Foto: Suer Celina

Pengesat e zakonshme për njerëzit me aftësi të kufizuara janë:

  • Komunikimi urban,
  • Pengesat në ndërtesa publike dhe ndërtesa të tjera,
  • Dizajn i përshtatshëm për elementet urbane dhe të hapësirës së brendshme. 

Kjo do të thotë që duhet të sigurojmë qasje në të gjitha ndërtesat dhe përdorimin e ndërtesave në mënyrë të pavarur (pa përcjellje) nga të gjithë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në botë ka rreth 15 % apo 1 miliard persona me aftësi të kufizuara. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se numri i personave me aftësi të kufizuara po rritet në mënyrë dramatike, dhe rreth një e katërta e popullsisë së botës përballet drejtpërdrejt ose tërthorazi me një lloj pengese në jetën e tyre. Ndërkaq, 80 për qind e njerëzve me aftësi të kufizuara në botë jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe nuk mund të kenë qasje në shërbimet bazë. 

Sipas hulumtimeve të bëra nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, më shumë se 10% e popullsisë së përgjithshme në Kosovë përbëhet nga persona me aftësi të kufizuara. Sa i përket aftësisë për përdorimin e objekteve arkitekturore është vështirë përcaktimi i kufirit të aftësisë së individëve ‘me dhe pa aftësi te kufizuara’. Aftësia e kufizuar fizike mund të ndryshojë në atë të përkohshme (për shkak të ndonjë sëmundjeje si thyerje e gjymtyrëve) dhe në atë të përhershme. Nga ky aspekt mund të themi se qasshmëria është e rëndësishme jo vetëm për persona me aftësi të kufizuara, por edhe për personat me lëvizshmëri të kufizuar si për të moshuarit, gratë shtatzëna, karrocat e fëmijëve etj. 


Gjithkush ka të drejtë të përfitojë nga hapësirat urbane në mënyrë të pavarur dhe të barabartë

Qasshmëria do të thotë të kesh qasje dhe të përfitosh nga të drejtat dhe shërbimet në mënyrë të barabartë, në të gjitha fushat e jetës, edhe në shfrytëzimin e hapësirave urbane fizike. Me fjalë të tjera, qasshmëria e hapësirave fizike bazohet në pesë komponentë, si: gjerësia e mjaftueshme, hapësira e mjaftueshme për rrotullim, lartësia dhe largësia e përshtatshme, vetitë e sipërfaqës apo dyshemesë dhe rregullimet e nevojshme për mjete udhëzues dhe paralajmëruese. Legjislacioni në Kosovë që e rregullon qasshmërinë e PAK në hapësira urbane dhe objekte ndërtimore është udhëzimi administrativ për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara. Poashtu Ligji për mbrojtjen nga diskriminim në Kosovë – Nr.05/L-021 është ligj që e mbron të drejtën e PAK për qasshmërinë në vendbanim.

Zbatimi i ligjit dhe dokumenteve nga institucionet shtetërore në Sheshin Shadërvan 

Problemet që pengojnë qasshmërinë u vlerësuan në katër kritere kryesore si: problemet që lidhen me dyshemenë; elementet urbane; marrëdhëniet këmbësore-trafik, problemet që lidhen me pengesat natyrore dhe të tjera. Më pas vlerësimi u bë nga elementet që formojnë problematikën në gjashtë tituj të ndryshëm si: pengesa, sinjalistika, mobiljet urbane, rrugë, rampa/ pjerrina të trotuarave dhe vendkalime për këmbësorë.

Nga kjo del se në Sheshin Shadërvan për shkak të kushteve natyrore dyshemeja / sipërfaqja e hapësirës shembet dhe krijon disnivel. Përveç kësaj, puset janë të përmasave jo standarde, gjë që paraqet rrezik për personat me karrocë. Ndër problemet që lidhen me elementet urbane janë kioskat/ stenda gjatë trafikut të rënduar të këmbësorëve.

Për problemet që lidhen me qarkullimin e këmbësorëve mund të themi se rreth rrugës nuk ka vendparkime automjetesh. Gjithashtu, në sheshin Shadërvan nuk ka numër të mjaftueshëm të pjerrinave, gjë që e bënë të pamundur qasjen. Tabelat e njoftimeve të lokaleve dhe kiosqeve pengojnë lëvizjen e lirë.

Duke qenë se hapësira urbane është një nga elementet që ndikon pozitivisht në cilësinë e jetës, sheshet e mirëorganizuara janë bërë pjesë e domosdoshme për të gjithë. 

