Foto: Suer Celina

Trotuaret e larta edhe jo të qasshme për PAK, veturat e parkuara në trotuare, mungesa e ashensorëve, rapmat e ndërtuara pa standarde, punësimi, mungesa e qasjes në institucione publike dhe veçanërishtë në institucione shëndetësore dhe mungesa e tualeteve janë ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohen PAK. Ndërkaq edhe rampat e ndërtuara për PAK në qytet– janë kryesisht pa standarde. Në përgjithësi, komunitetit PAK nuk konsultohet nga zyrtarët komunal gjatë ndërtimit të rapmave, që do të përdoren drejtpërdrejt nga ata/ato. Kjo tregon neglizhencën e institucioneve publike ndaj nevojave të komunitetit PAK.

Biseduam me Agron Kuden, aktivistin e shoqërisë civile për mbrotjen e të drejtave të PAK në Prizren, për problemet me të cilat përballen PAK, përmirësimet që janë bërë ndër vite dhe intervenimet emergjente që duhet të ndërmerren nga niveli politik. 

Cilat janë problemet kryesore me të cilat ballafaqoheni në qytet?

Në shumicën e rasteve ndihem i diskriminuar në qytet për shkak të mungesës së infastrukturës së përshtatshme për PAK. Nuk ka qasje në shumë objekte të komunës, por edhe në rrugë.  Në pjesën kryesore të qytetit ka qasja për PAK, mirëpo edhe aty ku ka qasja, ka probleme që shfaqen prej parkingjeve të paligjshme. Gjithsesi, mendoj që duhet theksuar që infrastruktura rrugore në Prizren – sidomos për përdoruesit/et e karrocës – është më e mirë në krahasim me qytetet tjera të Kosovës. Kështu, qasja mbetet esenciale për PAK, sidomos për përdoruesit/et e karrocës. 

Problemi tjetër është me parkingjet e rezervuara për PAK, në shumicën e rasteve janë të zëna. Kjo është një pengesë tjetër për arritjen e qasjes së plotë. Është edhe një paradoks me parkingjet e rezervuara për PAK në Prizren; përballë Shtëpisë Bardhë në Prizren është rezervuar një parking për PAK, dhe qeverisja e kaluar, parkingun e rezervuar për PAK e ka ndarë edhe për mbushjen e makinave elektrike… 

Foto: Suer Celina

Ka shum probleme në zbatimin e ligjit për PAK. Për shembull, për çdo objekt të ri apo banesa që ndërtohet duhet të ketë qasaj për PAK, por në realitet kjo nuk ndodh. Kisha me thënë që shumë më të përshtatshme janë banesat e vjetra se këto të rejat që po ndërtohen. 

Edhe ashansorët e banesave të reja janë të vogla dhe nuk i plotësojnë standardet që janë të nevojshme për këta persona, në anën tjetër nuk ka qasja infrastrukturore që mundëson hyrjen në ashensor. Për shembull, një përdorues/e i/e karrocës duhet të mbahet pesë – gjashtë shkallë deri te ashansori – dhe kjo i bën ata/ato të varur nga të tjerët. 

Ne vazhdojnë të dëgjojmë se ka ligje, mirëpo ato nuk po zbatohen. Ku mendon që është problemi i mos zbatimit të ligjeve për PAK? 

Para së gjithash, mendoj se duhet të ketë më shumë presion nga grupet e interesit. Duhet theksuar se edhe këto pak ndryshime pozitive që janë në Prizren për PAK janë realizuar me iniciativa të aktivistëve dhe shoqërisë civile, këtu mund të përmend disa emra si Drita Vukshinaj, Antigona Shestan, Ec Ma Ndryshe…  Por për ndryshime më të mëdha na duhet një shtyrje më e madhe nga nivelit qëndror apo lokal, pra nga vendimmarrja.  

Ka neglizhencë nga ana e institucioneve, duhet të jemi vazhdimisht në inspektim, sepse për shembull kur ndërtohet një rrugë e re, trotuari bëhet i lartë duke penguar qasjen për PAK. 

