Le të fillojmë nga iniciativa juaj. Çfarë është “Pravo na vodu”?

“Pravo na vodu” që nga serbishtja përkthehet si “E drejta për ujë” është një iniciativë të cilës mund t’i bashkohet çdokush. Ajo për të cilën ne po luftojmë është që çdo qenie njerëzore duhet të ketë qasje në ujë të pijshëm të sigurt, që do të thotë se duhet të jetë falas. Në kuadër të nismës, ne e trajtojmë edhe çështjen e hidrocentraleve; ne luftojmë kundër tyre, së bashku me iniciativat lokale. Trajtojmë edhe shumë tema të tjera që kanë të bëjnë me të drejtën e ujit. Iniciativa është pjesë e organizatës e cila quhet Polekol, dhe organizata ka katër tema kryesore mbi të cilat punon, e njëra prej tyre është kjo iniciativë ‘’Pravo Na Vodu’’, përmes së cilës njihemi edhe nga publiku i gjerë. Nisma ka filluar në vitin 2018. Megjithatë, në vitin 2019 kuptuam se na duhet më shumë organizim strukturor për ekologjinë politike, ku duhet të bëjmë më shumë aktivitete edukative dhe kërkimore. Qasja kryesore e nismës është të punojë me iniciativat lokale dhe ato me bazë në komunitet.

Mund të flisni pak se si ka filluar nisma?

Koleget e mia Iva Markovic dhe Zaklina Zikovic ishin ato që filluan iniciativën. Ato që të dyja kanë qenë aktive në lëvizjet e gjelbra për më shumë se dhjetë vjet duke punuar në organizata të ndryshme në Beograd, në rajon, në fshatra të vogla në Serbi dhe me kalimin e kohës janë fokusuar në këtë çështje të “të drejtës për ujë”. 

Si arritët të mobilizoni komunitetin dhe të ndërgjegjësoni për aktivizmin e gjelbër?

Gratë që themeluan nismën kishin këtë perspektivë për aktivizmin e gjelbër për shumë vite. Megjithatë, tani është momenti që këto çështje të mëdha ekologjike të jenë në vëmendjen e publikut të gjerë, gjë që nuk ishte shumë vite më parë, kur ato punonin për të njëjtat çështje. 

Më parë fokusi ishte më shumë tek varfëria dhe çështjet kombëtare dhe nuk pritej shumë që qytetarët e thjeshtë – nga i gjithë rajoni – të mblidheshin rreth aktivizmit të gjelbër. 

Ato arritën të mobilizojnë komunitetin duke shkuar në terren, duke takuar njerëz dhe jo vetëm duke duke qëndruar në zyre dhe duke shkruar raporte ose duke bërë kërkime. Ato ishin fizikisht të pranishme në terren dhe shkonin në shumë fshatra të ndryshme, të vogla dhe qytete më të mëdha, male – kudo që kishte ndonjë problem – dhe bisedonin me njerëzit. Ato nuk shkuan atje të flisnin me njerëzit dhe të merrnin betejën në vend të tyre, por ato vazhduan të punonin bashkë me ta. 

Me kalimin e viteve mendoj se “Pravo na Vodu” ka filluar të njihet për rolin e tij koordinues dhe mentorues, por edhe si një qendër për të lidhur iniciativa të ndryshme të vogla. Komunitetet e vogla dhe iniciativat lokale na kontaktojnë për të kërkuar mbështetje në çështje të ndryshme, p.sh. pyesin nëse dimë ndonjë iniciativë që merret me ndotjen e lumenjve; i lidhim me mediat ose i tregojmë se çfarë kemi bërë në disa raste dhe çfarë mund të bëjnë vetë.

A keni bashkëpunim me nisma të tjera të gjelbra rajonale?

Pavarësisht se nga elita politike na është thënë se të gjithë jemi armiq të rajonit, ne kemi vazhduar bashkëpunimin me organizata dhe iniciativa të ndryshme në rajon. Çështjet reale të njerëzve të zakonshëm në rajon janë shumë të ngjashme, duke përfshirë çështjet ekologjike me të cilat po përballemi. Nëse e kemi këtë problem të Rio Tintos në Serbinë perëndimore, nuk do ta ndotë vetëm Serbinë, por do të prekë edhe Bosnjën dhe Hercegovinën. Gjithashtu, lumenjtë tanë kryesorë rrjedhin nëpër qarqet e rajonit, kështu që nuk është vetëm problemi i Serbisë, por është problem rajonal. Njerëzit vuajnë nga të njëjtat çështje; nuk kanë më ujë dhe kanë ndjeshmëri për të tjerët përtej kufirit që vuajnë nga të njëjtat probleme. 

