A ËSHTË NDRYSHIMI KLIMATIK FAKTOR I FILLIMIT TË PANDEMISË?

Në një studim të publikuar disa muaj më parë, studiuesit/et shqyrtuan nëse ndryshimi i klimës mund të ketë një ndikim në shfaqjen dhe evolucionin e koronaviruseve (SARS-CoV-1 dhe SARS-CoV-2) dhe zbuluan se ndryshimi klimatik i shkaktuar nga vetë njeriu mund të ketë luajtur një rol të rëndësishëm në pandemi… Studiuesit/et ekzaminuan se si pyjet e Azisë Juglindore kanë ndryshuar si rezultat i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike dhe si speciet e lakuriqëve të natës janë rritur në rajon. Këta të fundit zbuluan se për shkak të ndryshimeve të vegjetacionit gjatë 100 viteve të fundit, 40 lloje të tjera lakuriqë nate kanë ardhur në zonë, duke bartur me vete 100 lloje të ndryshme të koronavirusit, të cilët burojnë nga lakuriqët e natës. Këta gjitarë strehojnë mijëra grimca të ndryshme virale dhe njihen si rezervuarë virusesh, pasi përmbajnë përqindjen më të lartë të viruseve zoonotike midis të gjithë gjitarëve.

Cynopterus brachyotis Burim: Anton Croos

Studiuesit/et përdorën një sërë të dhënash klimatike për të krijuar një hartë të vegjetacionit të botës nga një shekull më parë. Në fillim të viteve 1900, duke përdorur një lloj të ndryshëm të vegjetacionit, i cili është i kërkuar nga specie të ndryshme të lakuriqëve të natës, ata përcaktuan shpërndarjen globale të këtyre specieve. Më pas e krahasuan këtë me popullatat ekzistuese të lakuriqëve. Përfundimet tregojnë se, në krahasim me çdo rajon në botë, shumëllojshmëria e këtyre kafshëve është më e theksuar në Azinë Juglindore.

Imazhi më poshtë nga studimi tregon se si pyjet e Kinës jugore, Myanmar dhe Laos kanë ndryshuar gjatë shekullit të kaluar, duke rritur habitatet e preferuara të lakuriqëve dhe duke lejuar shtimin e më shumë specieve. Kjo situatë tregon një rritje të diversitetit së lakuriqëve të natës.

Rritja e parashikuar e llojeve të lakuriqëve të natës që nga fillimi i shekullit të 20-të për shkak të ndryshimeve klimatike. Zona e zmadhuar përfaqëson origjinën e mundshme të paraardhësve të SARS-CoV-1 dhe 2 të lindur nga lakuriqët e natës. Burimi: Beyer et al. 2021.

Sipas studiuesve/eve, ndryshimet klimatike si rritja e barishteve dhe pemëve, rrezet e diellit dhe temperaturat e larta, kanë ndryshuar strukturën e vegjetacionit në Kinën jugore, duke i shndërruar shkurret tropikale në savanë tropikale dhe pyje gjetherënëse. Këto ekosisteme të ndryshme janë bërë gjithashtu habitate më të përshtatshme për speciet e lakuriqëve të natës. Studimi e quan këtë rajon në Azinë Juglindore një “pikë të nxehtë globale” për speciet e lakuriqëve të natës dhe tregon të dhënat gjenetike që sugjerojnë se SARS-CoV-2 që shkakton COVID-19 e ka origjinën në këtë rajon. Ky hulumtim është i rëndësishëm pasi ofron provat e para që ndryshimet klimatike mund të luajnë një rol të drejtpërdrejtë në shfaqjen e virusit dhe origjinën e pandemisë.


Megjithatë, sado interesante të jenë rezultatet e këtij studimi, nuk është befasuese apo e papritur të shihet se ndryshimi i klimës ndryshon pyjet, vegjetacionin, habitatet e lakuriqëve të natës dhe popullatat e tyre. Në fakt, jam dakord me këtë studim se viruset gjithashtu mund të përhapen më shpejt, si rezultat i lëvizjes së lakuriqëve të natës (ose specieve të tjera të kafshëve) drejt rajoneve të ndryshme. Pasi si rezultat i këtyre lëvizjeve, kafshët që funksionojnë si nikoqirë, janë të ekspozuar ndaj patogjenëve të rinj dhe janë shumë efektivë në transmetimin e sëmundjeve.

