Foto: Elmedina Arapi/DokuFest

Alba, keni filluar si vullnetare në Dokufest, ndërsa sot jeni producente e Festivalit. Le të fillojmë nga lidhja midis Dokufestit dhe vullnetarizmit.

Në periudhën kur fillova unë, si çdo brez tjetër edhe ne u ndjemë shumë të emocionuar. Ishte një prioritet shumë i rëndësishëm. Ishte si të kalosh me sukses në një provim. Mundoheshim të gjenim ndihmë prej familjarëve dhe shoqërisë sonë. Kishim emocion shumë të madh. Ne përpiqeshim të bënim diçka për veten dhe për qytetin tonë, po ashtu dëshira jonë ishte të njiheshim me njerëz të rinj, të krijonim miqësi dhe mundësi të reja. 

Kemi punuar në objektin e kinemasë së Lumbardhit në edicionin e 7-të, të 8-të dhe të 9-të. Shkonim në orët e hershme të mëngjesit dhe e pastronim vendin. Në atë kohë nuk ishte krijuar ende fondacioni i Lumbardhit. I gjithë emocioni ynë ishte kthyer në shpëtimin e ndërtesës së Lumbardhit. Punonim aty në errësirë​, i prisnim biletat për fytyra të reja që nuk i kishim parë më herët dhe për njerëzit që vinin jashtë Prizrenit. Dhe një kohë ftuam njerëz nga pjesë të ndryshme të qytetit që të firmosnin për Lumbardhin. Në atë kohë koordinator ka qenë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai thoshte ‘Lumbardhi është i yni, nuk mund ta lëmë të shkatërrohet, duhet ta shpëtojmë’, ne aq shumë u dhamë pas kësaj, saqë mendonim se po të vinte puna deri te ardhja e makinave për ta shkatërruar Lumbardhin, ne do të lidheshim me zinxhirë pas kësaj ndërtese. Dokufesti na mësoi aktivizmin. Në shkollë apo në familje nuk mund ta mësonim këtë. Ta mbrojmë të drejtën në grup, si dhe bashkë me njerëz të tjerë, të jemi në gjendje të bëjmë diçka për qytetin dhe veten tonë; pra Dokufesti na mësoi se si të luftojmë. Në këtë festival çdo vit ka rreth 100-150 vullnetarë. Përveç periudhës së festivalit, ky festival pati efekt të krijimit të një komuniteti. Sot, Dokufesti është ndër festivalet me numrin më të madh të vullnetarëve në Evropë. 

Para edicionit të dhjetë të Dokufestit, gjatë ardhjes nga pushimi më kapi një virus dhe isha shumë e sëmurë. Një muaj nuk u shërova. Ndihesha shumë keq, të gjithë ishin jashtë kurse unë nuk mund të merrja pjesë. Një ditë pas marrjes së infuzionit, mora në dorë një biskotë dhe shkova në Lumbardh për të parë një film. Nuk kisha menduar se dhjetë vjet më vonë do merrja pjesë në skenë si producente e festivalit për të dhënë çmime.

Foto: DokuFest

Biseduam për periudhën si vullnetare. Epo, nëse e shikoni nga sot si producente e festivalit dhe periudhën kur keni punuar si vullnetare, a mund të na tregoni për DokuFestin nga të dyja këndvështrimet?

Të them të drejtën dy periudhat ishin shumë, shumë të mira. Sot, ndonjëherë punoj me njerëz që kam takuar gjatë periudhave kur punoja si vullnetare e asistente, si dhe me njerëz të ndryshëm. Por mund të them se DokuFesti ka një frymë aktivizmi. Nëse e krahasojmë festivalin me kohët e mëparshme, mund të them se festivali është rritur dhe zhvilluar. Në ekipin tonë ka njerëz që sikurse unë kanë filluar si vullnetarë dhe ata që vijnë nga e kaluara. Sigurisht që nuk e kam fjalën për ekipin themelues, e kam fjalën për gjeneratën e dytë. Unë punoj 8 vite, ndërsa ka nga ata që punojnë 10 vite e më shumë. Shohim që në edicionet e fundit kemi filluar të punojmë në mënyrë më të kontrolluar. Problemet që na shoqërojnë janë gjithmonë të njëjta, problemet e përkrahjes…por organizata ka formuar një themel të fortë. E dini se filmat mbahen shumica në ambient të hapur, dhe tani po e jap shembullin këtu; nëse prishet moti ne i kemi të planifikuara alternativat qysh më herët. Tani jemi shumë më profesional. Po ashtu dua ta theksoj edhe njëherë se festivali është rritur.