Si “Pravo na vodu” ne kemi iniciuar një rrjet rajonal “Odbranimo r(ij)eke Balkana” (Të mbrojmë lumenjtë e Ballkanit), i cili bazohet në iniciativat bazë rajonale. Tashmë pas takimit të parë të mbajtur në Sarajevë, kuptuam se çështja e ujit nuk është e izoluar vetëm në mbrojtjen e lumenjve dhe në kundërshtimin e hidrocentraleve. Problemi i ujit është më i gjerë, i cili duhet të mbulojë edhe çështjet e ujit komunal, ujit të pijshëm dhe shitjes së burimeve të ujit tek sektori privat etj.

Vlen të theksohet se në Serbi, por edhe në gjithë rajonin, luftimet ekologjike më së shumti bëhen nga gratë, edhe pse ato nuk janë të dukshme në prezantimin e lëvizjes dhe në media. Pjesa më e madhe e punës brenda lëvizjes bëhet nga gratë; dhe po flas për gra të ndryshme – gratë e moshuara nga fshatrat që mbronin lumin e tyre në Krushçicë apo Topli Do, gra që janë më të orientuara drejt hulumtimit, avokate që analizojnë politikën për të mbrojtur mjedisin, etj. Gra të moshave dhe etnive të ndryshme, po mblidhen për të mbrojtur mjedisin, vendin ku jetojnë. 

Si e konsideroni ndërgjegjësimin për identitetin gjinor në kuadër të lëvizjeve/iniciativave ekologjike?

“Pravo na vodu” ka iniciuar rrjetin e grave aktiviste për mbrojtjen e mjedisit. Ne e nisëm këtë, sepse sa herë dilnim në terren për të biseduar me njerëzit për problemet ekologjike, takonim gra. Siç thashë më parë, gratë nuk janë të dukshme brenda lëvizjes – ne shohim vetëm burra – por në fakt gratë po i organizojnë njerëzit, po i analizojnë politikat, po i bllokojnë urat për të parandaluar investitorët t’i dëmtojnë lumenjtë… Edhe ato që janë shënjestruar dhe kërcënuar nga niveli politik dhe nga investitorët ishin zakonisht gra.

E kuptuam që ishte më shumë punë e grave dhe zëri i tyre nuk dëgjohet, perspektiva gjinore nuk përfshihej brenda lëvizjeve. Pastaj vendosëm të zhvillojmë një lloj rrjeti për t’u lidhur me gratë e iniciativave lokale dhe për të mbështetur njëra-tjetrën. Ky rrjet ekziston tash e dy vjet dhe ne takohemi personalisht dhe organizojmë aktivitete të ndryshme. Ne mbajtëm takimin tonë të tretë me gratë në muajin mars. Gratë erdhën në këtë takim me identitetin e tyre si aktiviste të gjelbra dhe folën shumë për problemet ekologjike në komunitetin e tyre. Megjithatë, feminizmi ishte një term shumë i vështirë për të qenë i pranishëm. Kemi dëgjuar shumë nga gratë që thoshin se “ne nuk jemi kundër burrave; ne nuk i urrejmë burrat; pse të mos përfshijmë burra në këtë takim” – e kështu me radhë. Ishte vërtetë e vështirë të nxirrej në pah përvoja e tyre si aktiviste. Është e qartë se përvoja e një gruaje aktiviste nuk do të ishte e njëjtë nëse do të ishte burrë, diçka do të ishte më e lehtë dhe me më shumë mundësi. Ishte e rëndësishme për ne që ta hapnim këtë diskutim dhe të dëgjonim përvojën e tyre si gra aktiviste. Ato ndanë përvojën dhe betejat e tyre duke mos e quajtur si diskriminim ose që ne kemi nevojë për feministe për të drejtat tona. 

