Qytetet mund të përkufizohen si një tërësi hapësirash fizike ku njerëzimi ka lënë gjurmët më të mëdha gjatë gjithë historisë dhe ku shoqëritë e ndryshme pasqyrojnë arritjet dhe sfondin e aspektit kulturor. Në fakt, qyteti identifikohet si simbol i qytetërimit, madje edhe fjala ‘civilization’ që do të thotë qytetërim në anglisht, rrjedh nga fjala ‘civitaz’ që do të thotë qytet në latinisht. Me fjalë të tjera, kuptimi themelor i qytetërimit është një shoqëri e përbërë nga qytete. Në anën tjetër, qytetet që veprojnë si urë lidhëse midis së shkuarës dhe së ardhmes, përveç strukturave të dukshme fizike përmbajnë edhe struktura të ndryshme kulturore dhe fetare si: monumentet, rrugët, hapësirat urbane, sheshet,  të cilave u atribuohet edhe një shtresë semantike që zhvillohet dhe pasurohet me kalimin e kohës. Kjo shtresë semantike është formuar nga kujtesa kolektive e shoqërisë që ka jetuar dhe jetojnë në qytet, si rezultat i ndërsjellë i një sërë elementesh siç janë historitë e ndryshme, përrallat, epika-t, këngët, vajtimet apo ritualet, të cilat bashkojnë njohuritë e kaluara me brezat e rinj, duke i dhënë qytetit një karakter unik dhe duke u dhënë njerëzve ndjenjën e përkatësisë. Në periudhën romake, kjo shtresë përkufizohej si ‘Genius Loci’ (shpirti i qytetit), që do të thotë shpirti mbrojtës. Fryma e qytetit, në fakt ekziston me marrëdhënien e fortë midis shoqërisë dhe qytetit. Këto përkufizime, në fakt janë paraqitur për të kuptuar dhe përshkruar ngjashmërinë e qyteteve, dallimin e tyre nga njëra – tjetra dhe përkufizimin e atmosferës unike për secilën prej tyre. 

Në këtë pikë, kur fokusohemi te qyteti i Prizrenit, për ta njohur qytetin, për ta shqyrtuar frymën e këtij qyteti dhe për të vënë në dyshim çështje të ndryshme, është e rëndësishme të kuptojmë dhe të zbulojmë tiparet e ndryshme të cilat e bëjnë Prizrenin, Prizren. Para së gjithash, siç paraqitet edhe në qytetet e tjera, prej shekujsh ekziston një lidhje e fortë me të kaluarën, e cila paraqet strukturën urbane dhe trashëgiminë kulturore, duke mos harruar se elementet që e përcaktojnë Prizrenin dhe e bëjnë atë unik në fakt janë transformuar nga momentet e rëndësishme të thyerjes, luftërat dhe ndërhyrjet e autoriteteve vendore dhe globale.  Megjithatë, një pikë tjetër ku duhet të përqendrohemi është se a mund të flasim ende për një qytet unik pas rezultatit të këtyre transformimeve? Kësaj pyetjeje do t’ia gjejmë përgjigjen. 

Kështu, mund të flitet për shumë qytete të botës të cilat nuk kanë histori për nga vlerat e trashëgimisë kulturore dhe historike dhe ku tentohet të krijohet një mit urban dhe kombëtar me struktura të reja ikonike. Qytetet manipulohen qëllimisht për të krijuar një imazh të caktuar ose për të ndryshuar imazhin e mëparshëm, siç mund të shihet në shumë shembuj nga Los Angeles në SHBA, apo Dubai, Abu Dhabi dhe shumë shembuj të ngjashëm nga vendet e Gjirit. Në këtë kuptim, mund të thuhet se Prizreni në momente të caktuara ka qenë i ekspozuar edhe ndaj ndërhyrjeve të qëllimshme edhe të paqëllimshme. Prizreni, i cili gjatë historisë ka qenë nën ndikimin e perandorive dhe mbretërive të ndryshme, elementët që e bëjnë unik nuk janë ‘ekzistenca’ e ndërtesave të caktuara, por ‘bashkësia’ e tyre. Elementi kryesor që i jep shpirt Prizrenit dhe e bën Prizrenin ‘Prizren’ është bashkëjetesa e ndërtesave që ruajnë informacionin historik të qytetit dhe mbi të cilat kodohen akumulimet kulturore (multikulturore) dhe intelektuale të qytetit, ku këto struktura janë të pozicionuara sikur po veprojnë me gjeste ndaj njëra-tjetrës dhe në fakt ndërveprojnë si vizualisht ashtu edhe semantikisht.

Nga ana tjetër, vlerat e përfaqësuara nga hapësirat urbane janë gjithashtu të rëndësishme për të lexuar dhe kuptuar qytetet. Për ta thënë më qartë, edhe nëse një qendër prodhimi nuk i shton strukturalisht një vlerë estetike qytetit, ajo pasqyron refleksin e ‘prodhimit’ të ngulitur në kodet gjenetike të qytetit dhe në këtë pikë siguron që të mos harrohet, po ashtu vlen të kujtojmë se gjatë historisë Prizreni është njohur si ‘qendër prodhimi, zejtarie dhe arti’ , ndërsa vitet e fundit ka filluar të marrë një imazh krejtësisht të kundërt të kësaj tradite.

Megjithatë, transformimet e ndryshme të përjetuara në qytete në procesin historik çojnë në shkatërrimin e hapësirave që përfaqësojnë këto vlera, si dhe shkaktojnë shkatërrimin e kuptimit të simbolizuar dhe informacionin që mban gjallë të kaluarën. 

Në pika të ndryshme sfiduese të Prizrenit,  veçanërisht gjatë luftërave, qyteti ishte i ekspozuar ndaj transformimeve strukturore dhe semantike. Posaçërisht ndërhyrjet e sotme urbane dhe transformimet e mëdha po dëmtojnë qytetin dhe po krijojnë situata të ndryshme në kundërshtim me frymën e tij.

Në këtë pikë, çështja që duhet të shqyrtohet është se si duhet të ruhen vlerat që e bëjnë Prizrenin ‘Prizren’, brendësinë e qytetit ku jetojmë dhe marrim frymë. Për këtë, para së gjithash, duhet të fokusohemi tek transformimet që ka pësuar Prizreni, veçanërisht transformimet hapësinore dhe semantike të përjetuara në kalimin shumë të shpejtë nga socializmi në kapitalizëm si dhe ‘kujtesa e re urbane’ e cila ka filluar të formohet nga ndërhyrjet e ndryshme urbane.

Megjithatë, ‘si mund të parandalohen transformimet?’, ‘çfarë masash mund të marrë bashkia?’, cilat metoda janë përdorur në shembuj të ngjashëm në mbarë botën?’ përgjigjet e pyetjeve të tilla duhet kërkuar dhe kështu duhet shmangur rreziqet që e presin Prizrenin në të ardhmen. Në këtë aspekt, gjëja më e rëndësishme që duhet bërë është t’i shpjegojmë shoqërisë se qytetet u përkasin atyre që jetojnë në të dhe të aplikohen procese për zgjidhje ndaj problemeve të mundshme. Këto vepra do të jenë të vlefshme për ruajtjen e shpirtit të qytetit dhe parandalimin e shkatërrimit të tij.

© PRIZMA MEDIUM