Një fotografi e Kalasë para restaurimit. Foto: Suer Celina

✎ Hadis Abdula

Qyteti i Prizrenit ka qenë gjithmonë i njohur si kryeqyteti kulturor i Kosovës me vlerat e tij të pasura të trashëgimisë kulturore dhe ka shërbyer si depo kujtimesh për rajonin me strukturën e tij të shtresuar historike, që i përket periudhave të ndryshme. Qyteti mund të konsiderohet si një nga qytetet më të rëndësishme jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës Juglindore me të kaluarën e tij parahistorike dhe vlerat e trashëgimisë. Për herë të parë në të dhënat historike datojnë, ndërmjet viteve 87-150 vjet para lindjes së Krishtit, si Thermidava, pastaj u shënua si Theranda në hartat e përpiluara në shekullin III dhe u emërua Pertizen në veprën ‘Deadeficis’ të Justinianit.1 Në këtë pikë, mendohet se vendbanimi i përmendur ishte qyteti romak Theranda, i vendosur afër Suharekës, pak jashtë kufijve të qytetit të sotëm të Prizrenit. 

Kalaja, e cila përcakton qytetin e Prizrenit dhe dominon sot siluetën e qytetit, zona e nënkalasë, lumi Bistrica (Lumbardhi) dhe pjesa ku ndodhet Ura e Gurit përbëjnë bërthamën kryesore historike ku qyteti ka një të kaluar më të thellë dhe aty ku përjetohet shtresimi historik. Në këtë kuptim, veçanërisht Kalaja e Prizrenit mund të përkufizohet si një nga simbolet dhe pikat më të rëndësishme të qytetit. E vendosur në qendrën historike të qytetit, në një lartësi prej 525 metrash mbi nivelin e detit, kalaja jo vetëm që përfaqëson një pjesë të pazëvendësueshme të qytetit sot, por i jep edhe kuptime dhe pasuri të reja qytetit me historinë e saj.

Kur fokusohemi në historinë e kalasë, gjurmët e jetës në rajon tregojnë se vendbanimi i parë në qytet daton qysh prej kohës parahistorike. Gërmimet dhe gjetjet, veçanërisht ato të vitit 2004 (përveç studimeve të mëparshme), zbuluan se jeta në kala shkon prapa deri në epokën e bronzit.2 Kështu, historia e vendbanimeve në Prizren daton ndërmjet viteve 1200 – 3300. Në këtë aspekt duhet theksuar vendndodhja strategjike e kalasë në vendosjen e vendbanimeve të para në rajon. Siç shihet në të gjitha vendbanimet parahistorike, edhe vendbanimi i parë në rajonin e Prizrenit ishte në një vend të strehuar, të lartë, që ofron mundësi për të vëzhguar zonën përreth, që është më e lehtë për t’u mbrojtur nga armiku dhe me qasje më të afërt tek burimet ujore. Në këtë kuptim, pjesa e kalasë e cila ofron kushte të tilla, vije në krye të lokacioneve strategjike në këtë zonë. Përveç kësaj, rruga që kalon buzë lumit, poshtë kalasë lidhet drejtpërdrejt me rëndësinë strategjike të vendndodhjes së kalasë. Rruga, e cila edhe sot është aksi më i rëndësishëm i qytetit, që në histori u quajt Ulpiana, është pjesë e rrugës romake Via Egnatia që lidh botën lindore me atë perëndimore e përdorur që nga shekulli II, P.E.S.3 Nga ana tjetër, studimeve i hedhin dritë supozimet se vendbanimi në Kalanë e Prizrenit mund të ketë ndërvepruar me vendbanime parahistorike fqinje si Vlashnja, Nasheci dhe Korisha.4 Ky informacion tregon se Kalaja e Prizrenit dhe vendbanimi i parë i themeluar në Prizren, përveç rëndësisë së saj lokale kishte edhe një rëndësi të madhe rajonale.

