Foto: Suer Celina

Ambasada e Suedisë në Prishtinë ka mbështetur bujarisht trashëgiminë kulturore dhe jetën kulturore në Kosovë, si një nga elementet më thelbësorë që ka ndihmuar në zhvillimin e lidhjeve alternative ndërmjet komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, veçanërisht në Prizren.

Për më tepër, meqenëse aktivizmi kulturor në Prizren është një nga themelet e pjesëmarrjes në jetën publike dhe shoqërore dhe të transformimit të qytetit, ai gjithashtu qëndron si një temë premtuese për të mbledhur aktorë dhe palë të ndryshme të interesit për të diskutuar për të mirën e përbashkët. Meqenëse atomizimi i shoqërisë gjeneron ndarje të mëdha midis grupeve të ndryshme, fokusimi në vlerat e përbashkëta, siç është trashëgimia kulturore, nga një horizont më i gjerë mund të shërbejë si një sferë e bashkimit dhe zhvillimit të komuniteteve.

Patëm rastin të diskutojmë për trashëgiminë kulturore, jetën kulturore dhe aktivitetet në Prizren me ambasadorin e Suedisë, z. Jonas Westerlund.

Intervista jonë me ambasadorin u fokusua gjithashtu në rëndësinë e aktiviteteve kulturore në zhvillimin e komunitetit dhe mbështetjen e Ambasadës Suedeze për trashëgiminë kulturore të Prizrenit përmes projekteve të CHwB dhe UN-Habitat. “Prizreni është një qytet magjepsës me trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe multikulturalizmin. Unë kaloj shumë kohë këtu në Prizren, me biçikletë në male por edhe në qendër të qytetit dhe më vjen mirë që mbështesim trashëgiminë kulturore të Prizrenit. Ne kemi mbështetur Dokufestin, Cultural Heritage Without Borders (CHwB), UN-Habitat dhe EC Ma Ndryshe. Prizreni është kryeqyteti kulturor i Kosovës dhe mendoj se është jetike për ne që të mbështesim trashëgiminë kulturore këtu”, tha z. Westerlund. Ai gjithashtu tha se kanë mbështetur kinemanë e vjetër – Lumbardhi në Prizren – një iniciativë që erdhi nga komuniteti për të mbrojtur kinemanë e vjetër nga shembja. 

Imazh: Facebook/Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

Zona Arkeologjike në Prizren

Z. Westerlund tha se Ambasada mbështet UN-Habitat, në rinovimin e zonës arkeologjike, që është projekti i tyre kryesor. Zona Arkeologjike në Prizren është një lokacion me vlera historike, shkencore, kulturore dhe arsimore, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e kësaj zone dhe të promovojë trashëgiminë kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. 

Rrënojat në anën arkeologjike janë shtresime kulturore të strukturave të periudhave klasike romake dhe osmane. Këto rrënoja u gjetën gjatë rivitalizimit të sheshit kryesor në vitin 2016. Rrënojat romake janë menduar të jenë struktura të një shtëpie (vile) dhe i përkasin shek.III-IV. Struktura e periudhës osmane paraqet muret e godinës së ‘Pazarit të Bylmetit’ (tregut të produkteve të qumështit), e cila ka ekzistuar deri në mesin e shekullit të 20-të.

Pra, pas gjashtë vitesh ana arkeologjike e Prizrenit është në proces konservimi.

Procesi i hartimit të projektit është zhvilluar nga grupi punues i mandatuar, i përbërë nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Prizrenit, dhe është udhëhequr nga UN-Habitat Kosova. Përveç kësaj, banorët, komuniteti i biznesit dhe komuniteti profesional u përfshinë të gjithë në hartimin e projektit përmes analizës së zonës dhe diskutimeve publike, duke u siguruar që interpretimi dhe prezantimi përfundimtar i zonës arkeologjike të pasqyronte një zgjidhje standarde.

Projekti “Plani Prezantues për Zonën Arkeologjike në Prizren” do të rivitalizojë hapësirën brenda sheshit kryesor në Prizren duke pastruar dhe konservuar Lokalitetin Arkeologjik, ndërsa do ta prezantojë atë para publikut duke ndërtuar një strukturë të re së bashku me dizajnin urban të hapësirës duke përfshirë shkallët, rampat, mobiljet urbane, dritat, gjelbërimin dhe tabelën e informacionit.

Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe turizmit në Prizren

Z. Westerlund theksoi se ka potencial të madh për eko-turizëm në Prizren, kryesisht përmes hiking-ut; për më tepër, kjo bëhet një kombinim emocionues me trashëgiminë kulturore të qytetit. “Kemi qenë në kontakt me një agjenci turistike suedeze për të sjellë turistë suedezë në Kosovë, në të ardhmen. Si qytet me potencial të madh për eko-turizëm, shpresoj të jem në gjendje të tërheq turistë suedezë në Prizren. Ka disa përpjekje serioze edhe nga niveli komunal për ta arritur këtë. Kam pasur një takim me kryetarin e Prizrenit dhe ai ka shumë plane se si mund t’i sjellësh turistët në kala dhe ky është një aktivitet i rëndësishëm për të sjellë turistët këtu”, tha ai.

Kultura si urë lidhëse ndërmjet komuniteteve

Z. Westerlund përmendi rolin e rëndësishëm të kulturës multietnike në Prizren, e cila është shumë ndryshe nga shumë qytete të Kosovës dhe duhet të ruhet. Kur u pyet nëse kultura është thelbësore në bashkimin e komuniteteve të ndryshme, ai u përgjigj: “Në Mbështetjen Suedeze për Zhvillim, ne kemi katër shtylla, dhe e katërta është dialogu paqësor dhe gjithëpërfshirës. Prandaj, ne dëshirojmë të fokusohemi në dialogun kulturor, që është edhe pjesë e programit tonë dhe për këtë jemi në Prizren dhe kalojmë kohë këtu. Unë kam punuar në dhjetë vende si ndërmjetësues dhe mund të them se paqja nuk mund të ishte e qëndrueshme pa një proces të duhur pajtimi. Dhe këtu hyn kultura dhe filmat, të cilët hapin një hapësirë për t’i trajtuar disa nga këto çështje. Duhet të flitet për këto çështje. Pajtimi nuk ka të bëjë vetëm me sjelljen e njerëzve në Gjykatë, por është gjithashtu një proces që përfshin pjesë e bisedës dhe debatit se si do të jetojmë së bashku në të ardhmen. Kështu që filmi, poezia dhe letërsia luajnë role jetike këtu” – thesoi ai.

Intervista: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM