Mitrovica në të kaluarën ishte shumë e pasur me ngjarje kulturore e artistike por çuditërisht deri tani nuk ka pasur interesim nga hulumtues që të punohet në dokumentimin e tyre. Cili ka qenë inspirimi për ju për ta hulumtuar mbi memorien kolektive për kinematë e dikurshme të Mitrovicës? A mund të na flisni pak për metodologjinë e përdorur në këtë hulumtim? Sa i vështirë ka qenë realizimi i tij? Sa kohë ka marrë i gjithë procesi hulumtues?

Nga koha kur u punësova në Muze të qytetit të Mitrovicës, shpalosja e kapitujve të ngjarjeve shoqërore, kulturore e historike të qytetit tim u kthye në përditshmëri. Kështu copëza-copëza më është dashtë të hulumtoj mozaikun e zhvillimeve kulturore, historike edhe shoqërore të qytetit tim. Një bazë e mirë kjo për të zhvilluar një ide, fillimisht në kuadër të përgatitjeve të edicionit të 11 – të Green Fest me temën “Ndrite Qytetin”, ku si anëtare e bordit propozova që të bëjmë një video instalacion “Kinematë e Humbura”, gjë që nuk u arrit të realizohej, në mungesë të fondeve. E që fatmirësisht,  përkrahja e idesë akoma më të plotë, u arritë në thirrjen për projekte individuale nga MKRS. 

Sfida kryesore qëndronte në faktin se kishte mungesë të mjaftueshme të fakteve rreth veprimtarisë së kinemave në Mitrovicë, andaj si bazë të këtij hulumtimi pata kujtesën e disa prej ish-punëtorëve të kinemave, si dhe qytetarëve të Mitrovicës që ishin të lidhur direkt dhe tërthorazi me kinemanë. Ndërsa, për ta shtuar vërtetësinë faktike të kësaj veprimtarie aq aktive në qytet, ne u konsultuam edhe me insitucione relevante si: Arkivi Ndërkomunal i Mitrovicës, Arkivin e Komunës së Mitrovicës, Bibliotekën “Latif Berisha”, arkivat e Muzeut të qytetit të Mitrovicës, si dhe të dhëna tjera nga mediumet audio-vizuele. Gjithë procesi i hulumtimit dhe intervistimit ka zgjatur rreth një vit, për ta mbyllur me promovimin e video instalacionit si dhe botimin e librit.

Nëse mund të na tregoni pak për përshtypjet e juaj si autore për ato që ju kanë mbetur në mendje nga rrëfimet e të intervistuarve?

Në kuadër të këtij hulumtimi janë bërë 25 intervista, e mund të them që në secilën bashkëbisedë ka pasur momente shumë të këndshme, si dhe ka pas momente zilie meqë gjeneratat e mëvonshme, e as unë personalisht nuk kisha pasur fatin e të shkuarit në kinema për vite me radhë. 

Ngase, gjeneratat e asaj kohe, fillesën për ta eksploruar këtë veprimtari e kishin që nga shkolla fillore, e kështu fillonte edhe përgatitja e mësimi se si ti qaseshin insitucioneve kulturore, e si të krijonin shprehi për t’i bërë këto insitucione kulturore pjesë të përditëshmërisë dhe rekreacionit të tyre.

Përshtypje të thellë më linin veçoritë e përjetimeve të tyre, si nga aspekti i magjepjes së tyre me madhështinë që jepte ekrani, aromës së veçantë të sallës, problemet që kishin me gjuhën dhe përkthimin e filmave. Vlen të përmenden edhe ritualet e përgatitjes për të shkuar në kinema, mbledhjes së parave për të parë filmat, ishin të freskëta gati te secili i intervistuar. Pra, në katër gjenerata të ndryshme që i kam intervistuar (40’-70’tat) indirekt është dhënë edhe përshkrimi i evoluimit shoqëror e ekonomik i qytetit të Mitrovicës, i ndryshimeve gjinore edhe atyre teknologjike. I gjithë ky hulumtim ka qenë një ndër punët më të këndshme dhe të dhimbshme që i kam bërë, në kontekst të gjithë asaj që i është mohuar gjeneratës sime dhe atyre pas meje.