A është bërë ndonjë ndryshim pozitiv për komunitetin PAK në Prizren? Cilat janë ato? 

Janë ndërmarrë disa hapa pozitive për të përmirësuar jetën e PAK në qytet. Në parkingun që është ndërtuar pas Shtëpisë së Bardhë, aty janë bë shenjëzimet për PAK. Por problemi është që sa po respektohen nga të tjerët edhe këto shenjëzime. 

Një hap tjetër pozitiv ka qenë edhe ndërtimi i rampava për PAK nëpër qytet. Por, këtu duhet theksuar që ndërtimi i rampave nuk është bërë në mënyrë adekuate për përdoruesit/et e karrocës. Përdoruesit/et e karrocës janë personat me të margjinalizuar në qytet për shkak të mungesës së qasjes. Në shumicën e rasteve rampat e ndërtuar për PAK nuk mund të përdoren sepse ato janë të rrezikshme. 

Po ndalemi te pjesa e punësimit. Në një bisedë që patëm me Antigonën Shestan, ajo theksoi që punësimi i personave PAK si në sektori publik ashtu edhe në atë privat mbetet si problem kryesor. Edhe pse ekziston një ligj për punësimin e PAK, sektori publik dhe ai privat nuk po e zbatojnë ligjin. Për më tepër shumica e vendeve të punës nuk i plotësojnë kushtet bazë për punësimin e PAK. Mirëpo edhe kur të punësohen dhe sigurohen kushtet e nevojshme të punës, duhet patjetër të angazhohet një familjar/e për ta shoqëruar deri në vendin e punës, pasi që qyteti dhe objektet janë të paqasshëm për PAK. Si e vlerëson punësimin e PAK? 

Punësimi ngelet si çështje më problematike për PAK. Ligji për punësimin e PAK nuk respektohet nga sektori privat por edhe nga vetë komuna. Nuk respektohet kriteri i cili është 50 plus 1, pra për 50 punonjës duhet të punësohet një PAK. Mendoj që problemi është te mungesa e vullnetit dhe vetëdijes. Por është edhe një problem tjetër, kjo kategori gjithmonë shikohet dhe trajtohet me mëshirë, gjë që është e papranueshme. Punësimi i PAK është obligim ligjor. 

Përderisa pritet që vetë komuna të kërkojë nga sektori privat respektimin e ligjit për punësimin e kësaj kategorie, shohim që ajo vetë nuk e respekton ligjin.  

Edhe promovimi i bërë nga qeverisja lokale për punësimin e PAK gjatë muajit tetor, janë tërësisht kozmetike. Gjatë këti muaji disa persona me aftësi të kufizuara punojnë disa orë në komunë, ku zakonisht nuk u jepet asnjë përgjegjësi, dhe paguhen në fund të muajit. Kjo qasje është problematike, sepse neve na duhet të integrohemi në tregun e punës dhe jo të trajtohemi me mëshirë. 

Për shembull, qeveria aktuale këtë vit e ka shpallë si vit për PAK, por në anën tjetër nuk ka ndërrmarrë asnjë hap konkret për përmirësimin e jetës së PAK. 

Së fundi, po ndalemi tek politikat apo çështjet që duhet të trajtohen më me emergjencë nga niveli politik?   

Ndërhyrja kryesor që duhet të bëhet nga niveli politik është qasja në të gjitha hapësirat publike për PAK. Kur nuk ka qasje nuk ka mundesi as për punësim, prandaj të gjitha kushtet tjera janë të varura nga qasja.  E dyta është zbatimi i ligjit për punësimin e PAK edhe këtu insitucionet publike duhet të luajnë në rol të rëndësishëm duke monitoruar zbatimin e ligjit. Së fundi është e nevojshme një inspektim më rigoroz për plotësimin e kushteve për PAK, për shembull në momentin që jepet leja për ndërtimin e banesave apo lokaleve duke të sigurohet që ka qasje për këta persona.

Intervistë: Adelina Hasani

© PRIZMA MEDIUM

“Ky shkrim përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.”