Në intervistën time me Eroll Bilibani, ai tha se transferimi i njohurive është një pjesë shumë e rëndësishme e DokuFestit. Çfarë dëshironi të thoni për transferimin e njohurive?

Mund të them lehtësisht se qysh në fillim ndikimin e rritjes së festivalit dhe organizimit e bëri puna e ekipit, si dhe sot faktori më i rëndësishëm në marrjen e një dimensioni të ri është transferimi i njohurive. Transferimi i njohurive tek ne nuk kufizohej vetëm në mënyrën se si punohej, një pjesë e rëndësishme e transferimit të njohurive ishte edhe përshtatja me mesazhin dhe filozofinë e DokuFestit. Është e qartë se një festival filmi, i cili u krijua në një qytet pa kinema, tashmë ka prekur shtresa të ndryshme. Përtej një festivali nëntëditorë, u zhvilluan programe në shtresa të tjera dhe në komuna të ndryshme. Disa projekte janë shembull edhe për disa organizata të tjera në rajon.

Foto: DokuFest

Ne folëm për transferimin e njohurive, por në vitin tuaj të parë erdhi pandemia. Çfarë lloj eksperience ishte kjo?

Mund të përshkruaj përvojën time personale. Nita (Deda) ka përfunduar edicionin e 18-të dhe këtë detyrë e kam marrë në dhjetor të vitit 2019. Me ardhjen time në detyrë, filluam të vizatojmë një rrugë për edicionin e ardhshëm. Deri në muajin mars me pretekst për t’u njoftuar, së bashku me Linda (Lulla), kemi bërë vizita si dhe jemi takuar me njerëz të ndryshëm. Por krejt papritur, në fund të marsit, arritëm në një pikë ku askush nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte dy javë më vonë. Ato javë – me kohë – u shndërruan në muaj. Filluam takime me Zoom. Atmosfera e Dokufestit dihet. Njerëzit vijnë prej vendeve të ndryshme për këtë atmosferë dhe qyteti nuk fle pothuajse 24 orë. Askush nuk e dinte se si do ta krijonim këtë atmosferë me anë të internetit. Ka pasur shembuj të tjerë në Evropë, mirëpo kjo ka të bëjë edhe me kulturën e vendit ku jetojmë. 

Kishim një stres të madh, nuk e dinim se sa njerëz do të uleshin para kompjuterëve të tyre dhe do të shikonin filma. Askush nuk mund të na jepte një garanci se ne mund të kishim sukses në internet. Ne filluam të hulumtonim. Xhaxhi (Veton Nurkollari) filloi të hulumtojë edhe festivale të tjera. Realizuam takime në Zoom. Secili filloi t’i tregojë përvojat e veta. Kishte edhe festivale tjera që duhej ta zhvendosnin festivalin në online brenda pak ditësh. Situata jonë ishte më e mirë se e tyre, pasi kishim më shumë kohë.

Pra, nga opsionet e juaja a ishte ndonjëra për anulim të festivalit?

Këtë mund ta lidhim me aktivizim. Edhe nëse botës do i vinte fundi, ne do ta organizonim atë festival. Anulimi as nuk bënte pjesë në opsionet tona. Në atë vit punuam në zyre me 25 veta dhe 4 vullnetarë. Dhe në atë vit pas 18 vitesh, përjetuam një festival ku gjithë ekipi për herë të parë punoi bashkë. Sepse në vitet e tjera gjatë kohës së festivalit, ekipi asnjëherë nuk mund të mblidhej në një vend. Secili kishte përgjegjësi të tjera dhe në fund të punës mezi prisinim të shkonim në shtëpi për të pushuar. U krijua një mjedis për ndërtimin e ekipit dhe e zgjatëm festivalin në 21 ditë me rreth 150 filma. Duhej që zonat e sponsorëve  t’i zhvendosnim në hapësira dixhitale. Ishte një proces i vështirë për ne sepse mirëkuptimi ndryshoi dhe kjo situatë për sponsorët nuk ishte e kënaqshme. Me një ekip vetëm prej 25 vetësh, organizuam një festival 21 ditësh. Më shumë se 4000 spektatorë morën pjesë. 

Ndërkohë në internet vijuan edhe shfaqjet muzikore. Kështu që me një sukses të madh ne vazhduam punën tonë. Kishte shumë njerëz që donin të bashkoheshin si shikues, por ne patëm një problem të madh pasi Kosova nuk ka një adresë IP. Problemi i IP-së ekziston ende sot dhe nuk po shoh ndonjë punë serioze për të. Ndërsa bota po shkon drejt dixhitalit, ne ende po përballemi me probleme absurde.