Çfarë ka ndodhur me ato objekte që në të kaluarën kanë qenë kinema, dhe a ekziston mundësia e restaurimit të tyre dhe rikthimit tek qytetarët siç ka ndodhur në disa raste në Prishtinë dhe Prizren?

Mitrovica që nga vitet e 30’ta kishte filluar të kishte hapësira për shfaqje të filmave, fillmisht në kuadër të tri hoteleve që ishin atëbotë: Hotel Paris, Hotel Jadran dhe Hotel Pallas. Më vonë u ndërtuan edhe Kinema Zvezda (Ylli) dhe Kinema Teslla, por kishte hapësira për shfaqje të filmave edhe në Shtëpinë e Armatës, në qendrën multifunksionale Kej Lushta, e më vonë edhe në Qendrën e Kulturës. Gjitha këto hapësira ishin vetëm në qendër të qytetit dhe kanë shërbyer ndër dekada të ndryshme për shfaqje të filmave, por jo në të njëjtën kohë.

Degradimi i veprimtarisë së kinemave ka ndodhur gradualisht, si pasoj e zhvillimeve politike, me theks që pas viteve 80’ta, si dhe zhvillimeve teknologjike, shtimi i televizioneve, aparateve televizive, satelitëve, videokulbeve me videokaseta, e më vonë edhe teknologjisë së avancuar. Pas luftës 1998-1999 me problemet politike me të cilat u ballafaqua Mitrovica, Kinema Zvezda dhe Qendra e Kulturës ishin në kuadër të një zone e njohur si “Zona e Sigurisë” dhe aty ishin trupat e KFOR-it Francez , ndërsa qytetarët me vite nuk kishin qasje në këto objekte. E njëjta ndodhi edhe me “Kinema Teslla” që ishte nën shfrytëzim të Policisë së UNMIK-ut dhe Shtëpisë së Armatës nën shfrytëzim të KFOR-it, pastaj TMK-së, e më vonë muzeut.

Objektet ndër vite nuk e kryenin më funskionin e tyre, por më tepër shërbenin për organizatat ndërkombëtare paqeruajtese, e jeta kulturore në qytet veçse kishte stagnuar. Derisa edhe Kinema Zvezda edhe Teslla kishin pësuar dëme infrastrukturore, ato u degraduan plotësisht pas daljes së këtyre institucioneve pas viteve 2011, si dhe nga Kej Lushta në vitin 2015. Ndërsa, Shtëpia e Armatës shfrytëzohet nga Muzeu i Mitrovicës, Shkolla e Muzikës “Tefta Tashko”, Emergjenca, si dhe dy organizata kulturore. Të njejtin fat e ka edhe Qendra Kulturore “Rexhep Mitrovica” ky veprojnë disa insitucione përnjëherë si: Teatri i Mitrovicës, Galeria e Arteve, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Qendra e Kulturës me personel të veçantë prej të lartcekurave.

Pra, sot Mitrovica ka ngelur pa një kinema aktive me veprimtari e axhendë. Filma shfaqen vetëm si pjesë e ndonjë manifestimi jubilar, apo edhe të aktiviteteve të inicuara nga shoqata të ndryshme kulturore. Derisa, hapësirë e gatshme për tu shfrytëzuar për shfaqje filmi, mund të konsiderohet vetëm objekti i Qendrës së Kulturës së Mitovicës “Rexhep Mitrovica”, normalisht duke i bërë edhe investimet e duhura instrastrukturore e teknike. 

Duke marrë parasysh historinë e qytetit të Mitrovicës sidomos në aspektin politik të saj, a mund të na flisni pak për ndërlidhjen mes historisë së kinamasë në atë kohë dhe bashkëjetesës mes serbëve dhe shqiptarëve në aspektin kulturor?

Mitrovica e shekullit të XX si qytet industrial me diversitet kulturor, ka qenë ndër qytetet më të rëndësishme ekonomike dhe kulturore të Kosovës. Këto dy pika tejet të pandashme të qytetit e kanë zhvilluar poashtu edhe jetën shoqërore dhe kulturore në qytet. Zhvillimi i jetës kulturore në qytet vinte si nevojë e numrit të madh të të punësuarëve në fabrikat dhe njësitë varëse të kombinatit Trepça, si dhe nga fakti se për disa dekada ky ishte mediumi dhe rekreacioni më i preferuar në qytet.

