Pas një pauze të caktuar ka rifilluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilën Bashkimi Evropian luan rol ndërmjetësues. Edhe pse janë përmendur data tentative për përfundimin e bisedimeve akoma nuk mund të shihet fundi i tunelit lidhur me arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Nuk ka pasur suksese të mëdha në bisedimet e 7 dhe 8 shtatorit në Bruksel,  të cilat vlerësohen si takime përgatitore për një takim në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vucic. Por ranë dakord që të hapen arkivat për caktimin e fatit të të zhdukurve. Pala kosovare ka paraqitur si çështje prioritare fatin e personave të zhdukur. Ndërsa pala serbe, përveç çështjes së personave të zhdukur ka paraqitur edhe temat tjera që të përfshihen në raundin e ri të bisedimeve siç janë asociacioni i komunave serbe, drejtësia, lëvizja e lirë dhe energjetika.   

Në anën tjetër, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ekziston vullneti për vazhdimin e dialogut. Ç ‘rast realizohen bisedimet teknike dy dhe tre palwshe. Ai tha se nuk është e mundur që Evropa të pranojë situatën ku pas mbajtjes së bisedimeve  mes Prishtinës dhe Beogradit, të arrijnë në konkluzion se nuk mund të arrihet një marrëveshje për shkak të dallimeve të mëdha në qëndrimet e të dy palëve. Pikërisht për këtë arsye, përfaqësuesit e dialogut të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, mbajtën takimet përgatitore.

Tema kryesore është çështja e personave të zhdukur 

Pala kosovare ka treguar se prioritet i saj është përcaktimi i fatit të personave të zhdukur dhe nuk ka ndërmend të merret me asgjë tjetër. Zëvendëskryeministri përgjegjës për dialog, Besnik Bislimi tha se janë pajtuar me palën serbe për hapjen e të gjitha arkivave, përfshirë edhe arkivin e Kosovës për UÇK-në. “Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton që të hapen edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Mendoj që kjo fillimisht është në interesin tonë për arsye se shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1,600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha Bislimi.

Megjithatë, nga opozita në Kosovë ka pasur reagime ndaj këtij kompromisi. U krijuan polemika se për cilat arkiva të UÇK -së bëhet fjalë. Nënkryetarja e PDK -së, Vlora Çitaku, duke thënë se kjo është një grackë e rrezikshme ka pyetur se për cilin arkiv bëhet fjalë. Çitaku tha se arkivat e Serbisë të mbajtura për UÇK-në tashmë janë në Hagë. Ajo ka pyetur nëse bëhet fjalë për arkivat e UÇK-së apo për arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në. Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se reagimet e vrullshme dhe me sulme ofenduese janë të pajustifikuara dhe pretendoi se ato reagime treguan pse përpos çështjes së të zhdukurve, shumë gjëra në Kosovë mbetën të pazgjidhura prej pas luftës e deri më sot. Kusari – Lila tha se në projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së që u soll në Parlament përmendën arkivat e UÇK-së.  Nëse nuk ka një arkiv të tillë të UÇK-së, atëherë duhet të japin sqarime ata që e kanë shtuar në projektligj, tha Kusari – Lila.

Personat e zhdukur si plaga e pashëruar e të gjitha luftërave

Pas gjitha luftërave, për një paqe të qëndrueshme kërkohet procesi i konfrontimit, faljes dhe pajtimit midis palëve për ngjarjet që kanë ndodhur në luftë. Është e vështirë të arrihet ndonjë përparim drejt paqes dhe pajtimit përderisa ka njerëz që fati i tyre akoma nuk është përcaktuar dhe ata identifikohen si persona të zhdukur në luftë. Sipas burimeve të Kryqit të Kuq, 13,500 njerëz humbën jetën në luftën midis UÇK-së dhe forcave serbe në Kosovë në viteve 1998 dhe 1999. Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) bëri studimin më të detajuar mbi viktimat dhe rrëmbimet e luftës. Sipas raporteve të FDH-së, të njohur me emra dhe mbiemra saktësisht 13.518 persona kanë humbur jetën. 76% e të vrarëve ishin civilë. Nga këto viktima, 10.794 u përkasin shqiptarëve, 2.197 serbëve dhe 527 pjesëtarëve të komuniteteve etnike të tjera. Pas luftës, në bazë të aplikimeve të bëra në Kryqin e Kuq, gjithsej 6.057 persona u shpallën të zhdukur. Fati i shumë njerëzve u përcaktua në mbetjet mortore në varrezat masive të gjetura më vonë. Sot, 1647 persona trajtohen si të zhdukur, fati i të cilëve akoma nuk është përcaktuar. Nga të zhdukurit, 1227 janë shqiptarë dhe 420 janë serbë. Sipas pretendimeve të pakonfirmuara, një pjesë e trupave të personave të zhdukur janë djegur në furrat e minierave në Trepça dhe në Bor.

Si do të vazhdojë dialogu?

Pritet që të arrihet marrëveshje gjithëpërfshirëse në nivelin politik, kur arrihet një konsensus për çështjet e diskutuara si rezultat i bisedimeve teknike. Sidoqoftë, të dyja palët pajtohen se për momentin nuk janë pjekur kushtet për të aranzhuar një takim midis Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç. 

Në anën tjetër, pavarësisht thirrjes së Departamentit të Shtetit të SHBA-s, administrata e Prishtinës dhe e Beogradit nuk duken të gatshme të zgjasin moratoriumin nga Marrëveshja e Uashingtonit. Sipas këtij moratoriumi, pala kosovare nuk do të bëjë përpjekje të reja për t’u bërë anëtare në organizata ndërkombëtare; ndërsa pala serbe nuk do të angazhohej në fushatë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Mosarritja e vazhdimit të afatit të moratoriumit sinjalizon se të dyja palët do të ndërmarrin iniciativa në këtë drejtim. Këto nisma të reja do të ndikojnë gjithashtu në procesin e dialogut.

Bisedimet për një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe të Serbisë filluan në vitin 2011. Synimi i këtij dialogu është që të arrihet një marrëveshje politike përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse pas marrëveshjeve të shumta teknike. Pala kosovare pret që marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen e pavarësisë, ndërsa pala serbe mban qëndrimin e saj për të refuzuar njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.  

© PRIZMA MEDIUM