✎ Esin Muzbeg

Ne e dimë se media është një mjet komunikimi; po ashtu, ne e dimë që ky mjet shpërndan disa mesazhe… Ndërkaq, është e rëndësishme pytetja: pse njerëzit mendojnë ndryshe edhe në kohën kur marrin mesazhe të njëjta, nga të njëjtat mjete të komunikimit? Për më tepër, mesazhe të ndryshme shpërndahen nga mjetet e shumta të komunikimit. A nuk është ky një mendim absurd? Jo! 

Le të shohim fillimisht mesazhet mediatike dhe më pas t’i lexojmë ato. Mediat nuk i ndërtojnë mendimet tona, ato më tepër na udhëzojnë se çfarë duhet të mendojmë. Përmbajtjet që përhapin mesazhet politike, nuk kanë shumë efekt për të përcaktuar se për cilën parti politike duhet ta votojmë ose çfarë darke duhet të hamë jashtë. Por, tashmë është përcaktuar që brenda një sistemi demokratik duhet votuar.   

Momentin kur përdorim një kanal mediatik është momenti kur kanali mediatik na përdor neve. Njësoj sikurse dashuria: reciproke. Kjo është edhe arsyeja pse pasionohemi. Kështu funksionojnë sistemet e komunikimit në rendet ekonomike të vendosura brenda kornizës së politikave liberale. Në sisteme të tjera jo-liberale, hyn në lojë një proces propagandistik më i ashpër. Megjithatë, ne marrim informacionin e nevojshëm dhe materialet argëtuese nga kanalet mediatike dhe i përpunojmë në botën tonë të brendshme, pa pasur nevojë për propagandë të ashpër. Ndërkohë, media na profilizon dhe na mundëson që në jetën tonë reale të takohemi me produktet që i shohim në botën vitruale. 

Pamja e shtëpive tona, mënyra e jetesës, ushqimet që na pëlqejnë, marka e çorapeve apo stili i flokëve tona, po bëhen gjithnjë e më të njohura për ne. Pra, ne vazhdojmë të jetojmë në një botë që është e njohur për ne. Prandaj pyetja se kush është më vendimtar në këtë marrëdhënie (nëse ne përdorim median apo ajo na përdor neve) është ende e diskutueshme. Në këtë debat, media është mjaft e suksesshme në përcaktimin se çfarë duhet të diskutojmë, edhe nëse nuk mund të përcaktojë epilogun e diskutimit. 

Nëpërmjet medias – rendi ideologjik vendos kornizën për atë që duhet të diskutohet. Kështu, liria jonë e diskutimit dhe e kritikës ndaj sistemit kufizohet brenda këtij kuadri. Ndërkohë, rendi ideologjik riprodhohet vazhdimisht përmes medias. Padyshim që përveç medias ka edhe mjete të tjera ideologjike. Por në këtë proces riprodhimi, media është një nga mjetet më të rëndësishme për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit dhe për ta bërë të padukshme ideologjinë. Sepse përmes medias ndërtohet një histori e ëmbël  dhe shumë e njohur për ne.  

Megjithatë, historia e krijuar nga mediat nuk përceptohet në mënyrë të njëjtë nga të gjithë. Audienca nuk e merr çdo mesazh në mënyrë të drejtpërdrejt. Ajo kalon përmes njohurive të shumta individuale, botëkuptimeve, gjykimeve e vlerave dhe filterit kognitiv. Stuard Hall e përkufizon atë si lexim dominues, lexim diskutues dhe kundër – lexim. Sipas Hall, çdo përmbajtje (çdo mesazh) paraqitet duke u koduar; edhe kur ajo arrin te lexuesi/ja kodi hapet dhe fillon të lexohet. 

Leximi dominues i referohet pranimit të mesazheve të dërguara pa refuzim. Leximi diskutues përfshin një pranim të pjesshëm. Kundër – leximi është një formë leximi në të cilën mesazhet e dërguara refuzohen. Le të japim shembull për këto stile të leximit nga filmi që të gjithë ndoshta e njohin, filmi “The Godfather”. Sipas leximit dominues: Në episodin e parë të filmit “The Godfather”, Marlon Brando (Don Vito Corleone) është një gangster që lufton padrejtësinë. Çfarëdo që ai bën, e bën për të mbrojtur veten dhe familjen e tij. Është kundër drogës. Kjo  mund të lexohet si një vlerësim kur mesazhet merren në mënyrë pozitive. Në anën tjetër, për dikë që shikon të njëjtin film me një lexim të diskutueshëm; disa mesazhe i pranon dhe disa të tjera i refuzon. Për shembull, kur Micheal Corleone kur ulet në karrigen e babait rolin të cilin e luan Al Pacino, është një lider mafioz që lufton padrejtësinë. Megjithatë, ai përdor edhe mjete të paligjshme. Ai është patriot, por përdor imazhin e patriotizmit për t’ju shmangur ndëshkimit. Prandaj, përderisa disa veprime janë të pranueshme të tjerat refuzohen. Ndërkohë, një lexim anti-mafioz ofron një formë të kundërt të leximit për të njëjtin film. Filmi “The Godfather” përpiqet të paraqet një simpati për mafinë duke i hedhur një vështrim nga brenda dhe duke legjitimuar marrëdhënie të tilla. Paraqet një qasje që vlerëson punën e paligjshme.

Në fund të fundit, mesazhet mediatike nuk paraqesin gjithmonë përmbajtje të pastër. Ato krijohen përmes proceseve komplekse dhe shërbejnë për të riprodhuar rendin ideologjik mbizotërues (në këtë shkrim nuk japim asnjë konotacion pozitiv apo negativ ideologjisë). Këto mesazhe lexohen duke u analizuar përmes gjykimeve, vlerave, botëkuptimeve dhe besimeve të njerëzve. Jo të gjithë marrin ose pranojnë mesazhet në të njëjtën mënyrë. Por secili/secila gjen gjithmonë një histori që i pëlqen. Mediat janë shumë të mira për ta paraqitur këtë. Nuk është e rëndësishme të dëgjosh histori, por të zgjedhësh atë që të përshtatet më së shumti. Të harrosh është shumë më e vështirë se sa të mësosh – dhe krijimi i një kujtese të gabuar është shumë e vështirë për t’u korrigjuar.

© PRIZMA MEDIUM