✎ Hadis Abdula

Nevoja për strehim ka qenë një domosdoshmëri e vazhdueshme gjatë gjithë historisë njerëzore. Në fillim shpellat, më pas strukturat e thjeshta prej druri dhe balte plotësuan nevojën për banim, por me zhvillimin e qytetërimeve, struktura e shtëpive dhe përmbajtja materiale e tyre filloi gjithashtu të përmirësohej. Megjithatë, mënyrën e ndërtimit të shtëpive e kanë ndryshuar edhe historitë botërore si dhe periudhat e ndryshme socio-kulturore dhe ekonomike. Nga ana tjetër, luftërat botërore në veçanti shkaktuan kriza strehimi në kuptimin global dhe luajtën një rol të rëndësishëm në zhvillimin e parafabrikimit, i cili është i njohur edhe sot. Një faktor tjetër që nxiti rritjen e krizës së strehimit në fillim të shekullit të 20-të ishte hapja e fabrikave në qendrat e qyteteve dhe rritja e migrimit nga fshatrat në qytete. Në këtë kuptim, është e mundur të flitet për një krizë strehimi në mbarë botën, veçanërisht në shekullin e kaluar. Sidomos në vitet e fundit, me rritjen e urbanizmit parashikohet që 70% e popullsisë së botës do jetojnë në qytete deri në vitin 2050, kjo tregon se problemi aktual i strehimit do vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen. Në këtë kuptim, rritja e çmimeve të materialeve, punës dhe pronës janë në themel të krizës së strehimit. Këto arsyeje i bëjnë vendet e strehimeve të paarritshme.

Duke qenë se migrimi drejt qyteteve nuk do të ndalet dhe artikujt që përmendëm nuk do të bëhen më të lira, është e qartë se nevojiten metoda të reja për tejkalimin e kësaj krize. Kjo përmbajtje do të përpiqet të përpilojë disa studime alternative të kryera në periudha të ndryshme në mbarë botën për të parandaluar krizën e strehimit dhe për ta bërë strehimin e qasshëm.

Walter Segal – Bëje vetë shtëpinë – DIY House

Puna ‘DIY House’ e zhvilluar nga Walter Segal më 1979, megjithëse relativisht e vjetër, meriton të rishikohet pasi lëvizja ‘DIY’ është ende e njohur sot. Ky studim, i cili nuk ka nevojë për ndonjë teknologji të avancuar dhe përpiqet të parandalojë problemin e strehimit me transparencën e procesit të projektimit, propozon shtëpi shabllone që mund të transformohen sipas dëshirave të përdoruesve duke përdorur një sistem modular me kornizë druri. Projekti i Segal-it ka një anë revolucionare: sistemi i thjeshtë dhe me kosto të ulët i strehimit i bëri shtëpitë të qasshme dhe shfaqi një qasje pjesëmarrëse duke përfshirë përdoruesit në procesin e prodhimit. Në këtë kontekst, synimi kryesor i Segal-it është të thjeshtojë procesin e projektimit dhe ndërtimit, të krijojë një projektim dhe proces për ndërtimin e shtëpive me kosto të ulët që edhe përdoruesit e papërvojë mund ta bëjnë vetë.

Alejandro Aravena – Gjysmë shtëpi (Half a House)

Arkitekti kilian Aravena, fitues i çmimeve Pritzker 2016, shquhet me projektet e tij të strehimit social dhe projektin e tij Gjysmë – shtëpi, e cila ofron një alternativë të thjeshtë ku përpiqet të shmangë problemin e strehimit. Aravena përdori pamjaftueshmëritë e mundësive që i ofron shteti, në projektet e strehimit social, duke mbyllur hendekun e strehimit si një input që formëson procesin e projektimit. Meqenëse nuk është e mundur të ndërtohen shtëpi të mjaftueshme për të gjithë, ai hodhi idenë e ndërtimit të gjysmë shtëpive për të gjithë. Me këtë propozim u ndërtuan dy herë më shumë shtëpi nga sa parashikohej nga buxheti i dhënë, gjysma e shtëpive u kornizuan dhe u lanë bosh. Këtë boshllëk mund ta plotësojë pronari me kohë. Kështu, një numër i madh njerëzish u bënë pronarë shtëpish dhe ishin në gjendje të projektonin disa nga shtëpitë e tyre sipas dëshirës. Nga ana tjetër, Aravena dhe zyra e tij ‘Elemental’ demokratizuan procesin e projektimit, duke postuar në internet pa pagesë të gjitha diagramet e prodhimit të këtyre dizajneve. Aravena dhe zyra ‘Elemental’ e përshkruajnë qasjen e tyre si më poshtë: “duke pasur parasysh përmasat e mungesës së strehimeve, ne nuk mund ta zgjidhim këtë problem pa shtuar burimet e njerëzve dhe ngritjen e kapaciteteve të shtetit dhe të tregut. Kjo është arsyeja pse ne menduam të krijonim një sistem të hapur për të kombinuar të gjitha forcat në dispozicion. Në këtë mënyrë, njerëzit do të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit.”