Kalaja, e cila ende e ruan madhështinë e saj dhe është e ngritur në krye të qytetit, gjurmët e para të së cilës konsiderohen muret, kanë filluar të ndërtohen qysh në Periudhën Bizantine. Gjatë kohës së paqes (Pax-Romana) që zgjati gjatë Perandorisë Romake, me ndarjen e Romës në Romën Lindore (Bizantine) dhe Perëndimore, vendbanimet që nuk kishin nevojë për mbrojtje filluan të ndërtonin mure për t’u mbrojtur nga sulmet e ndryshme dhe periudha e qyteteve të fortifikuara u rishfaq. Në këtë drejtim, mund të thuhet se Kalaja e Prizrenit filloi të merrte formë në këto periudha, e pastaj u zhvillua dhe u rrit me kalimin e kohës. Është e mundur që zona e kalasë të konsiderohet si akropolet (Në greqisht, Acropolis do të thotë qyteti i sipërm) e ndërtuara në periudhën klasike greke gjatë periudhave romake dhe më vonë bizantine. Akropolet janë pjesë urbane të vendosura mbi kodra, të rrethuara me mure, të strehuara, me rezervuarë uji, municione ushtarake, depo ushqimore, ndërtesa fetare, ku të gjithë banorët e qytetit mund të strehoheshin në rast të ndonjë lufte, në qytetet greke. Në këtë kuptim, Kalaja e Prizrenit me strukturën e saj të mbrojtjes, magazinat që i posedon dhe strukturat e rëndësishme të saj, mund të supozohet se është përdorur si qytet i fortifikuar.

Kur fokusohemi në strukturën e kalasë, siç tregohet edhe në histori, shihet se ajo është e rrethuar nga mure me lartësi dhe trashësi të madhe që mbrojnë qytetin.5 Në anën tjetër, duke parë vendndodhjen dhe formën e kalasë, vërehet se Vitruviusi ka ndjekur rekomandimet e dhëna për ndërtimin e kështjellës. Vitruvius, në librin e tij “De Architectura V” (mbi arkitekturën), thekson se kalatë nuk duhet të kenë planimetri katrore ose kënde të sakta, për të mos lejuar që armiku të fshihet, ato duhet të rrethohen nga një terren i ashpër për të vështirësuar afrimin dhe rrugët që çojnë te portat duhet të jenë të lakuar.6 Në këtë kuptim, kalaja e Prizrenit është e ndërtuar në terren të ashpër, për të parë armikun nga të gjitha këndet, nuk ka kënde të mprehta dhe është projektuar sipas formës së topografisë në të cilën ndodhet. Gjithashtu, hetimet tregojnë se sipas raportit me topografinë dhe ndarjet brenda saj, kalaja përbëhet nga tre pjesë kryesore si ‘kalaja e sipërme’, ‘kalaja e poshtme’ dhe ‘zona jugore e kalasë’.7

Foto:Wikimedia

Nga ana tjetër, zhvillimi i Kalasë së Prizrenit filloi të formësojë rrethinën e saj dhe filluan të hidhen themelet e qytetit të sotëm të Prizrenit. Para së gjithash, ekspertë që punonin në ndërtimin e kështjellës filluan të ndërtonin strehë për veten e tyre nën kala, në rrëzë të malit, midis kalasë dhe lumit, e më pas ndërtimi rreth kalasë vazhdoi të zgjerohej.8 Kjo ishte një formë e zakonshme e zhvillimit në qytetet mesjetare. Qytetet mesjetare të quajtura “Bourg” kishin një strukturë që mbeti brenda mureve të reja të ndërtuara mbi mbetjet e rrënojave të periudhës romake. Muret u ndërtuan nga feudalët për të mbrojtur popullin e tyre nga sulmet intensive dhe pushtimet.9 Megjithatë, më vonë, të huajt dhe tregtarët ndërtuan strehimore rreth këtyre mureve, dhe Fau-bourgs, me fjalë të tjera, lagjet periferike, u formuan rreth Bourgëve të përhapur në të gjithë Evropën. Në këtë pikë, zona e Nënkalasë, si një periferi e formuar rreth kalasë, mund të përkufizohet si faza e parë në zgjerimin e qytetit të Prizrenit.

Më pas, sidomos duke pasur parasysh luftërat dhe pushtimet që mbizotëruan në Ballkan, kalaja së bashku me qytetin e Prizrenit kanë pritur qytetërime të ndryshme dhe kanë pësuar transformime të vazhdueshme. 

Gjatë mesjetës e deri më sot, Prizreni së pari u përfshi në kufijtë e Shtetit të Parë Bullgar pas lindjes së Krishtit në vitet 830,10 pastaj në shekujt XI – XII mbeti midis perandorive bizantine, bullgare dhe serbe gjatë kryqëzatave dhe në shekullin XIV ajo kaloi nën kontrollin serb duke u lidhur me kishën ortodokse serbe.11 Në vazhdim, Kosova u pushtua nga lufta e parë e saj të vitit 1389 dhe kështu rajoni i Prizrenit u pushtua në vitin 1455 dhe si rrjedhojë kalaja së bashku me qytetin kaluan nën kontrollin Osman.