Disa nga filmat u shfaqën edhe në kafene, si u zhvillua kjo ide? 

Ishte dëshirë e përbashkët nga të dy palët. Një kohë të gjatë ishim në karantinë, kinematë ishin të mbyllura dhe ishte vapë e madhe. Në këtë periudhë dhe në këtë vapë të madhe, nuk menduam se njerëzit mund të rrinin në shtëpi të mbyllur dhe të shikonin filma. Nga kjo lindi ideja për shfaqjen e performancave dhe filmave të shkurtër në kafiteri. Në kafiteri nuk mendonim se mund të shikoheshin filmat me metrazh të gjatë. Sepse në fakt në orën 21:00 njerëzit duhet të ktheheshin në shtëpi. Ndaj menduam që kafenetë do të mbusheshin më shumë, duke organizuar shfaqje në ambiente të përshtatshme si ‘Destill’, ‘BarAca’ dhe ‘Minimale’. Në fakt ndodhi ashtu, njerëzit shkonin në kafene për të shikuar filma.

Foto: DokuFest

Le të vijmë tek viti i 20-të. Viti i njëzetë i DokuFest-it përkoi me vitin kur Kosova në fushën e kinemasë ishte në njëfarë kuptimi më e suksesshme. Çfarë do të dëshironit të thoni për të? A mund të bëjmë një lidhje mes DokuFest-it dhe këtij suksesi të kinemasë kosovare?

Për filmin ‘Pa Vend’ së bashku me Samirin (Samir Karahoda) kishte punuar i gjithë ekipi i Dokufestit. Dhe Learti ishte një nga ish-nxënësit tanë të programit ‘Future is Here’. Mund të themi se të gjithë kanë dalur nga ne. Learti në Dokufest përgatit videot dhe filmi i Leartit u shfaq në Lokarno pikërisht gjatë kohës së festivalit. Edicioni i 20-të riktheu atmosferën e shumëpritur të DokuFestit, së bashku me lehtësinë e masave pandemike. Njerëzit kishin mall për këtë atmosferë. Kjo përkoi edhe me vitin kur kinemaja e Kosovës ishte e suksesshme në arenën ndërkombëtare. Mund të them se DokuFesti ka një pjesë në këtë sukses brenda mundësive të tij. Nga ana tjetër, strategjia e QKK-së filloi të ndryshojë për të qenë më e orientuar drejt mbështetjes, ndërsa Akademia kishte një filozofi tjetër. Deri më sot kemi pasur shumë të ftuar për masterclass dhe workshope. Njerëzit fituan njohuri në fusha të ndryshme se si të xhirojnë një film, si të montojnë, si të tregojnë një histori dhe si të prodhojnë. Kemi pasur bashkëpunim me Blerta Zeqirin, si mësuese kryesore. Duke marrë parasysh këtë gjitha këto trajnime dhe përvojat e para të fituara përmes kurseve, mund të them se DokuFesti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kinematografinë e Kosovës. 

Foto: DokuFest

Ne jemi ende një shoqëri e mbyllur, ka ende të rinj që nuk kanë qenë as në Shqipëri. Sigurisht, mund të numëroj shumë faktorë të tjerë si viza. Prandaj, është e rëndësishme që Ron Haviv dhe shumë emra nga fusha e kinemasë apo fotografisë kanë ardhur në këtë festival. Ardhja e personave si Ron Haviv, është e rëndësishme. Ndoshta të gjithë e njihnin Ron Havivin, ndoshta kishte nga ata që e dëgjuan emrin e tij për herë të parë gjatë festivalit. Por ishte shumë e rëndësishme se për herë të parë mund ta shihnim Ron Havivin drejtpërdrejt, dhe mund të dëgjonim historinë e atyre fotografive që janë gdhendur në mendjet tona.

Alba na trego pak për DokuNights. Ajo u zhvendos në platformat online për shkak të masave gjatë periudhës së pandemisë, kështu që vitin e kaluar e pamë në një koncept tjetër. Le të flasim pak për këtë temë.

