Po bëhet një përpjekje intensive ndërkombëtare për të qetësuar ngjarjet në veri të Mitrovicës, të cilat nuk kanë të ndalur prej ditësh dhe janë kthyer në dhunë. Kjo përpjekje përfshin të gjithë palët e aleancës Euro-Atlantike. Përfaqësuesit Specialë Miroslav Lajćak dhe Gabriel Escobar, të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë vizituar Kosovën dhe kanë pasur një takim 3-orësh me kryeministrin Albin Kurti më 5 qershor. Pas takimit ata parashtruan tri kërkesa themelore që i kishin përmendur edhe më parë. Diplomatët e nivelit të lartë, duke u shprehur se janë tejet të shqetësuar për ngjarjet në veri, kërkuan që sa më shpejt të ulet tensioni në veri, të përsëriten zgjedhjet lokale me pjesëmarrjen e serbëve dhe të kthehen sërish në tryezën e dialogut.

Në anën tjetër, në zgjedhjet për kryetar komune të bojkotuara nga serbët lokalë, dy nga kryetarët e rinj të 4 komunave në veri u zgjodhën nga Vetëvendosja dhe dy nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Megjithatë, protesta të dhunshme vazhdojnë të mbahen para ndërtesës së komunave, ku janë caktuar kryetarët e rinj. Ngjarjet shpërthyen më 26 maj kur kryetarët e sapozgjedhur të komunave hynë në ndërtesat komunale, të shoqëruar nga forcat policore të Kosovës. Në këto incidente të dhunshme janë lënduar deri në 30 ushtarë të KFOR-it dhe 6 policë të Kosovës. Pala serbe raportoi se më shumë se 50 demonstrues u plagosën.
Ecuria e ngjarjeve në këtë mënyrë solli në rend dite rrezikun e konfliktit. Pas këtyre veprimeve, NATO vendosi të dërgojë përforcime. Njësitë e para të trupave komando mbërritën nga Turqia më 4-5 qershor.

Çfarë thonë palët?

Kryeministri Albin Kurti përsëriti qëndrimin e tij duke thënë se për të qetësuar ngjarjet në veri dhe për të bërë një hap përpara, grupet kriminale atje duhet të ndalojnë menjëherë sulmet ndaj forcave të sigurisë dhe gazetarëve. Kurti kërkoi nga Brukseli dhe Uashingtoni që të bëjnë thirrje në këtë drejtim dhe tha se personat e përfshirë në dhunë duhet të ndëshkohen. Kryeministri Kurti vazhdon të thotë se veriu i Mitrovicës nuk mund t’u besohet bandave. Presidenti serb Aleksandar Vucic fajësoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për përshkallëzimin e tensioneve në veri. Duke pretenduar se Serbia dëshiron paqen, Vucic i paralajmëroi demonstruesit që të mos sulmojnë ushtarët e KFOR-it. Duke thënë se policia e Kosovës ka ndërhyrë te demonstruesit serbë, Vucic ka thënë se ishte në interes të Albin Kurti të përplasen serbët vendas me KFOR-in.

Nga ana tjetër, protesta antiqeveritare filluan të organizohen në Beograd, kryeqytetin e Serbisë. Demonstratat protestuese ku po marrin pjesë turma të mëdha mbahen me sloganin “Serbia kundër dhunës”. Demonstratat me pjesëmarrjen intensive të publikut pritet të vazhdojnë edhe këtë të shtunë (10 qershor).

Si u zhvilluan ngjarjet?

Procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ndoqi një rrugë me batica-zbatica, shpesh u ndërpre për arsye të ndryshme. Çështja e dialogut është pezulluar këto ditë, ashtu siç ishte pezulluar në kohën e taksës 100% të Kosovës ndaj produkteve serbe. Kriza e cila nisi me shpalljen e pavlefshmërisë së tabelave serbe në qytetet e Kosovës nga ana e palës kosovare dhe kërkesën për regjistrimin e këtyre automjeteve pranë autoriteteve kosovare mori përmasa politike. Lista Serbe ka vendosur të japë dorëheqje nga të gjitha pozitat në institucionet e Kosovës. Pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të komunave në veri të Mitrovicës, në rend dite doli përsëritja e zgjedhjeve. Mirëpo, serbët parashtruan si parakusht themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, zotim i një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përkundër presionit ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, nuk është bërë ndonjë përparim domethënës në themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kështu, edhe një herë procesi i dialogut u bllokua. Mirëpo, pas bojkotit të serbëve zgjedhja e kryetarëve shqiptarë në zgjedhjet e pjesshme lokale, të cilat u mbajtën ndërkohë, shkaktoi protesta të dhunshme. Këto protesta vazhdojnë edhe sot.

Përkundër të gjitha këtyre zhvillimeve, procesi i dialogut, i cili parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili aktualisht është në ngecje, po vazhdon ngadalë me rolin lehtësues të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e palëve të tjera ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së, dhe pritet të rezultojë me një marrëveshje përfundimtare. Megjithatë, qëndrimet e palëve për një marrëveshje përfundimtare politike mbeten ende larg njëra-tjetrës.

✎ Esin Muzbeg

© PRIZMA MEDIUM