Mund të thuhet se edhe kalaja edhe qyteti i Prizrenit kanë arritur përparim të madh në periudhën Osmane. Ura e Gurit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Xhamia e Sinan Pashës, të cilat do të bëhen simbolet e qytetit në këtë periudhë, filluan të formojnë imazhin dominues të Prizrenit. Aq sa, në burimet Osmane, qyteti quhej me emra të tillë si Purzeyn, Perzerin, Purzen dhe Zerin,12 që do të thotë ‘qytet plot pasuri’. Në këtë periudhë Kalaja e Prizrenit filloi të transformohej së bashku me qytetin dhe kalasë iu bënë shtesa të reja sipas nevojave të ndryshme. Ky është një proces transformimi që haset shpesh, kur vlerësohet në procesin historik. Çdo qytetërim që pushtoi një vend të ri, riformësoi qytetet dhe strukturat e pushtuara në përputhje me nevojat e veta. Duke pasur parasysh që ushtarët ishin vendosur në kala, shihet se shtesat janë bërë për të plotësuar disa nevoja në aspektin e vazhdimësisë së jetës së përditshme. Në vitin 1808, Emin Pasha ndërtoi një xhami në kala dhe më pas në 1828 Mahmut Pasha e restauroi kalanë duke ia shtuar kullën e sahatit. Gjatë periudhës Osmane kalaja u përdor si bazë ushtarake, brenda kalasë u ndërtuan reparte ushtarake, arsenal, burg dhe u vendosën topa që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Me këto ndërhyrje kalaja iu afrua pamjes aktuale dhe u përdor me efikasitet deri në luftërat Ballkanike të vitit 1912.

© PRIZMA MEDIUM

*Kjo përmbajtje është përgatitur me mbështetjen e CHwB Kosova dhe platformës GërrGërr

 1Thermidava ismi Klaudius Ptomey’in Cografya eserinde gecmektedir, Recepoğlu, A.S. (2009). Prizren’de Türk Dönemi Kültür Mirası, Fikri ve Medya Hizmetleri Derneği Yayını
 2Hoxha, G. (2015). Te Dhena Te Reja Arkeologjike Nga Kalaja e Prizrenit, Akademia e Shkencave e Shqiperise, Dardania; Kerkime dhe Studime Arkeologjike, (edt: Korkuti, M., Perzhita, L., & Luci, K.), Tirane
3Nikoliç, S. (1998). Prizren od Srednjeg Veka do Savremenog Doba, Urbanisticko, Arhitektonski Razvoj, Grafika
4Hoxha, G. (2015). Te Dhena Te Reja Arkeologjike Nga Kalaja e Prizrenit, Akademia e Shkencave e Shqiperise, Dardania; Kerkime dhe Studime Arkeologjike, (edt: Korkuti, M., Perzhita, L., & Luci, K.), Tirane
5Toy, S. (1985). Castles: Their Construction and History, London
6Vitruvius (1931). On Architecture, Volume I: Books 1-5. Translated by Frank Granger. Loeb Classical Library 251. Cambridge, MA: Harvard University Press
7The Ministry Of Culture, Youth and Sports – Kosovo/UNMIK (2006). Integrated Rehabilitation Project Plan / Survey of the Architectural and Archaelogical Heritage, (IRPP/SAAH), Regional Programme For Cultural And Natural Heritage In South East Europe, 2003 – 2006, Preliminary Technical Assessment of the Architectural and Archaeological Heritage in South East Europe, The Prizren Fortress (Kalaja), Prizren, Kosovo/UNMIK
8Nikoliç, S. (1998). Prizren od Srednjeg Veka do Savremenog Doba, Urbanisticko, Arhitektonski Razvoj, Grafika
9Kürkçüoğlu, E. (2010). İdeal Arayışında Bir Dönüm Noktası: Yıldız Şehirler, İdeal Kent Sayı 1,Mayis 2010, ss. 78-95
10Nikoliç, S. (1998). Prizren od Srednjeg Veka do Savremenog Doba, Urbanisticko, Arhitektonski Razvoj, Grafika
11Kürkçüoğlu, E. (2010). İdeal Arayışında Bir Dönüm Noktası: Yıldız Şehirler, İdeal Kent Sayı 1,Mayis 2010, ss. 78-95
12Recepoğlu, A.S. (2009). Prizren’de Türk Dönemi Kültür Mirası, Fikri ve Medya Hizmetleri Derneği Yayını