Sikurse edhe vet qyteti që ishte me diversitet kulturor edhe stafi i projektuesve të filmit pas viteve të 50’ta fillon të bashkëveprojë në mes të komunitete të ndryshme. Sipas kujtesës së të intervistuarëve ata kishim mjaft momente interesante me mbikëqyrësit e sallave apo edhe shqyesit e biletave, momente qesharake që tani i kujtonin me nostalgji. Anipse, bashkëjetesa ishte pjesë kryesore e atij sistemi, mund të themi që diskriminimi etnik mund të vërehej dukshëm gjatë këtij hulumtimi. Të gjitha të dhënat arkivore që siguruam gjatë hulumtimit ishin në shkrim cirilik. Gjatë të intervistave kishte rast kur theksohej se duhej ditur gjuhën serbo-kroate për të shkuar në kinema, ose aty e mësonin gjuhën serbo-kroate. Një rast i një të intervistuari tregon se kur e merrte nënën në kinema, ja përkthente tërë filmin. Pra, filmat ishin ose në gjuhën serbo-kroate, ose ishin me titra në këtë gjuhë. Të përkthyer në shqip kishte tejet pak ose s’kishte fare. Duhet ta citoj njërin nga të intervistuarit z. Bejtë Jusufi i cili e kujton një përjetim të tij të fortë, gjatë shfaqjes së filmit “Kapetan Lleshi” i cili ishte në gjuhë serbo-kroate, anipse trajtonte temën e një ushtaraku shqiptar, ai tregonte se si me shoqëri kishin shkuar ta shihnin shumë herë këtë film se në fund filmi mbyllej me fjalën “shok” në gjuhën shqipe, e në ato momente e tërë salla ngrihej në këmbë nga ngazëllimi që po dëgjonin një fjalë në gjuhën e tyre.

Për Ju si njohëse e trashëgimisë kulturore, sa mendoni se është e rëndësishme dokumentimin dhe hulumtimin për këtë çështje në të gjitha komunat e Kosovës ku ka pasur kinemë që nuk janë më funksionale, për memorien kolektive?

Duke qenë së afërmi e angazhuar me trashëgiminë kulturore të luajtshme dhe shpirtërore, kam ndjerë një shtytje të madhe që njohuritë rreth insitucioneve kulturore e veçanërisht për kinematë, t’i ndajë me gjeneratat e reja që nuk e kishin as edhe idenë më të vogël se sa shumë hapësira për shfaqje filmi kishte Mitrovica dikur. Përpos aspektit të infrastrukturës kulturore, për mua ishte jashtëzakonisht e rëndësishme të flitej për jetën, e përvojat shoqërore të fituara brenda atyre mureve, si dhe reflektimin e memorieve kolektive të bashkëqytetarëve të mi.

Brenda këtyre hapësirave shfaqeshin filma të ish sistemit jugosllav, filma hollivudian, filma italian, filma francez, filma bolivudian, turk e shumë të tjerë. Që sipas tyre, gjithë ky program shërbente si një urë lidhëse kulturore me botën, si dhe në anën tjetër ishin hapësira takimi, shoqërimi e vende nikoqire edhe të shumë ngjarjeve tjera kulturore si: shfaqje teatrale, netëve poetike, hapësira për performanca të korrit e edhe të koncerteve. Gjenerata e gjenerata ishin përgatitur profesionalisht në këto hapësira, ishin njoftuar me kauza botërore e regjionale.

Kur e kemi lansuar videon “Në kujtim të Kinemave të humbura të Mitrovicës” duke i demostruar se ku ishin këto hapësira në qendër të qytetit, të rinjë të shumtë janë çuditur shumë ngase ishte diçka e panjohur për ta. Hulumtimi dhe dokumentimi sidomos për periudhën e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar rreth zhvillimeve e historisë së re urbane në qytetet e Kosovës është në mugesë të dukshme. Duke i marrë parasysh ndryshimet e mëdha shoqërore, politike, ekonomike, ndryshimeve të planeve urbanistike, ka humbje të mëdha të hapësirave kulturore si dhe burimeve faktike rreth veprimarive të tyre, dhe zhvillimit shoqëror e kulturor që këto hapësira kanë dhuruar për gjenerata të ndryshme. Andaj, besoj se hulumtime të kësaj natyre, kudo në Kosovë, vetëm se do i kontribuonin mbledhjes dhe ruajtjes së një kujtese kolektive mëse të nevojshme për ta bartur tek gjeneratat e ardhshme. 