Sheshet janë hapësira ku njerëzit mblidhen, zhvillojnë aktivitete sociale, ekonomike dhe kulturore apo edhe organizojnë festivale dhe festojnë së bashku. Ngjarjet artistike dhe kulturore që zhvillohen në hapësira fizike urbane kanë karakteristikë dhe lënë gjurmë në mendjen e njerëzve, krijon vlerësim estetik dhe forcojnë marrëdhëniet shoqërore. 

Fakti që personat me aftësi të kufizuara na paraqiten si njerëz që kanë nevojë për kujdes, i bënë ata/ato që të qëndrojnë larg shoqërisë. Prandaj, për të riintegruar në shoqësi personat me aftësi të kufizua, është e nevojshme të lehtësohet jeta e tyre, përkatësisht qasshmëria. 

Eksiztojnë standarde për të siguruar një mjedis të shëndoshtëm dhe me standarde të qasshmërisë për të gjithë, pa diskriminim. 

Qëllimi i këtyre standardeve është që të bëjë mjedisin (hapësirën fizike) të përdorshme nga më shumë njerëz, të bëjë hapësirën e dobishme në mënyrë racionale me qëllim që të lehtësojnë jetën për të gjithë me një kosto më të ulët.

Foto: Suer Celina

Një nga shembujt më të rëndësishëm të mjedisit (dizajnit) pa pengesa është kombinimi i shkallëve dhe pjerrinave. Aty ku ka shkallë, duhet të ketë një pjerrinë. Pjerrësia dhe gjerësia e pjerrinës duhet të jetë në përputhje me standardet e karrocave. Nëse gjerësia e hapësirës nuk është e mjaftueshme si për shkallët ashtu edhe për pjerrinën, është optimale të përdoret vetëm pjerina. Një tjetër element i rëndësishëm është shtrimi i materialeve të ndryshme në dysheme për personat me shikim të dëmtuar. Në mënyrë që mjedisi të jetë plotësisht i papenguar, sistemet e paralajmërimit audio duhet të vendosen edhe në pjesë të caktuara të zonës për personat me dëmtim të dëgjimit.

Në shesh shihet se pjesërisht ekziston qasshmëria, por qasja për persona me aftësi të kufizuara është ekufizuar. 

Sipërfaqja taktile e montuar gjatë vitit 2013 në urën Arasta në sheshin e Shadërvanit është e vetmja që e plotëson kushtin për PAK me shikim të dëmtuar. Sa i përket mobiljeve urbane në shesh, përgjithësisht shihen si të përshtatshme që i plotësojnë kriteret për përdorim nga të gjithë por që nuk ekzistojnë në sasi të mjaftueshme. Edhe shportat e mbeturinave në sheshe janë të prodhuara nga materiali i qëndrueshëm kundër zjarrit dhe janë të qasshme mirëpo jo të mjaftueshme. Kabinat telefonike për përdorim publik nuk janë të qasshme në shesh, poashtu edhe mungesa e tekstit Braille është faktor negativ për PAK me shikim të dëmtuar. 

Gjerësia dhe pjerrësia e pjerrinave tek trotuaret dhe shkallët janë të përshtatshme në sheshin Shadërvan, mirëpo mosekzistimi i pjerrinave tek shkallët e pamundëson qasjen. Në vendkalimet e këmbësorëve nuk ekzistojnë pajisje të paralajmëruara zanore por as butonat në semaforë për të ndaluar trafikun. 

Andaj mbetet që të ketë më shumë vëmendje dhe kritere në zbatimin e legjislacionit të Kosovës nga ana e institucioneve para zbatimit të çdo projekti, sidomos udhëzimit administrativ për kushtet teknike të objekteve ndërtimore për qasjen e personave me aftësi të kufizuara.

Është me rëndësi të theksohet se gjatë vitit 2021 janë ngritur shtatë padi nga shtatë  persona me aftësi të kufizuare për Komunën e Prishtinës, dhe thuajse asnjë për Komunën e Prizrenit. Kjo dukuri nuk reflekton realitetin e qasshmërisë së hapësirave urbane në Komunën e Prizrenit!

Medina Çeko

Medina Çeko është ligjeruese ne Kolegjin AAB / Fakultetin e  Arkitekturës. Tema e saj e masterit kishte në fokus vlerësimin e Hapësirave Publike të Kosoves për Persona me Aftësi të Kufizuara (PAK), ku tashmë është e angazhuar në këtë fushë. Ndërsa tani është në vijim të studimeve të PhD-së në Turqi.
© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”