Me sa duket, fakti se ndryshimi i habitateve dhe shtimi i specieve të lakuriqëve të natës, si rezultat i ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike që shkaktojnë drejtpërdrejt shfaqjen e koronaviruseve dhe origjinën e pandemisë, është shumë spekulative! Në studim, ekspertët supozojnë se rritja e diversitetit të lakuriqëve të natës rrit rrezikun e përhapjes së një virusi të lindur nga lakuriqët te njerëzit. Mirëpo, nuk mund të themi se është pikërisht kështu. Për shkak se shumica dërrmuese e lakuriqëve janë të padëmshëm për njerëzit, shtimi i më shumë prej këtyre specieve në një zonë ekzistuese nuk duhet të rrisë aq shumë rrezikun. Edhe pse ky studim është spekulativ për sa i përket lidhjes së drejtpërdrejtë të ndryshimit të klimës me pandeminë, ai mban edhe po aq rëndësi. Por, nuk duhet harruar se për të kuptuar shkallën në të cilën ndryshimet klimatike kontribuojnë në çdo fazë midis infektimit të një lakuriqi që bart virusin dhe një qenieje njerëzore të infektuar, është e nevojshme të përdoren modele epidemiologjike që analizojnë ndërveprimet e virusit dhe specieve të ndryshme në hapësirë ​​dhe kohë!


Se sa ndikim ka ndryshimi i klimës në pandemi, dihet pak. Por më shumë se kaq, çështja e njohur është se rritja eksponenciale e popullsisë njerëzore, shkatërrimi i habitateve të kafshëve të egra, zgjerimi i tregtisë së kafshëve – me pak fjalë, shfrytëzimi i tepruar i natyrës nga ana jonë – rrisin rrezikun e shfaqjes së agjentëve të sëmundjeve infektive, të cilat lehtësisht transmetohen nga kafshët tek njerëzit.


Megjithatë, për shkak të ndryshimeve klimatike në shekullin e kaluar, temperaturat kanë filluar të rriten dhe rutina e reshjeve ka filluar të ndryshojnë në shumë ekosisteme. Reshjet filluan të pakësohen në disa ekosisteme dhe të rriten në të tjera. Këto ndryshime në ekosistem po e ndryshojnë habitatin e shumë specieve dhe mundësojnë që më shumë specie të vijnë në kontakt me njëra-tjetrën. Në këtë rast, potencialisht lejon që viruset të përhapen më lehtë.

Shumica e ekspertëve/eve pajtohen se ndryshimi klimatik ka pasur ndikim në përhapjen e virusit, por mjediset natyrore të degraduara si rezultat i veprimit të drejtpërdrejtë njerëzor, si shpyllëzimi, konsumimi i kafshëve të egra dhe krijimi i tokave bujqësore, mund të lindin një shqetësim të madh dhe të kenë rol më të rëndësishëm. Rreziku i transmetimit të sëmundjeve zoonotike po rritet për shkak të rritjes së zonave urbane, zgjerimit të tokave bujqësore dhe zonave të gjuetisë në habitatet natyrore të kafshëve, të cilat vënë në kontakt në radhë të parë shumë kafshë bartëse patogjene me njerëz.

Edhe pse këta faktorë mund të kenë një ndikim më të madh në shfaqjen dhe përhapjen e virusit, ne nuk duhet t’i nënvlerësojmë ndryshimet klimatike. Ndryshimi i klimës mund t’i shtyjë kafshët që bartin sëmundje, të jetojnë në rajone të tjera; me fjalë të tjera, ndryshimi i klimës mund t’i sjellë patogjenët më afër njerëzve. Për më tepër, një specie bartëse e virusit mund të lëvizë në habitatin e një specie tjetër, ku virusi mund të kalojë më pas. Në disa raste, rritja e temperaturës si rezultat i ndryshimeve klimatike mund ta rrisë tolerancën e viruseve ndaj nxehtësisë, gjë që mund të rrisë shkallën e infeksionit sepse një nga sistemet tona mbrojtëse parësore kundër sëmundjeve infektive është rritja e temperaturës së trupit tonë (ethet).


Edhe pse ideja se ndryshimi i klimës si shtytësi i pandemisë aktuale të koronavirusit është i diskutueshëm, ekziston një konsensus i gjerë se ndryshimi i klimës do të shkaktojë sëmundje infektive dhe pandemi tjera në të ardhmen. Në realitet, ndryshimi i klimës do ta ndryshojë shpërndarjen gjeografike të specieve që shkaktojnë sëmundje, të cilat do të mbivendosen me speciet që nuk janë mbivendosur më parë. Këto ndërveprime të reja do të ofrojnë mundësi të rrezikshme për përhapjen dhe zhvillimin e viruseve e të patogjenëve të tjerë.

© PRIZMA MEDIUM

Burimi:
Robert M.Beyer, Andrea Manica, Camilo Morac. 2021. Shifts in global bat diversity suggest a possible role of climate change in the emergence of SARS-CoV-1 and SARS-CoV-2. Science of The Total Environment. Volume 767. (https://doi.org/10.1016/j.scitotenv.2021.145413).