Sipas burimeve, gazetaria në gjuhën turke në Kosovë ka histori më shumë se 100 vjeçare. Gazetat e para në gjuhën turke janë botuar vetëm disa dekada pas fillimit të botimit të gazetave të para ditore në vendet përendimore. Në vitin 1871 ka filluar botimi i gazetës “Prizren”, dhe më pastaj pas themelimit të Vilajetit të Kosovës, që mbulonte një territor gati se katër herë më të madhe se Kosova e sotme, ka filluar botimi i gazetave “Enva-i Hurriyet”, “Sar” dhe “Yildiz”, “Yeni Mektep”, “Hak”, “Mücadele”, “HakYolu”, “Top”, “Sosyalist Fecri” në shtëpitë botuese në Prizren dhe në Shkup. Atëbotë, Shkupi ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës. Me pushtimin e Kosovës nga monarkia jugosllave, kishte ndaluar edhe botimi i gazetave në këtë gjuhë në Kosovë. 

Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1950 kur në Radio Prishtinë filloi transmetimi i programit në gjuhën turke. Këtë program në vitin 1969 e kishte përcjellë filllimi i botimit të gazetës Tan. Gazeta “Tan” nisi botimet e para në vitin 1969 me një periodicitet të përjavshëm, shoqëruar me revistën tremujore sociale, shkencore, letrare e kulturore “Çevren” dhe revistën mujore për fëmijë “Kuş”. Këto botime kishin mbështetje financiare dhe organizative të shtetit jugosllav të asaj kohe. Në vitin 1971 u botua gazeta “Doğru Yol” dhe të tjera, dhe pastaj me themelimin e RTP-së përveç programit në radio filloi edhe programi në gjuhën turke në TV Prishtinë. Lansimi i këtyre burimeve mediale, megjithëse të mireseardhura për komunitetin turk dhe komunitetin turqisht folës në Kosovë.  

Në komunitetin turk në Kosovë vazhdon të flitet gjuha e vjetër turke me theks lokale autoktone në shtëpi dhe rrugë. Pavarësisht se për një periudhë më shumë se 70 vjeçare mediumet në gjuhën turke kanë filluar dhe vazhdojnë të transmetojnë informata në gjuhën moderne turke e jo në gjuhen me theks lokale turke. Personalisht besoj se tentimi i zhdukjes së gjuhës me theks lokale autoktone turke përmes mediave, shkollës dhe publikimeve, ka qenë i pasuksesshëm, por në të njëjtën kohë ka krijuar edhe një distancë dhe ndjenjë tëhuajsie në mes të komunitetit turk dhe atij turqishtfolës në Kosovë në njërën anë, dhe mediave në gjuhën turke në anën tjetër. 

Pas luftes në Kosovë, gazeta TAN nuk u ribotua më për shkak të mungesës së përkrahjes financiare. Derisa Radio Televizioni i Kosovës vazhdon suksesshëm programin në gjuhën turke ne Radio dhe Televizion. Por, duke filluar nga viti 1999 fillojnë të botohen një varg gazetash dhe hapen radio e TV kanale në gjuhën turke. Ndër to vlen të përmendet gazeta dhe radio Yeni Dönem, TV Balkan, Radio Kent FM dhe të të tjera. Të gjitha këto mediume janë mbyllur pas një kohe për shkak të problemeve financiare. Kjo ndodhë marrë parasysh mungesën e të hyrave nga marketingu që kryesisht ka ardhur si rezultat i audiencës së kufizuar nga komunitetit turk në Kosovë dhe mungesës së përkrahjes së mjaftueshme financiare nga donatorët ndërkombëtar dhe shteti. Në këtë kontekst, një ndër pengesat kryesore qëndron në atë se të gjitha këto mediume ishin media private dhe ofrimi i përkrahjes për kompani private sikur nga institutcionet shtetërore, e po ashtu nga donatorët ndërkombëtarë është më problematik se sa ofrimi i përkrahjes për Organizatat joqeveritare. Posaqërisht marrë parasysh faktin se në esencë këto biznese (mediume) nuk kishin ndonjë perspektive mbijetese dhe pavarësie financiare në të ardhmen. 

Sot në sektorin privat kemi vetëm dy portale më serioze të cilat raportojnë në gjuhën turke. Këto janë Kosovahaber dhe Kosovaport. Por me sa e di, edhe këto dyja kanë probleme serioze financiare dhe shumë shpejtë mund të ballafaqohen edhe me falimentim. 

Nga ajo që u tha me sipër janë dy probleme kryesore që rëndojnë mbi mediat në gjuhën turke në Kosovë. E para dhe kryesorja është mungesa e financimit dhe perpektives për pavarësi financiare. Ndërsa tjetra është dilema midis gjuhës moderne turke e përdorur në komunikim, e cila pavarësisht që kuptohet dhe flitet rrjedhshëm gati se nga i tërë komuniteti turk në Kosovë dhe gjuhës lokale me theks autoktone e cila përdoret në shtëpi dhe në hapësirat publike në komunikimin ditor. 

Gjetja e një zgjedhje që do të krijonte zhvillim përmanent dhe pa telashe për mediat në gjuhën turke në Kosovë është e vështirë. Por, besoj se mund të ndërmerren disa masa strategjike të cilat do të mund të adresonin problemet në përiudhën afatmesme. 

Sa i përket problemit kryesor, atij të financimit, ndoshta një çasje më e drejtë strategjike do të ishte që mediat turke në Kosovë të funksionojnë dhe regjistrohen si organizata joqeveritare. Kjo do t’iu krijonte mundësi që të gjenerojnë më shumë fonde duke krijuar prodhime tematike në fushën e kultures, artit, të drejtave të njeriut dhe të ngjajshme. Rrjedhimisht duke e bërë më praktike mundësinë e përkrahjes nga institucionet shtetërore dhe donatorët ndërkombëtar. 

Nga ana tjetër, përdorimi i gjuhës lokale me theks autoktone në tërë informimin medial në gjuhën turke në Kosovë është gati se e pamundur. Por, do të mund të kishte emisione apo shkrime të veçanta që do të mund të prodhoheshin me këtë theks të gjuhës, duke i bërë këto shkrime më atraktive për audiencën por edhe duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës apo dialektit autokton.  

Përfundimisht, pavarësisht telasheve dhe mungesës së perspektives financiare, mediat turke në Kosovë ende kanë perspektivë për tu zhvilluar në të ardhmen. Kjo pasi që komuniteti turk ka shumë gazetarë me përvojë dhe mjeshtër të zanatit. Nga ana tjetër, edhe nga gjeneratat e reja ka shumë talentë që janë të vullnetshëm dhe të interesuar për të zhvilluar tutje mediat turke në Kosovë. Vetëm nevojitet kreativitet e punë për t’i sjellur mediumet në gjuhën turke në Kosovë në gjendje të qëndrueshme.

✎ Birol Urcan

Autor është anëtar i bordit të RTK-së dhe ekspert i pavarur për marrëdhëniet me publikun
© PRIZMA MEDIUM

 “Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”