Alastair Parvin – Shtëpia Wiki (WikiHouse)

Me dizajnin e tij WikiHouse, Alastair Parvin u përpoq të krijonte një prototip strehimi me kosto të ulët dhe të qasshëm. Në këtë kuptim, WikiHouse tërheq vëmendjen si një propozim që përdor teknologjinë në maksimum.  WikiHouse është një projekt i zhvilluar për të mundësuar këdo që të projektojë dhe prodhojë shtëpi me buxhet të ulët, me performancë të lartë dhe të personalizuar me anë të printerëve dhe montimit në vend. Duke u përpjekur ta mbajë procesin e prodhimit mjaft të thjeshtë, projekti ka nevojë vetëm për makinë CNC dhe kompensatë; me vizatime të gatshme priten pjesët dhe procesi i ndërtimit zhvillohet falë elementëve të ndërthurura. Sipas Parvin, WikiHouse në vend që të ketë një lloj strukture të vetme në fakt përbën një gjuhë kodimi në planin fizik, falë sistemit të tij të qasshëm dhe të transformueshëm.1 Me këtë aspekt, projekti WikiHouse heq hierarkinë e projektuesit dhe e transferon procesin në kontrollin e përdoruesit, duke i lejuar të gjithë të prodhojnë projekte sipas dëshirës me sistemin bazë të projektuar, po ashtu bëhet sigurimi i infrastrukturës për tejkalimin e problemeve të shpërndarjes dhe qasjes si rezultat i përdorimit të teknologjisë së bashku me një sistem modular, në të njëjtën kohë duke lejuar shoqërinë të transformojë dhe përditësojë dizajnet.2

Space10 (IKEA) – A Playful Research Project (Projekti hulumtues argëtues)

Qëllimi i Space10 është të vëzhgojë vazhdimisht botën e sotme në kontekstin ekonomik, sociologjik dhe në kontekstin e burimeve të përdorura, dhe të punojë drejt marrjes së masave paraprake për të ardhmen. Të dhënat e marra nga këto studime përdoren për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë lloj dizajnesh nevojiten për një jetë më të mirë. Popullsia gjithnjë në rritje, rritja e dendësisë së popullsisë në qytete dhe konsumi i burimeve të ndryshme paraqesin një tablo shqetësuese për të ardhmen. Për këtë arsye Space10, me një platformë online bashkon njerëz me ide nga e gjithë bota dhe me anë të bashkëpunimit përpiqet të krijojë dizajne inovative. Në këtë kontekst, projektet e prodhuara shpërndahen në mënyrë të hapur për të gjithë, modifikohen dhe transformohen me komente dhe sugjerime.  Me fjalë të tjera, Space10 përpiqet të përdorë të menduarit arkitektonik me burim të hapur për të kapërcyer krizën globale të strehimit dhe për të dizajnuar shtëpitë mirë dhe me kosto të ulët për të gjithë. Një nga studimet aktuale në vazhdim është projekti ‘A Playful Research Project’ nën titullin Building blocks-one machine+one material=one space, i cili u mbajt nga studentët danezë Johanne Holm-Jensen dhe Mia Behrens. Ky projekt, si projektet e tjera pioniere, synon të prodhojë shtëpi me kosto të ulët duke përdorur vetëm kompensatë dhe CNC. Në këtë mënyrë, çdo person mund të shkarkojë skedarë të ndarë, t’i rregullojë ato sipas rajonit të tij dhe të ndërtojë shtëpinë e tij pas prerjes së materialit. Megjithatë, projekti i publikuar është larg të qenit një projekt përfundimtar; projekti mund të zhvillohet duke përdorur komente dhe sugjerime të jashtme si prototip ose, më saktë, duke përdorur kreativitetin dhe ekspertizën kolektive të botës, projekti mund të evoluojë, të zvogëlojë kostot, të bëhet më efikas në energji, të modularizohet dhe në fund të demokratizojë shtëpitë e së ardhmes.

© PRIZMA MEDIUM

1Ratti C. & Claudel M. (2014). Open Source Architecture. Thames Hudson
2Sanchez, J. (2014). POST-CAPITALIST DESIGN: Design in the Age of Access , University of Southern California, Paradigms Of Computing, ACADIA 2014