Foto: Collin Key

✎ Adelina Hasani

Ndërtimi hidrocentraleve mbi lumin Vjosa është kundërshtuar prej vitesh nga banorët e zonës, aktivistët mjedisorë vendas dhe të huaj, si dhe grupe shkencëtarësh që e konsiderojnë Vjosën si lumin e fundit të egër në Europë. Ata kanë kundërshtuar planet e qeverisë për të ndërtuar 45 hidrocentrale, 8 në vetë lumin Vjosë dhe 37 në degët e saj. 

Vjosa është lumi më i madh i Shqipërisë Jugore. Shkencëtarët/et e vlerësuan Vjosën si të vetmin lum të egër, të madh ende të paprekur në Evropë. Madje shkencëtarët/et kanë vlerësuar që ndërtimi i digave do të shkaktojë dëme të pakthyeshme në lumë. Kështu, 776 shkencëtarë/e dhe ekspertë/e nga e gjithë bota i kanë kërkuar qeverisë së Shqipërisë që të ndalojnë ndërtimin e digave mbi lumin Vjosë. Ky peticion është konsideruar si njëri nga peticionet më të mëdha shkencore për ujërat e ëmbla të të gjitha kohërave. 

Foto: David Stanley

Mbrojtja e lumit Vjosa ka marrë mbështjetjen edhe të aktorit të famshëm Leonardo di Caprio, i cili bëri një postim në instagram, duke thënë se: “Ky është lumi i fundit i egër në Evropë. Por për sa kohë?”. Ai po ashtu u bë i pari që promovoi filmin e shkurtër  të titulluar me emrin “Vjosa Forever” (Vjosa Përgjithmonë), që iu bën thirrje njerëzve të bashkohen në kauzën për të mbrojtjen e së ardhmës së lumit Vjosa, ndërsa apelon të sjellin vëmendjen ndërkombëtare për katastrofën mjedisore që mund të ndodhë nëse lumi mbetit i pambrojtur.

Aktivistët/et për mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri kanë bërë thirrje të vazhdueshme që lumi Vjosa të shpallet “Park Kombëtar”. Në vitin 2020 Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas protestave të aktivistëve ambientalistë ka njoftuar publikisht që do të anulojë projektet e hidrocentraleve. Ndërkaq në Janar të vitit 2022 Qeveria e Shqipërisë lumin Vjosa  e shpalli “Park Natyror”, por jo “Park Kombëtar”, ashtu siç kërkohej nga aktivistët. 

Mosshpallja e lumit Vjosa si “Park Kombëtar” vazhdon kërcënimin e tij nga ndërtimi i hidrocentraleve në digat e tij. Statusi “Park Kombëtar” është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe e vetmja mundësi për t’i parandaluar bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij.

Shpallja e lumit “Park Kombëtar” do të pengojë ndërtimin e projekteve të hidrocentraleve. Sipas një sondazhit të realizuar nga IDRA Poll, 94% e qytetarëve të Shqipërisë janë pro shpalljes së lumit Vjosa “Park Kombëtar”, në të gjithë gjatësinë e lumit.  Pavarësisht zërit të organizatave mjedisore, ekspertëve, banorëve, personazheve të njohur që kanë kërkuar shpalljen e lumit Vjosë “Park Kombëtar” dhe krijimin e parkut të parë të një lumi të egër në Evropë, ky vendim ende mbetet larg.

© PRIZMA MEDIUM

Ky lajm është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.