Ajo që di është se DokuNights filloi me qëllimin e organizimit të festave të vogla dhe programeve muzikore, ku njerëzit që vinin në edicionet e para mund të argëtoheshin dhe të kalonin kohë pas shfaqjeve. Sepse edhe sot nuk mund të themi se në Prizren ekziston jeta e natës. Në një bar qëndrohet për një orë dhe pastaj të gjithë kthehen në shtëpi. I lindur nga festa të vogla, DokuNights është përhapur edhe në lagje. Më pas kaloi nga lagjet tek ‘Mullini’. E mbajmë mend koncertin e Eda Zari-t. Kishim vështirësi të gjenim bileta. Për shembull, kapaciteti i kafeneve nuk mjafton për të pritur një emër si Eda Zari. Ose nuk mund të sjellë as emra të tjerë të ngjashëm. Ishte një përpjekje e mrekullueshme e Nita (Dedës) që DokuNights të shndërrohej në një festival të ri muzikor brenda festivalit të filmit. Deri në edicionin e 18-të, qëllimi i DokuFest-it ishte të sillte artistë që nuk mund të shkonim në vende të tjera t’i dëgjonim dhe të kishim muzikë në Prizren deri në mëngjes. Dhe kjo lidhet sërish me idenë e aktivizmit. Përpara DokuNights, nuk kishte festivale muzikore si ‘Ngom’ ose ‘Sunny Hill’. Kur themi muzikë elektronike, ende edhe sot mendojmë për Prishtinën. Por në verë, në periudhën e DokuFest-it, muzika elektronike zhvendoset në Prizren. 

Foto: DokuFest

Në Dokunights morën pjesë DJ shumë të suksesshëm. Në edicionin e 19-të, ne modifikuam shfaqjet në internet. Ishin falas dhe kishte një audiencë të madhe. Në vitin e tij të 20-të, ne nuk mundëm ta organizonim DokuNights. Kufizimet filluan pas orës një të natës. Nga ana tjetër, pas një vale të madhe të pandemisë, ishte e vështirë t’i kufizoje festat dhe t’i mbaje ato deri në orën 01:00. Këtë vit, ne modifikuam DokuNights si SonicNights. Sigurisht, një nga arsyet për këtë ishte kufizimi i audiencës. ​​Lumbardhi ishte i vogël për numrin e njerëzve që mund të merrnin pjesë për metër katror, kurse ‘Andrra’ nuk i përshtatej konceptit. Kështu që ne zgjodhëm Kalanë. Mendoj se ka pasur shfaqje shumë të mira dhe unike. Këtë vit ka një dilemë. DokuNights apo SonicNights? Gjatë punës për këtë vit, masat e pandemisë në fakt u bënë një faktor i rëndësishëm që ne të mendojmë për këtë. Nga ana tjetër, DokuNights i referohet moshave 18+, kurse SonicNight i referohet edhe grup moshave të ndryshme. Në vitin e kaluar në SonicNights të cilën e organizuam për herë të parë pati nga ata që morën pjesë edhe me karroca të fëmijëve dhe pamë edhe persona të moshës 70-80 vjeçare.

Ekipi i DokuFestit punon shumë gjatë festivalit, a është një relaksim DokuNights për ju që të shpërqendroheni prej këtij orari të ngjeshur?

Disa prej nesh qëndrojnë edhe në ndeja, edhe unë shpesh bashkohem me ta. Ka koncerte që nuk kemi mundësi t’i shohim diku tjetër. Por para se të shkoj në ato koncerte, përpiqem të fle herët dhe të kem energji të mjaftueshme. Sepse, zakonisht i gjithë ekipi është shumë i lodhur gjatë festivalit. Gjatë kohës së festivalit ne shpesh e kemi të vështirë të gjejmë kohë për të ngrënë apo për të fjetur.

A e përjetoni mungesën e infrastrukturës teknike në Kosovë?

Përpjekja për të sjellë një emër shumë të rëndësishëm në festival, krijon një problem të madh në aspektin ekonomik dhe logjistik. Lartësia dhe erërat e shumta në Kala na krijonin vështirësi në mbajtjen e koncerteve. Siç e dini, aty ka një amfiteatër dhe është vërtet një pamje shumë e bukur. Por kur fillonte era, ne ishim dëshmitarë se zëri bartej në prapaskenë. Këtu, kishte nevojë për pajisje shtesë dhe si rrjedhojë kishte nevojë edhe për fuqi financiare.