Çfarë mendimi keni për trajtimin institucional të kinemave të dikurshme, por jo vetëm në Mitrovicë, a mendoni që është bërë sa duhet?

Kinematë në Mitrovicë dikur ishin kinema shtetërore, ato kishin axhendën e tyre, si dhe propagandën që i shërbente për politika të sistemit që i përkisnin. Disa sosh për nga numri i madh i vizitorëve që kishin dikur, kishin edhe vetqëndrueshmëri për disa dekada. Por me ndryshimet politike e më vonë edhe shoqërore dhe avancimin e teknologjisë, filmi nuk ishte më i vetmi argëtim. Duke i pasur parasysh edhe problemet që i kishte Mitrovica si qytet i pasluftës, hapësirat e kinemave shfrytëzoheshin për tjetërçka, derisa qyteti kishte probleme të shumta si në aspekt politik dhe atij ekonomik. Ka pasur edhe një iniciativë të qeverisjes lokale në vitin 2011 që të ri-aktivizohet filmi, por në mungesë të audiencës si dhe kostos që kishte kjo veprimtari për blerjen e filmave, nuk arriti të vazhdonte si axhendë e përjavshme. Kinematë nuk u trajtuan sa duhet në qeverisjet lokale në gjithë Kosovën, anipse raste për t’i rimëkëmbur ato kishte si në Prizren dhe në Pejë. Në rastin e Mitrovicës, një tendencë për ta rikthyer një Kinema të papërfunduar në periferi të Mitrovicës, në Tunelin e Parë është duke u propozuar nga OJQ 7Arte, e për këtë iniciativë ka shprehur gatishmëri që të kontribuojë edhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë.

Sa e konsideroni të rëndësishme kinemanë në emancipin kulturor të njerëzve?

Kinemaja e ka pasur rolin argëtues dhe edukativ, si komunikim në masë që njëherit ka shërbyer si urë kulture në epokën kur kishte mungesë të informatave dhe teknologjisë së avancuar. Sot më tepër mund të konsiderohet si një përvojë shoqërore, si përjetim i artit të shtatë dhe si përvojën që e sjell ky përjetim në shqisat tona. Derisa filmi sot mund të shihet kudo, infrastruktura kulturore e kinemasë e ka përjetimin që mund të falë një adaptim me ritualin e të shkuarit për të parë film si një përvojë me grup. Pritja për të shkuar në një shfaqje të preferuar filmi, pritja për biletë, hyrja brenda asaj hapësire, largimi nga angazhimet tjetra ditore, përvetësimi që e bënë ekrani, e krijojnë një përvojë mjaftë të veçantë. 

Ju keni rreth një dekadë që punoni në Muzeun e Mitrovicës dhe së fundmi keni hapur edhe një Fondacion. Në ndërkohë keni organizuar shumë ngjarje kulturore e artistike në qytetin e Mitrovicës. A mund të na flisni pak për planet aktuale dhe ato të së ardhmes?

Muzeu i Mitrovicës ka axhendën e programit vjetor, që realizohet së bashku edhe me akterë të ndryshëm kulturor të qytetit. Tani jemi në përgatitje të ekspozitës me fotografi “Gruaja e parë fotografe në Mitrovicë” që do të hapet në muajin dhjetor. 

Fondacioni Dhemetra është themeluar që t’i asistoj muzeut dhe instiucioneve të trashëgimisë kulturore për të hulumtuar, përpunuar dhe promovuar trashëgimisë kulturore me fokus të veçantë në regjionin e Mitrovicës. Në kuadër të këtij programi, jemi në përgatitje të një ekspozite që e trajton luftën dhe artin dhe do të kurohet me 17 shkurt 2023. Ekspozita dhe materialet parashihet që t’i dhurohen muzeut si koleksione. Në kuadër të Fondacionit Dhemetra është në përgatitje edhe edicioni i tretë i Festivalit të Letërsisë ZaNa, që promovon dhe boton artin letrar lokal dhe atë regjional. Pra, ju mirëpresim në Mitrovicë! Fundviti, si dhe viti i ardhshëm do të kumbëllojnë nga aktivitetet e shumta e të larmishme kulturore. 

© PRIZMA MEDIUM