Foto: Ferdi Limani

Për vite me radhë, aktivistet feministe kanë arritur të artikulojnë problemin e shtypjes sistematike ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Ato kanë treguar për përvojat personale dhe për frikën që e përjetojnë në hapësira publike. Sa herë që gratë marrin guximin për të ecur vetëm në hapësira publike, veçanërisht natën, ato asnjëherë nuk janë të sigurta, sepse nuk ju ofrohet asnjë siguri. Të jetosh me frikë është normaliteti  i grave në Kosovë. “Më lajmëro kur të arrin në shtëpi” është fjala që më së shpeshti ja thonë gratë njëra-tjetrës. 

Ne gratë jemi edukuar për mbijetesë, jo për një jetë të lirë dhe pa frikë. Koha kur mund të dalim në hapësira publike, hapësirat ku mund të qëndrojmë, janë një ndër “edukimet” fillestar që vajzat e reja marrin nga familjarët. Kur na ndodh me e keqja në këto hapësira, ne fajësohemi që e kemi merituar një gjë të tillë, pasi që nuk kemi se çfarë të kërkojmë në hapësira publike pa mbrojtjen e burrave. Ndërkohë, shumë raste të përdhunimit mbesin në heshtje, pikërisht nga frika e fajësimit të viktimës. 

Për më tepër, sipas statistikave të publikuara nga Kallxo.com, rezulton se 65% të rasteve ka gjasa të mos shkojnë në burg për krime seksuale, duke e bërë sistemin gjyqësor bashkëpunëtor se pse gratë dhe vajzat vazhdojnë të jetojnë në rrezik përdhunimi. 

Si fillim, për ta kuptuar dhunën ndaj grave, duhet ta kuptojnë pushtetin si tërësi – duke i analizuar së bashku të gjitha format e dhunë – si ngacmimin seksual, përdhunimin dhe vrasjet ndaj grave. Ngacmimet seksuale nuk duhet të trajtohen vaçmas nga përdhunimi dhe vrasjet ndaj grave. Është pjesë e vetë strukturës; dhuna fizike dhe seksuale ndaj grave dhe vajzave është vazhdimi i dhunës verbale që e legjitimojnë dhunën. 

Përderisa aktivistet në Kosovë me vite të tëra kanë treguar për dhunën gjinore edhe nga përvoja e tyre personale, tani lufta kundër dhunës gjinore është përgjegjësi e vetë burrave. Është e domosdoshme që lufta kundër dhunës së struktururar të vijë nga vetë burrat, kundër sistemit që u krijon hapësirë burrave të ushtrojnë dhunë fizike dhe seksuale, të legjitimojnë dhunën, të bëjnë komente mizogjene, të ngacmojnë gratë, të bëjnë humor seksist… dhe kjo listë është shumë e gjatë. 

Ashtu siç e tregon edhe bell hooks, shumica e burrave që kanë mendime radikale për drejtësinë sociale, që flasim për punëtorët dhe të varfërit, kur bëhet fjalë për çështje gjinore, ata janë po aq seksistë sa bashkëpunorët e tyre konservatorë.  Prandaj, është koha ta bëjmë këtë ndarje radikale. Burrat duhet të marrin përgjegjësin për këtë dhunë, për demastikin e përdhunuesve, për largimin e këtyre përdhunuesve e ngacëmuesve seksual nga hapësirat publike e private. 

Trajtimi i dhunës ndaj grave si emergjencë kombëtare

Pyetja që vazhdon të mbetet në kokë është se çfarë ndodhim me trajtimin e dhunës ndaj grave si emergjencë kombëtare. Nëse shteti refuzon të na trajtojë ne gratë dhe vajzat si qytetarë të barabartë të këtij vendi, atëhere ne duhet t’i imponohemi këtij vendi. Me thirrjen kryesore, “duam të jetojmë, të lira dhe pa frikë”. Nëse nuk po përmbushet detyra kryesore e shtetit që është të garantojë jetën tonë, atëherë i gjithë aparati shtetëror duhet të paralizohet, sepse jeta jonë ka vlerë!

Nëse nuk ka siguri për ne, atëherë do të solidariohemi në rrugë për të bërë hapësira të sigurta, duke u bërë roje për njëra – tjetrën. Derisa shteti të vendosë të përmbush detyrat e tij.

Ne kemi nevojë për institucione që na ofrojnë siguri, një sistem të drejtësisë që merr me prioritet zgjidhjen e dhunës me baza gjinore, gjykatat që nuk i favorizojnë përdhunuesit, shkolla që flasin për edukimin seksual, mbi gjitha një sistem që mbron jetën dhe lirinë e grave. Deri atëherë, duhet të qëndrojmë në rrugë, për të garantuar sigurinë e njëra – tjetrës, duke i larguar përdhunuesit nga hapësirat tona publike e private.

✎ Adelina Hasani

Fotografia e ballinës: Ferdi Limani

© PRIZMA MEDIUM