Ndonëse infrastuktura ligjore garanton përdorimin e gjuhëve të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, implementimi i këtyre garancive ende mbetet sfidë e institucioneve kosovare sidomos në nivelin komunal. Sipas raportit për vlerësimin e të drejtave të komuniteteve të publikuar në qershor të vitit 2021 nga misioni i OSBE në Kosovë, ka një sëri mangësish në implementimin dhe promovimin e të drejtave gjuhësore për komunitetet jo-shumicë. Në bazë të këtij raporti, mungesa e lekturimit sistematik të projektligjeve, mungesa e mbikëqyrjes së hartimit të tyre, mungesa e miratimit të strategjisë për mbrojtjen e të drejtve gjuhësore janë disa nga mangësitë kyçe të identifikuara. 

Një tjetër raport i publikuar nga NGO Aktiv në mars të këtij viti, konstaton se legjislacioni në fuqi nuk po zbatohet dhe mungesa e respektimit të të drejtave gjuhësore mbetet njëra ndër sfidat fundamentale me të cilat komunitetet jo-shumicë ballafaqohen në Kosovë. Krahas këtyre, edhe raporti për të drejtat e njeriut nga shoqëria civile i publikuar nga YIHR KS në maj të këtij viti gjeti se sidomos gjatë ballafaqimit me COVID-19, komunitetet jo-shumicë nuk kishin qasje në informata në gjuhët e tyre amtare njëjtë sikur shqip-folësit.

Sa i përket respektimit të të drejtave gjuhësore për komunitetin boshnjak dhe atë rom në komunën e Prizrenit, aktivistë dhe organizata të ndryshme vazhdimisht lobojnë për përdorimin e këtyre gjuhëve, mirëpo sipas tyre zbatimi i ligjit për respektimin e gjuhëve në Prizren nuk ka marrë frymën e duhur.

I pyetur se sa po zbatohet ligji për respektimin e gjuhëve në komunën e Prizrenit, Almedin Fejza, nga organizata “Sofra” u përgjigj se Komuna e Prizrenit nuk ka as vegëz të veçantë në faqen e saj ndonëse gjuha boshnjake është gjuhë zyrtare në këtë komunë. Sipas tij, po thuajse të gjitha publikimet dhe lajmet publikohen kryesisht në gjuhën shqipe, ndërsa gjuhët tjera zyrtare, ajo boshnjake, rome, dhe turke nuk kanë asnjë vegëz funksionale ku qytetarët nga këto komunitete do të mund të informoheshin lidhur me ngjarjet, zhvillimet, dhe vendimet brenda komunës ku ata jetojnë. Për më tepër, në kuvendin komunal të Prizrenit, përfaqësuesve nga komunitetet jo-shumicë shumë shpesh u ofrohen materialet pa përkthim dhe i marrin materialet përcjellëse vetëm në gjuhën shqipe. Problematikë tjetër mbetet edhe mungesa e përkthyesve në proporcion me numrin e dokumenteve që lëshohen nga Komuna. Fejza thotë se ka mungesë të theksuar të vullnetit politik për rritjen e numrit të punëtorëve që vijnë nga komuniteti boshnjak në Prizren.

Jo më ndryshe ka ndodhur edhe gjatë periudhës kritike të ballafaqimit me pandeminë COVID-19, ku sipas Fejzës mungesa e përdorimit të gjuhëve zyrtare është vënë re më së shumti gjatë asaj periudhe sepse lajmet, masat mbrojtëse dhe informatat tjera të rëndësishme për luftimin e pandemisë janë publikuar vetem në gjuhën shqipe, duke lënë anash qytetarët jo shqip-folës dhe duke mos u mundësuar qasjen në informata në gjuhët e tyre amtare.

Mungesa e përkthimit të gjuhëve zyrtare, thotë Fejza, është problem shumë i madh për komunitetet jo-shumicë si në aspektin e integrimit dhe pjesëmarrjes në jetën shoqërore por edhe në atë politike, duke marrë parasysh se nuk ka interesim për pjesëmarrje në takimet konsultatitve të nivelit komunal si pasojë e mungesës së përkthimit. Krahas kësaj, mungesa e zbatimit të duhur për ligjet për përdorimin e gjuhëve i afekton edhe bizneset e komuniteteve jo-shumicë sepse kanë problem marrjen e informatave lidhur me grantet dhe subvencionet apo mundësive tjera financiare të ofruara qoftë nga niveli qëndror apo ai lokal.

Në anën tjetër, mungesa e përdorimit të gjuhës rome gjithashtu mbetet sfidë për pjesëtarët e këtij komuniteti në komunën e Prizrenit. Fatmir Menekshe nga organizata “Durmish Aslano” u përgjigj se përkundër kërkesave të shumta nga ana e komunitetit rom, komuna e Prizrenit nuk e ka njohur gjuhën rome si gjuhë në përdorim zyrtar. Edhe pse së fundi është riaktualizuar kërkesa për njohjen e statusit të gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar, një kërkesë e tillë ekziton për rreth 15 vite që nga hartimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Njëjtë edhe gjatë përballjes me pandemine globale COVID-19, Menekshe ka theksuar se as institucionet lokale as ato shëndetësore nuk kanë respektuar të drejtat gjuhësore për komunitetin rom. Sipas tij, edhe pse ka shumë rom që mund të përkthejnë në secilën gjuhë zyrtare në Kosovë, mungesa e vullnetit politik mbetet edhe për këtë komunitet sfidë fundamentale sepse komuneti rom nuk merret në konsideratë sa i përket përkthimit apo përfaqësimit në institucione, tryeza, dhe evente të ndryshme. 

Përkundër që ligjet e Kosovës mbeten si ligjet më moderne si brenda rajonit por edhe janë të harmonizuara me standardet më të larta Europiane, mungesa e përdorimit të tyre afekton në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën publike dhe politike të pjesëtarëve të komuniteteve jo-shumicë. Për më tepër, mungesa e përdorimit të gjuhëve zyrtare, prek dhe shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke përfshire këtu lirinë e shprehjes, të drejtën për qasje në shërbime shëndetësore dhe lirinë e arsimit. Institucionet shtetërore kanë detyrim pozitiv të garantojnë që të gjithë qytetarët e Republikës të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe t’u sigurojnë të gjithëve qasje në informata në gjuhët e tyre amtare respektive.

Vilson Haxholli

Vilson Haxholli është jurist i diplomuar dhe LL.M. i të drejtës Kushtetuese dhe Administrative. Përgjatë karrierës së deritanishme ka punuar me organizata të ndryshme jo-qeveritare duke përfshirë këtu Kosova Democratic Institute/Transparency International Kosova, Youth Initiative for Human Rights Kosovo, dhe së fundmi Action for Mothers and Children. Si aktivist i shoqërisë civile vazhdimisht merr pjesë në trajnime që ndërlidhen me barazinë gjinore, të drejtat e njeriut, dhe ndërtimin e paqes.
© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”