Anëtarët e Komitetit për Komunitete të Komunës së Prizrenit kanë paraqitur propozimet e tyre për buxhetin komunal të vitit 2023, duke insistuar që në këtë politikë publike të përfshihen kërkesat më prioritare të qytetarëve, përfshirë edhe të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë. Diskutimet lidhur me përgatitjen e buxhetit të komunës për vitin 2023 janë realizuar në takimin e rregullt të shtatë të Komitetit për Komunitete, të mbajtur në gusht të këtij viti. 

Drejtori për Ekonomi dhe Financa në Komunën e Prizrenit, Sulltan Badallaj ka njoftuar të pranishmit me detajet e procesit të përgatitjes së buxhetit komunal për vitin 2023, duke potencuar se ditë më parë nga Ministria e Financave është pranuar Qarkorja e dytë Buxhetore për Komuna, e cila ofron kufijtë buxhetor për secilën komunë për vitin 2023 dhe vlerësimet për vitet 2024-2025. Bazuar në strukturën e shpenzimeve për vitin 2023 të Qarkores së dytë Buxhetore, Badallaj ka njoftuar të pranishmit se buxheti total për vitin e ardhshëm i Komunës së Prizrenit parashihet që të jetë 57 milionë euro e 492 mijë euro. “Bazuar në këtë planifikim për kategorinë e pagave dhe shtesave parashihen 22.1 milionë euro, për mallra dhe shërbime 12 milionë euro, për shpenzime komunale 1.22 milionë euro, për subvencione dhe transfere 3.5 milionë euro dhe për shpenzime kapitale 18.67 milionë euro”, ka thënë ai. 

Ndërkaq kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Ertan Simitçi ka theksuar se takimi i këtij organi komunal i ka shërbyer anëtarëve të tij që të njoftohen me procesin e përgatitjes së buxhetit komunal, por edhe njëherësh të paraqesin kërkesat e tyre, në mënyrë që edhe prioritetet e komuniteteve jo-shumicë që jetojnë në Komunën e Prizrenit të përfshihen në planifikimin buxhetor. 

“Në kuadër të diskutimeve janë prezantuar disa propozime, të cilat duhet të shqyrtohen nga organet komunale gjatë procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitin 2023. Disa prej kërkesave kryesore janë: sigurimi i furnizimit të rregullt me ujë të pijes në disa pjesë të qytetit; rehabilitimi i infrastrukturës nëntokësore në disa pjesë të qytetit; ndriçimi publik; mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirave publike, vecanërisht i Parkut të Ataturkut në lagjen ‘Kurillë’, parkut për fëmijë në lagjen ‘Bazhdarhane’, parkut për fëmijë në lagjen ‘Ortakoll’ dhe rinovimin e tij, pastaj rregullimi i infrastrukturës dhe asfaltimi i disa rrugëve lokale në pjesën e ‘Baruthanes’ (Tranzit); sikurse edhe shtimi i buxhetit për punimet infrastrukturore në fshatrat e trevës së Zhupës, e kështu me radhë”, ka deklaruar Simitçi. 

Sipas tij e arritura e kryesore e këtij takimi ka qenë se pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme kanë gjetur një pikë të përbashkët, që ka qenë shërbimi ndaj interesit publik, pa dallime të përkatësisë etnike. 

Komuna e Prizrenit gjatë muajit gusht ka organizuar edhe dëgjime publike me qytetarët e trevave të ndryshme për përgatitjen e buxhetit për vitin 2023. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Hasit, sipas njoftimit zyrtar, kërkesat kanë qenë për rregullimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin publik, rregullimin e kanalizimeve, por edhe shenjëzimin vertikal e horizontal të rrugëve. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Vërrinit, janë paraqitur propozime për intervenime në hapësirat shkollore, rregullimin e ndriçimit publik, rehabilitimin e infrastrukturës rrugore, rregullimin e sistemit të ujit të pijes, rregullimin e terreneve sportive, etj. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Lumës, kërkesat kanë qenë për kubëzimin e rrugëve lokale, rregullimin e sistemit të ujit të pijes, rregullimin e rrugëve fushore, hulumtimin e ujit të pijes në bjeshkët e Zhurit, rregullimin e shëtitoreve, zgjerimin e ndriçimit publik, zhbllokimin e kanalizimeve dhe vendosjen e kamerave të sigurisë. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Zhupës, kërkesat e banorëve kanë qenë për rregullimin e shtyllave elektrike, renovimin e shkollës, rregullimin e sistemit të ujit të pijes si dhe zgjerimin e fushës sportive. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Korishës dhe të Podgurit kërkesat e banorëve kanë qenë për rregullimin e kanalizimit, shtrimin e rrugëve lokale me kubëza, rregullimin e shtratit të lumit, rregullimin e ndriçimit publik, sinjalizimin vertikal-horizontal, evitimin e problemit me shtyllat elektrike, rregullimi i mureve mbrojtës, vendosja e pengesave në rrugë për ngadalësimin e shpejtësisë, rregullimi i AMF-së, mbulimi i terrenit sportiv, rregullimi i oborreve të shkollave dhe rregullimi i kabineteve në shkolla. Në takimin e mbajtur me qytetarët e trevës së Përdrinisë kërkesat e banorëve kanë qenë për rregullimin e sistemit të ujit të pijes, rregullimin e një memoriali, trajtimin e shtratit të lumit, rregullimin e një kolektori, rregullimin e rrugëve, ndërtimin e një ure, rregullimin e një shtëpie të kulturës dhe vendosjen e pengesave në rrugë për ngadalësimin e shpejtësisë për veturat. Në takimin e mbajtur me qytetarët e Prizrenit, kërkesat e banorëve të zonave urbane kanë qenë për ndërtimin e parqeve, ndërtimin e objekteve të shkollave, ndërtimin e kanalizimeve nëpër lagje dhe fshatra, kubëzimin e rrugëve lokale, rregullimin e ndriçimit publik, rregullimin e kulmeve të banesave të vjetra, rregullimin e mureve mbrojtëse, rregullimin e një qendre kulturore rome, rregullimin e ujit të pijes, ndërtimin e çerdheve, etj. Takime të kësaj natyre janë mbajtur edhe më OJQ-të e shoqatat e bizneseve, sikurse edhe një dëgjim publik për buxhetimin gjinor.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj gjatë dëgjimeve publike është zotuar se kërkesat e qytetarëve do të regjistrohen dhe se mbi këtë bazë zyrtarët komunalë do t’i caktojnë prioritetet që do të përfshihen në buxhetin e vitit 2023. “Nuk do të ketë preferenca në ndarjen e buxhetit, por buxheti do të ndahet mbi bazën e parimeve dhe kërkesave më emergjente”, ka thënë Totaj.

Ndërkaq kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Ertan Simitçi ka pohuar se anëtarët e këtij komiteti në ditët në vijim do të zhvillojnë një takim edhe me kryetarin Totaj për t’i paraqitur propozimet për buxhetin e vitit 2023. “Qëllimi ynë është që paraja publike të shpërndahet në mënyrë të drejtë dhe të dobishme për të gjithë qytetarët”, është shprehur Simitçi. 

Propozim-buxheti për periudhën 2023-2025 fillimisht duhet të miratohet në Kuvendin e Komunës, dhe pastaj duhet të dorëzohet në Ministrinë e Financave deri më datën 30 shtator 2022.

© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”