Është shumë e rëndësishme të kemi perspektivë të grave brenda lëvizjes. Nëse na mungon perspektiva e grave në kërkesat tona si aktiviste të gjelbra, do të humbasim momentin për t’i dhënë formë lëvizjes – në një mënyrë për të qenë më demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Hulumtimet tashmë tregojnë se pasojat e krizës klimatike do të jenë më të rënda për njerëzit e varfër dhe veçanërisht për gratë dhe vajzat.

Ne shohim gjithashtu gra nga zonat rurale në të gjithë rajonin që luftojnë për natyrën. Pse gratë dhe pse tani?

Mendoj se kanë qenë gjithmonë gratë ato që kanë luftuar për natyrën, por ato sapo kanë filluar të bëhen më të dukshme tani. Në të shumtën e rasteve janë gratë ato që kanë theksuar se ekziston një problem, ato të cilat kanë filluar të flasin për problemet lokale dhe të mobilizojnë komunitetin. 

Kjo është gjithashtu ajo, që ne duam të bëjmë me rrjetin tonë, ne nuk duam të kemi një person që na bërtet dhe na thotë se çfarë të bëjmë. Rrjeti ynë është i udhëhequr nga komuniteti, bazuar në bashkëpunim. Dhe kjo ka të bëjë me etikën e kujdesit. Nëpërmjet aktiviteteve tona dhe qasjes ekofeministe, ne duam të kundërshtojmë çdo lloj dominimi; dominimi i burrave mbi gratë dhe gjithashtu i njerëzve mbi natyrën.

Është gjithashtu se si gjatë historisë sonë ne kemi socializuar një gjini për t’u kujdesur për fëmijët, komunitetin dhe natyrën në përgjithësi. Ne si gra jemi më të socializuara për t’u kujdesur për komunitetin, prandaj edhe gratë ishin ato që e panë problemin dhe mobilizuan komunitetin për të mbrojtur natyrën.

Ju përmendët se keni zhvilluar një rrjet të grave aktiviste dhe keni diskutuar për feminizmin. Si e përkufizoni ekofeminizmin brenda iniciativës suaj?

Para së gjithash, ishte shumë e vështirë të përdorej fjala feminizëm brenda rrjetit të grave aktiviste, sepse shumica e grave që nuk kishin pasur kurrë mundësi të lexonin për feminizmin kishin një përshtypje të keqe për feministet. Feministet u përceptuan si gra të zemëruara që urrejnë burrat. Pra, gjatë gjithë diskutimit tonë ne ishim fokusuar në atë se çfarë i shton qasja jonë feministe çështjeve të gjelbra – ekologjike, e cila është e ndryshme nga qasja kryesore – ajo dominuese. Dhe qasja jonë ekofeministe ofron një mënyrë alternative për të luftuar për çështjet ekologjike që përfshin bashkëpunimin e kujdesin për anëtarët e komunitetit dhe natyrën – në vend të shfrytëzimit. 

Kur flasim për përkufizimin e ekofeminizmit, ne përgjithësisht fokusohemi në këtë kryqëzim të gjinisë dhe mbrojtjes së natyrës. Janë tre pika kryesore në të cilat jemi fokusuar. Njëra është përfaqësimi dhe prezantimi i punës së grave brenda lëvizjes.  E dyta është analizimi i pasojave të krizave klimatike dhe mosmbrojtja e natyrës. Pasojat do të jenë të rënda për të gjithë, por më të rënda për gratë dhe vajzat, sepse pjesa më e madhe e punës së kujdesit pritet të bëhet nga gratë që pritet të sigurojnë ushqim, ujë dhe të kujdesen për të moshuarit që do të sëmuren edhe më shumë.

Pika e tretë është se nëse vazhdojmë të jemi indiferent ndaj identitetit gjinor do t’i kushtojë vetë lëvizjes ekologjike. Përderisa po përjetojmë një moment historik të mobilizimit politik rretj kësaj teme, është shumë e rëndësishme të flitet dhe të përfshihet perspektiva gjinore. Përndryshe, do të ketë një rrezik të madh që mund të rrëmbehet nga narrativa e krahut të djathtë ekstrem.

Edhe pse ka njerëz që mendojnë se në lëvizje duhet të përfshihet edhe perspektiva gjinore, ata nuk e konsiderojnë atë si një çështje urgjente. Dhe kjo është problematike, sepse perspektiva gjinore duhet të integrohet tani, ndërkohë kur ende është duke u formësuar lëvizja. 

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

Kjo intervistë është prodhuar me mbështjetjen financiare të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur