Personat me aftësi të kufizuar janë të privuar nga jeta normale në Kosovë kryesisht për shkak të stigmës dhe paragjykimit të pjesës dërrmuese së shoqërise ndaj tyre. Si rrjedhojë kjo përkthehet në ligje të dobëta dhe mos zbatim të tyre edhe kur ato ekzistojnë. Për shembull, ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuar obligon të gjithë punonjësit në sektorin publik e gjithashtu atë privat, të punësojnë një person me aftësi të kufizuar në çdo 50 të punësuar. Sidoqoftë, ky ligj gjen zbatim tepër të rrallë pikë se pari në institucione shtetërore, e lëre më në sektorin privat, ku punëdhënësit në shumicën e rasteve nuk kanë mjaft përgjegjësi morale për të marrë përsipër zbatimin e një ligji që në mendjen e tyre mund të shkakton edhe problemin më të vogël në funksionim të biznesit. Në intervista (të rralla) me persona me aftësi të kufizuar kuptohet se në shumë raste, ata janë po aq të aftë e të edukuar (në shumë raste me diploma univerzitare) sa kolegët e tyre pa aftësi të kufizuar. Mirëpo, paragjykimet bëjnë që ata të kenë probleme shumë të mëdha kur aplikojnë për pozita pune, edhe kur janë absolutisht të aftë që të kryejnë detyrat e pozitës për të cilën janë duke aplikuar.

Përveç problemeve në punësim dhe tendencave për diskriminim në vendet e punës, për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë mungon edhe infrastruktura për qasje në objekte shtetërore e publike. Në shumicën prej hapësirave publike duke përfshirë institucione qëndrore e lokale, banka, biznese private, kafeteri e restorane, e shumë vende tjera, personat me aftësi të kufizuar e kanë të pamundur qasjen në ato objekte. Njësoj problematike është edhe qasja e fëmijëve me aftëzi të kufizuar në institucione arsimore, si shkolla fillore, të mesme apo universitete. Pra, që nga fëmijëria, këta janë të privuar nga e drejta e tyre kushtetuese për arsimim. Kjo si hallkë, vijon në pasoja tjera në jetën e tyre si individ pa ndërveprim të shëndetshëm me pjesën tjetër të shoqërise që nga një moshë e hershme. 

Për personat me aftësi të kufizuar fizike, si personat në karrocë, është sidomos e rëndësishme mundësia e lëvizjës në qytet. Në qytete si Prizreni kjo mundësi është tejet e kufizuar dhe kryesisht gjen zbatim vetëm në qendër të qytetit. Barierat fizike shfaqen gjithandej kur analizohet mundësia e lëvizjës për persona ma aftësi të kufizuara. Trotuaret e larta, mungesa e rampave, rrugët e prishura apo me hapësirë të pamjaftueshme për karroca si dhe sundimi i veturave janë vetëm disa nga problemet e shumëta me të cilat ballafaqohen personat me kufizime fizike në qytet. Të gjitha komunat në Kosovë duhet të kishin prioritet sigurimin e lëvizjës për personat me aftësi të kufizuara. Sikurse parulla ‘Aty ku shkel këmba yte, duhet të shkel rrota ime’, lëvizja e lirë dhe qasja në objekte publike e private për të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jetë e drejtë e barabartë pa diskrimin ndaj asnjë kategorie. Mirëpo deri tani, shumë pak është bërë në këtë drejtim, si pasojë e mungesës së përpjekjës nga institucionet qëndrore dhe lokale, sa i përket lehtësimit të këtyre problemeve për këtë komunitet të neglizhuar rëndë nga diskursi publik.

Si përfundim, megjithëse viti 2022 u shpall viti i personave me aftësi të kufizuar, kjo nuk u përcoll me veprime konkrete nga qeveria e Kosovës. Perfaqësues dhe anëtar të organizatës më të madhe për të drejtat për persona me aftësi të kufizuar “Handikos” u shprehen se pavarësisht se ky vit u shpall i personave me aftësi të kufizuara, nuk pati asnjë lëvizje përmirësimi në asnjë fushë. Sidomos sa i përket punësimit të personave me aftësi të kufizuar, nuk kishte asnjë rezultat, si pikë kryesore për këtë kategori. Kjo situatë duhet të ndryshojë. Personat me aftësi të kufizuar janë të barabartë dhe duhet të trajtohen si të tillë. Diskriminimi i çdo grupi, si ndaj grave, minoriteteve apo personave me aftësi të kufizuar është i dëmshëm dhe duhet të ndaloj. Koha ka ardhur që këta persona të marrin pjesë në shoqëri dhe të krijojnë lidhje personale e profesionale në mënyrë të barabartë me të gjithë tjerët. Çkado më pak se kjo është e papranueshme për një shoqëri moderne me ligje dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët pa dallim.

✎ Nol Sahatçiu

Nol Sahatçiu është profesionist i marketingut digjital, me përvoje 8 vjeçare në kompani dhe organizata të ndryshme Kosovare dhe ndërkombëtare. Perveç punës profesionale, ai gjithashtu shkruan për publikime të ndryshme, merret me muzikë dhe teatër si dhe ka realizuar dy filma dokumentarë për tema sociale të quajtura “Rikthimi” dhe “Nji Ditë me Rita Bekqelin”.
© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”