Përveç kësaj, në Kala infrastruktura elektrike nuk lejon ekspozimin e shfaqjeve të rëndësishme. Prizreni në aspektin logjistik ka shumë probleme. Në Prizren nuk ekziston asnjë galeri apo sallë e koncertit. Nuk e kam fjalën për koncerte të mëdha. Por nuk ka ndonjë zonë ku mund të marrin pjesë 3 mijë vetë. Stadiumin e qytetit nuk mund ta shfrytëzojmë për shkak të mundësisë së dëmtimit të tokës. Është qytet kulture, qytet festivalesh, por nuk ka asnjë investim për shfaqje. Nuk ka ndonjë vend me akustikë të mirë. Edhe po të ishte në Nashec apo në Bajram Curr, njerëzit do merrnin pjesë. Për shembull, në Prishtinë ka diskoteka, teatër kombëtar dhe vende të hapura ku mund të mbahen koncerte. Në rregull është kryeqyteti dhe ekonomia është më e mirë, por përveç kësaj Prizreni është i famshëm për bujqësinë, turizëm dhe festivalet e tij. Prizrenin e quajmë kryeqytet kulturor, por qyteti nuk ka as infrastrukturë dhe as interesim të menaxherëve për të investuar. Kur bëhet fjalë për turizëm, njerëzit nuk duhet të kufizohen vetëm në vizitën e disa muzeumeve dhe vetëm në dëshirën për të ngrënë qofte.

Foto: DokuFest

Edhe puna që e bëjmë ne është pjesë e rëndësishme e turizmit. Nëse do të më duhej të jepja një shembull nga jeta ime studentore në Maqedoninë e Veriut, ne ndiqnim çdo javë performancën e ndonjë DJ apo ndonjë figureje të rëndësishme. Sepse Shkupi ka salla dhe infrastrukturë. Nëse në koncertet që do të mbahen do të marrin pjesë 5000 persona, do të mbushen edhe hotelet dhe restorantet, duke kontribuar kështu në ekonominë e qytetit. Për shembull, nëse do të donim të organizonim një festival xhazi gjatë gjithë dimrit, ku do të mund ta organizonim atë? Ka mungesë të infrastrukturës, por ka edhe potencial. Nuk ka asnjë galeri. Kur erdhi Seamus Murphy, ne së pari patëm shumë vështirësi me cilësinë e printimit të fotografive të tij, së dyti, nuk kishim një galeri për t’i shfaqur këto fotografi. Mund të thonë se tani kemi ‘Konakun e Shani Efendiut’ mirëpo ai nuk i përmbush plotësisht kërkesat, pasi objekti kur është ndërtuar nuk është menduar të jetë galeri. Siç thashë nëse ka një ngjarje me përmbajtje cilësore dhe nëse sigurohet parkingu, ajo zonë kulturore nuk ka nevojë të jetë në qendër të Prizrenit,  mund të jetë edhe në Bajram Curr, njerëzit sidoqoftë do marrin pjesë. Njerëzit ndoqën shfaqjet e Dhafer Youssef dhe Deniz Özçelik me karroca të fëmijëve. Imagjinoni ngjiteshin deri në Kala. Pra këto ngjarje kanë pasur përmbajtje cilësore dhe njerëzit tanë janë të uritur për ngjarje të tilla. Gjatë gjithë vitit në mënyrë pasive jemi në pritje të periudhës së festivalit, e cila fillon me Bunarfestin. Vullnetarët po ashtu presin me padurim fillimin e verës dhe fillimin e aktiviteteve. Në fund të festivalit, ne bëjmë një matje të performancës së pjesëmarrësve të ekipit dhe vullnetarëve. Ndoshta shumica e vullnetarëve tanë ishin të rinj këtë vit, por të gjithë dëshironin më shumë aktivitete gjatë gjithë vitit në qytet. Në fakt ka programe të vogla, shumë punë të mira të Lumbardhit, programe alternative të DokuKino-s, por pse mos të ketë programe edhe më argëtuese? Kinemaja është edhe argëtim, por ne duhet të jemi në gjendje të ofrojmë më shumë alternativa.

Prizreni ka potencial. Prandaj, na duhet një zonë që mund të përdoret në të katër stinët. Pavarësisht a bie shi apo jo, nëse dëshiron, mund të organizosh një ngjarje kulturore në mes të lumit, por sidoqoftë kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi nevojë për një vend me akustikë, dhe parking. Me këtë, në Prizren mund të fillojë themelimi i kompanive prodhuese. Nuk duhet të kërkojmë një prodhim të mirë nga Shkupi, Prishtina apo Beogradi. Kështu ofrohet punësim për njerëz që kanë përfunduar fusha të tilla si inxhinieria e zërit. Kjo hap rrugën që njerëzit të profesionalizohen dhe të gjejnë punë në shumë fusha si: dizajnimi i zërit, dizajnimi i skenës, e dizajnmi i dritës. 

Intervistë: Suer Celina

© PRIZMA MEDIUM

*Kjo përmbajtje është përgatitur me mbështetjen financiare të  CHwB Kosova dhe platformës GërrGërr. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrime të CHwB Kosova dhe platformës GerrGerr.

.