✎ Adelina Hasani

Përtej kufijve fetarë, etnikë, kulturorë, qytetet janë të mbushura me kufij gjinorë, që zakonisht janë të padukshëm. Qyteti është plot me barriera gjinore – duke kufizuar vendin, kohën dhe sjelljen në bazuar në rolet gjinore. Shumë shpesh këto kufij janë të padukshëm për shkak se ato janë shndërruar në një normalitet shoqëror. Ashtu siç thekson edhe Yuval Davis normat e përfshirjes dhe/apo përjashtimit në qytet që përkufizohen nga kufijtë e përkatësisë janë zakonisht simbolike, të cilat mund të ndryshojnë sipas nevojave të pushtetit.

Leximi i qytetit nga perspektiva gjinore njëkohësisht paraqet një kritikë feministe të politikës dhe planifikimit urban të zakonshëm, dhe ofron një qasje të re mbi debatet kryesore sociale, urbane dhe mjedisore. Leximi i qytetit nga perspektiva gjinore nënkupton: hapësira urbane të sigurta dhe të përdorshme për gratë dhe vajzat; infrastrukturë publike, transport, qasje në arsim, punësim, dhe në të gjitha shërbimet në mënyrë të barabartë për të gjitha gratë dhe vajzat. Për të siguruar përmbushjen e të gjitha këtyre kritereve dhe për arritjen e një qyteti gjithëpërfshirës, është jetike që gratë të përfshihen në proceset e planifikimit urban.

Dizajni dhe planifikimi tradicional i qytetit shpesh nuk arrin të njohë marrëdhëniet komplekse dhe të pabarabarta midis burrave dhe grave në shoqërinë tonë. Kjo ka bërë që burrat dhe gratë të mos i gëzojnë të mirat publike në të njëjtën mënyrë ose në të njëjtën masë. Dështimi për të përfshirë gratë në planifikimin e politikave për zhvillimin urban është një metodë për t’i bërë të padukshme nevojat dhe kërkesat e tyre specifike. Kjo e drejtë përfshin cilësinë e jetës së grave, si dhe përdorimin e të gjitha hapësirave publike në mënyrë të barabartë. Ajo përfshin po ashtu kërkesën që gratë të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në proceset e projektimit, planifikimit dhe ndërtimit të jetës urbane, si dhe zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve urbane. Ndërkaq, këto kërkesa nuk bëhen vetëm në lidhje me mirëqenien ekonomike, por edhe me pjesëmarrjen e barabartë të grave në jetën politike, sociale dhe kulturore të qytetit.

Sipas një hulumtimi të realizuar në vitin 2021 nga gazeta Prizma Medium për të drejtat e grave dhe vajzave në qytetin e Prizrenit, shihet që gratë në qytetin e Prizrenit nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, veçanërisht në pjesët ku mungon ndriçimi publik. Asnjëherë deri më tani, institucionet komunal nuk kanë arritur që t’i reflektojnë nevojat konkrete të grave në qytet. Për më tepër, gratë nuk ndihen të përfaqësuara në qytet; nuk ka asnjë statujë apo përmendore të grave në qytet, po ashtu ka shumë pak emra të rrugëve që u takojnë grave. Mungesa e përfaqësimit të grave në qytet minon kontributin e grave në zhvillimin ekonomik, social dhe politik të qytetit. Kjo vjen edhe si rezultat i sistemit patriarkal shumëvjeçar ku hapësirat publike janë trajtuar si hapësira që i takojnë vetëm burrave, ndërkaq gratë i “shfrytëzojnë” këto hapësira vetëm përkohësisht.

Gratë, po ashtu janë të përjashtuara nga tregu i punës në qytet. Nuk ka planifikim politik të qëndrueshëm për kyçjen dhe aktivizimin e grave në tregun e punës. Mbështetja e bizneseve në pronësi të grave ka qenë zakonisht simbolike. Mbështetja ekonomike që ofrohet për gra nga komuna bëhet zakonisht për disa profesione që sterotipizohen si profesione të grave. Kjo ka treguar që nuk ka politika komunale me qasje bazuar në barazi gjinore. Ndërkohë, mungesa e vizionit për aftësimin dhe integrimin e grave në tregun e punës, ka prekur sidomos gratë e shtresës së varfër. Veçanërisht në periudhën e pandemisë, gjendja e sigurisë së grave në hapësira publike, ashtu sikurse gjendja ekonomike dhe sociale është rënduar.

Diskriminimi ndaj të drejtave të grave dhe vajzave në qytet janë shumë dimensionale, dhe për ta trajtuar atë drejtë, kërkohen politika që në thelb kanë perspektivën gjinore.

© PRIZMA MEDIUM