Më 22 mars të këtij viti u konstituua legjislatura e VIII-të e Kuvendit të Kosovës, që nga themelimi i institucionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 2001. Ndonëse Kushtetuta përcakton që një legjislatura e Kuvendit ka mandat katër vjeçar, asnjë nga legjislaturat deri më tash nuk ka arritur që ta realizoj një mandat të tillë. 

Vetëm në katër vitet e fundit janë ndërruar tri legjislatura, e më jetëshkurtër ishte legjislatura e VII-të me vetëm një vit funksionimi. Në këto tri legjislaturat e fundit, kemi pasur ndryshime të mëdha në pushtet, ku opozita e deriatëhershme ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare.

Ndryshimet në pushtet pashmangshëm kanë ndryshuar edhe përbërjen e legjislaturave për nga prejardhja gjeografike. Bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili përcakton dispozitat e përgjithshme të sistemit zgjedhor, Kosova ka një zonë të vetme zgjedhore me shumë kandidatë. E, një sistem i tillë me një zonë zgjedhore krijon mundësinë e mbipërfaqësimit të disa komunave, kryesisht komunave të mëdha, dhe në anën tjetër lejon nënpërfaqësimin e disa komunave të tjera, që janë zakonisht komuna të vogla. Në këto tri palë zgjedhje, janë vetëm 23 komuna prej të cilave vijnë deputetët nga 38 sa janë gjithsej, e që në këtë kuptim përfaqësohen në Kuvend.

Në parim, shtatë komunat më të mëdha të Kosovës kanë numër më të madh të deputetëve prej të cilëve përfaqësohen, dhe kjo natyrisht për shkak të numrit më të madh të banorëve. Rreth 60% e përbërjes së secilës prej këtyre tri legjislaturave të fundit përfaqësojnë shtatë komunat më të mëdha të Kosovës. Pa dyshim që Prishtina qëndron në krye të listës së komunave me më së shumti deputetë, në secilën legjislaturë e posaçërisht këto tri të fundit. Në fakt, në bazë të statistikave shohim që legjislatura e VI-të prinë me numrin më të madh të deputetëve nga Prishtina me gjithsej 21, e vetëm dy deputetë më pak nga Prishtina ka legjislatura aktuale (legjislatura e VIII-të). Ndërkaq vërehet një numër pak më i vogël i deputetëve nga Prishtina në legjislaturën e VI-të me gjithsej 17 të tillë. 

Ngjashëm sikurse Prishtina, edhe Prizreni si qyteti i dytë më i madh është edhe komuna e dytë që ka pasur më së shumti deputetë në tri legjislaturat e fundit (Legj. VI-të – 18 deputetë; Legj.VII-të – 16 deputetë dhe Legj.VII-të – 13 deputetë). Edhe komunat e tjera si Peja, Mitrovica, Gjakova, Gjilani e Ferizaji kanë pasur deri në dhjetë deputetë në pothuajse secilën nga këto tri legjislatura. 

Në anën tjetër, përfaqësimi i komunave më të vogla në Kuvend përcaktohet kryesisht nga partia apo koalicionet që i fitojnë zgjedhjet, marrë parasysh bazën ku ata kanë më së shumti elektorat. Kështu për shembull, në Legjislaturën e VI-të, kur zgjedhjet i kishin fituar koalicioni PAN, komuna e Deçanit që është një nga komunat më të vogla për nga numri i banorëve, kishte tetë deputetë. Kjo, për shkak të bazës kryesore të elektoratit që ka AAK-ja në Deçan, si një partitë e koalicionit fitues të atyre zgjedhjeve. Një shembull i ngjashëm është me komunën e Podujevës, e cila në legjislaturën aktuale përfaqësohet nga tetë deputetë. Numri kaq i madh i deputetëve nga kjo komunë ka pak a shumë shpjegimin e njëjtë me rastin e komunës së Deçanit. Për shkak të rritjes së madhe të elektoratit të LVV-së në këtë komunë sidomos nga fitorja e saj në zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës të nëntorit 2020, ka reflektuar njëjtë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Profesionet më të spikatura të deputetëve

Shumë rrallë është përfshirë në diskursin publik se çfarë ndikimi mund të kenë faktorë si prejardhja e deputetëve ose formimi i tyre profesionale e akademik në formimin e pikëpamjeve të tyre politike. Mandej, në fushën e studimeve parlamentare ka shumë më pak hulumtime lidhur me mënyrën se si ndikon bagazhi akademik e profesional i ligjvënësve në punën e tyre legjislative.  Në parim është e kuptueshme që përgatitja akademike e profesionale e vendimmarrësve luan një rol kyç në kontributin që ata japin në hartimin e politikave. 

Nëse shohim statistikat sa i përket përgatitje akademike dhe profesionale të deputetëve në tri legjislaturat e fundit, vihet re se katër profesionet më të shprehura në mesin e deputetëve ishin kryesisht jurist/e, politolog/e, mjek/e ose ekonomist/e. Në legjislaturën aktuale këto katër profesione përbëjnë rreth 62% të të gjithë deputetëve, e më një përqindje pak më të vogël, rreth 53% e përbërjes së legjislaturës së VII-të dhe të VI-të kanë ushtruar këto katër profesione. 

Sipas statistikave, në këto tri legjislaturat e fundit më së shumti deputetë kanë ardhur nga fusha e drejtësisë, pasuar nga fusha e ekonomisë, mjekësisë, shkencave politike, për të vazhduar më tej me profesione më pak të shprehura si inxhinieria, gazetaria, pedagogjia etj.

Komisionet parlamentare që janë trupa punuese të Kuvendit përmes të cilave ushtrohet funksioni legjislativ dhe mbikëqyrës, mbulojnë mbi 40 fusha në kuadër të fushëveprimit dhe përgjegjësive të tyre. Në shumicën e komisioneve parlamentare, në secilën prej këtyre legjislaturave që janë subjekt i këtij trajtimi kanë pasur mungesë të ekspertëve në përbërjen e komisioneve parlamentare. Për ta ilustruar më mirë këtë fakt, mund të marrim si shembull Komisionin Parlamentar për Shëndetësi. Sipas procedurave parlamentare, një komision parlamentar ka në përbërje 11 anëtarë, dhe vetëm në legjislaturën aktuale kemi 14 deputetë që vinë nga fusha e mjekësisë. Kjo nënkupton që jo të gjithë deputetët mjekë kanë pasur mundësi që të jenë pjesë e komisionit për shëndetësi, dhe si të tillë kanë qenë të obliguar që të bëhen pjesë e komisioneve të tjera, për të cilat kanë mungesë ekspertize.

Dominimi i vetëm disa profesioneve në mesin e deputetëve, ka bërë që shumë fusha të tjera të mbeten të pa mbuluara me ekspertë. Duke marrë parasysh shumëllojshmërinë e fushave për të cilat Kuvendi si organi legjislativ ka për obligim që të hartojë ligje, mungesa e ekspertizës në fusha më specifike ka ndikim të madh në kualitetin e politikave në këto fusha.