Foto: Ferdi Limani

Edicioni i sivjemë i festivalit të filmit të animuar Anibar ishte kujtesë për të gjithë ne se dashuria është univerzale dhe na rrethon të gjithëve. Përpos bashkëatdhetarëve të shumtë të cilët mbushnin sheshin  kryesor të qytetit duke kërcyer nën zhurmën e tupanave, Peja përgjatë një jave i ndante rrugët e saja edhe me shumë mysafirë të ardhur veçanarisht për programin e pasur filmik dhe diskutime të përditshme të cilat shtjellonin tema gjithnjë të ndërlidhura me dashurinë.

Prej 1500 filmave që kanë aplikuar, u shfaqën 160 në nëntë kategori, shtatë gara dhe tri programe speciale në kinemanë Jusuf Gervalla, dy kinematë nën qiellin e hapur dhe në Galerinë e Qytetit si pjesë e programit të realitetit virtual.

Pjesëmarrës të moshave të ndryshme ishin pjesë të programeve edukative për ndërtimin e tregimeve dhe animacionit duke përdorur edhe metoda të ndryshme dhe krijimit të efekteve të zërit. Piku i këtij edicioni ishte prezantimi i Eric Stough, producenti i serialit të famshëm Amerikan South Park për të cilin interesimi ishte aq i madh sa që organizatorët u detyruan të shtonin karrige në sallën e stërmbushur të kinemasë Jusuf Gërvalla.

Sipas organizatorëve, vendosja e temës së sivjeme ishte si rezultat i temave të edicioneve të mëparshme sikur “Isolation”, “Humans” dhe “Superstitions” të cilat duke pasur parasysh rrethanat asokohe ishin të nevojshme por kishin një lloj zymtësie, prandaj ishte vendosur që edicioni i katërmbëdhjetë ta trajtojë temën e dashurisë. Në të njëjtën kohë, ky është edicioni i pari i cili e ka temën në gjuhën shqipe dhe si rrjedhojë t’i nxis të ftuarit ndërkombëtar t’a mësojnë se si thuhet LOVE në gjuhën e festivalit.

Fituesit e edicionit të katërmbëdhjetë janë: 

Në kategorinë e çmimit të audiencës së re fitues u shpall filmi “Beanboy” ndërsa vlerësimi special i shkoi filmit francez “To be sisters”.

Në kategorinë e filmit të metrazhit të gjatë u shpërblye filmi “Silver Bird and Rainbow Fish”, një film i cili i shkrien vija ndërmjet privates dhe publikes, familjes dhe kombit duke përdorur përzierje unike e të fotografive të arkivës, kolazhit, pikturave dhe dorëshkrimeve.

Në kategorinë ndërkombëtare u shpërblye filmi “Eeva” i cili me teknikën stopmotion na e tregon jetën e një personi të mbetur në të kaluarën duke përdorur copëza të prera letre të cilat tregojnë të tashmen dhe vizatime bardh e zi të cilat na e tregojnë të kaluarën. Vlerësimi special i jurisë në kategorinë ndërkombëtare shkoi për filmin “Slow Light”.

Në kategorinë e garave studentore juria e shpërbleu fimin “Above the Clouds” duke shtuar për ekstravagancën e tij flagrante, për udhëtimin e tij emocionues të krijuar me mjeshtëri nëpër dashuritë tona të tashme dhe të kaluar, për aftësinë e tij për të na futur fluturat në bark dhe për t’i nxjerrë me gëzim nga hundët tona, ndërsa filmi“From the Corner of my eye” mori vlerësim special në garën studentore.

Në garën ballkanike u shpërblye filmi “Money and Happiness” ndërsa vlerësim special filmi “Her Dress for the Final”.

Në garën e drejtave të njeriut filmi “Dear Mahsa” i cili transmeton një mesazh urgjent, të ilustruar poetikisht me një shprehje të fortë vizuale që thekson mënyrën epistolare të poezisë. Vlerësim special për këtë kategori mori filmi “Sasha”.

Si përfundim në kategorinë e spoteve muzikore të animuara shpërblimin e mori filmi “Ninulla F” për një përshtatje të bukur vizuale të një kënge tradicionale e cila ruan dhe pasuron folklorin vendas në një formë bashkëkohore, ndërsa “Children of Metroid” mori vlerësim special për tinguj elektronik në një ambient fiktiv.

✎ Ferdi Limani

© PRIZMA MEDIUM