit ngjitës.

Nga ana tjetër, Kosova, Serbia dhe mediat ndërkombëtare preferuan të shohin terrenin e konfliktit më shumë sesa aspektin teknik të çështjes. Por përkundër rrezikut të një konflikti të ri që shprehet në narrativat mediatike, një panik i tillë nuk ka ndodhur në mesin e qytetarëve të Kosovës. Sepse, gjithmonë ka dhjetëra çështje teknike kur bëhet fjalë për acarimin e marrëdhënieve me Serbinë. Mundësia për t’i tërhequr në fakt këto çështje në një konflikt nuk duket e mundur, të paktën për sa kohë të ketë një tryezë të ngritur në Bruksel dhe një dialog të hapur me SHBA-në. Rreziku i konfliktit mund të jetë i mundur vetëm nëse Serbia shkëputet nga synimet e saj perëndimore dhe merr një rrugë të veçantë, në këtë rast Serbia dhe bota perëndimore do të pësojnë po aq sa edhe Kosova.

Megjithatë, ashtu siç ka diskurse populliste të aktorëve politikë, edhe media mund të ketë transmetime të bujshme. Në këtë shembull, mediat përgjithësisht preferuan të shfaqeshin si strategë, duke sjellë në axhendë mundësinë e një konflikti të bujshëm. Kështu, diskursi i rrezikut të konfliktit shkoi përtej dimensionit teknik të problemit.

Ana veriore e Mitrovicës përmban një dinamikë të caktuar për të destabilizuar vendin dhe rajonin më gjerë. Edhe pse strukturat shtetërore paralele të Serbisë në Kosovë u shfuqizuan me marrëveshjet e arritura në kuadër të negociatave në Bruksel, ato nuk kanë përfunduar plotësisht. E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund këtyre do të jetë e mundur me marrëveshjen që do të arrijnë të dy vendet si rezultat i negociatave. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, duhet të përfundojë edhe konflikti ‘de facto’ dhe ‘de juro’.

Tensioni i 31 korrikut, natyrisht, nuk ishte i pari i këtyre tensioneve. Derisa të arrihet marrëveshja përfundimtare, ndoshta nuk do të jetë as i fundit. Tensione të tilla priren të rriten përderisa liderët largohen nga tryeza e bisedimeve. Prandaj, është e rëndësishme që në muajin gusht liderët e të dy vendeve të ftohen në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.

✎ Esin Muzbeg

© PRIZMA MEDIUM