Foto: Ferdi Limani

Studimet në Prishtinë e zurën vendin e entuziazmit dhe e ndanë Burimin për një kohë nga lojërat me aparat. Nuk ishte e lehtë kur u detyrua të zhvendoset për në Bodrum të Turqisë për të punuar. Por kjo e kishte një efekt kthimi pas dhe ia rizgjoi kurreshtjen për fotografinë.

Në mungesë të aparatit u detyrua të shkoja në Stamboll, në tregun e dikurshëm polonez ku shiteshin gjësende të vjetra, kryesisht të sjellura nga shtetet socialiste.
Pas kthimit në Bodrum iu vu punës dhe ky qe fillimi i karierës së Burimit.
“Aty në Bodrum dhe në rrethinë kishte gara të deveve dhe shumë njerëz interesant të cilët fillova t’i fotografoja, por me përfundimin e sezonës turistike qyteti zbrazej dhe nuk kishte më asgjë. Për fat e kisha një Vespë. Aparatin me vete i shëtisja fshatrat një nga një.”

Nuk u ndal këtu. Mori pjesë në fotomaratonën e Stambollit dhe fitoi jo një por dy vende. Fotografitë e Burimit u shpërblyen me vendin e dytë dhe të tretë dhe më pastaj u bë edhe anëtar i IFSAK, Shoqatës Stambolliote të Fotografëve dhe Sineastëve Amatorë.
Revistat dhe publikimet e shoqatës të cilat i pranonte me postë në Bodrum e ushqyen më tej deri në kohën kur e gjeti veten duke u marrë tërë kohën me fotografi.

Pasi u bë prind dhe duhej që të birin ta edukonte në Kosovë, në vitin 1997 u kthye nga Turqia ku jetoi thuaja se 10 vite. Situata e vështirë e detyroi të migronte përsëri. Kësaj radhe shkoi në SHBA ku u vendos në shtetin e Connecticut. Siç e thotë edhe vet Burimi “Aty e gjeta ushqimin shpirtëror” kur trokiti në derën e Këshillit të Arteve të New Haven dhe mori pjesë në takimet e rregullta të Photo Arts Collective ku organizonin ngjarje dhe takime të fotografëve, ekspozita personale dhe kolektive. Ishte pikërisht këtu ku e hapi ekspozitën e tij të parë personale, në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Universitetit Yale në New Haven. Por fotografitë që i ekspozoi nuk ishin ato të cilat i kishte bërë në SHBA. 

Pas largimit nga Prishtina ku jetoi deri në vitin 1999, i kishte mbetur e gjithë arkiva pa mbikëqyrje. Për fat, forcat paramilitare serbe që kishte plaqkitur shtëpinë ku banonte i kishin hedhur gjithandej nëpër oborr dhe dhoma me qindra sllajde dhe negativë. “I kërkova dikujt të shkonte në shtëpi dhe t’i mblidhte ato”. Pasi pranoi në SHBA materialet e gjetura në një pako organizoi ekspozitë me fotografi të cilat i kishte krijuar vite më parë në Kosovë.

Ekspozita e titulluar “Kosova mon amour” ishte e përbërë nga 24 fotografi të cilat Burimi i zgjodhi me kujdes për të paraqitur një anë tjetër të Kosovës prej asaj të cilën publiku amerikan ishte mësuar ta shihte në CNN, ku vendi ynë vazhdimisht paraqitej me vuajtje dhe çdo gjë ndërlidhej me luftën.

Në vitin 2001, ishte fotografi tashmë i ndjerë Naim Shala i cili e ftoi Burimin të merrte pjesë në një ngjarje fotografike. Fjala ishte për ekspozitën Gjon Mili, ishte ngjarja e parë e fotografisë artistike e cila synonte të ishte tradicionale. Fotorafia ikonike e Myftiut, ‘plaka Fatime’ fitoi çmimin e parë dhe kështu Burimi u detyrua të kthehej në Kosovë, së paku për disa javë.
Sidoqoftë ngjarjet e 11 Shatorit e zunë në Prizren teksa shikonte lajmet në një televizor pa zë në çajtoren Menta. “Nuk dija se çka po ndodhë, pyesja veten nëse kishte filluar lufta e tretë botërore.”

Pas kthimit nga SHBA në 2002 e hapi një tjetër ekspozitë personale në Pallatin e Rinisë. E quajti ‘Voyage’ pasiqë fotografitë e ekspozuara ishin një përmbledhje e vendeve të ndryshme në SHBA dhe e ftonin publikun në një udhëtim. Më tej hapi ekspozitë me disa cikle në Galerinë Kombëtare, ekspozoi në vende tjera të rajonit dhe në Europë. Në Galerinë Kombëtare në Shkup e bëri një hap më tej kur kombinoi fotografi bashkëkohore me video instalacione dhe performancë artistike në bashkëpunim me kreatorin e modës Izet Currin. 

Pasiqë fotografia e Myftiut mori drejtim bashkëkohor, ai filloi të interesohej edhe për organizimin e ekspozitave për të tjerët. Kështu në vitet e para të DokuFestit mori pjesë në organizimin e ekspozitës së fotografisë dokumentare DokuFoto. Vitin e parë ishte një ekspozitë, në vitin e dytë u bënë pesë ekspozita, thotë ai. DokuFesti filloi me idetë e fotografëve si Vetoni, Samiri dhe Ferdi, dhe fotografia e përcolli në organizimin e ekspozitave. Ishte viti 2004 kur përpos Hamamit u ekspozuan fotografi edhe në sahat Kullë dhe në disa kafeteri të qytetit. 

Asokohe në kulturën tonë fotografi shihej si një njeri i cili bënte fotografi për pasaportë apo ndonjë punë të porositur, nuk dihej për punën e fotografëve dokumentar. Prandaj etja jonë për fotografi na shtyu që të ftonim fotografë me renome nga agjencia Magnum që të ekspozonin fotografitë e tyre në Prizren. E gjithë kjo ndihmoj që të zhvillohej kultura fotografike në vend ku tashmë e kemi ekspozitën tradicionale Gjon Mili apo DokuFoton.

Ishte Arben Aliaj, drejtori i festivalit të fotografisë Fokus në Fier i cili e ftoi Burimin të jetë pjesë e një ekipe me Elton Koritarin dhe Osman Demirin në mënyrë që Fokus të ngritej në nivel më të lartë si organizim fotografik. Puna vullnetare e bëri të mundur që të ekspozoheshin fotografë ballkanik dhe më gjerë. Kjo e solli edhe një festival tjetër të fotografisë në Maqedoni të cilin e organizoi Osmani dhe një në Korçë, ku na ftoi kryetari i bashkisë për të bërë një ngjarje fotografike me rastin e hapjes së muzeut Gjon Mili. “Me një fjalë kudo që ka fotografi dokumentare bardhë e zi aty gjithnjë jam edhe unë. Bile bëheshin edhe shaka kur thonin se Burimi po të kishte fuqi mbinatyrore do ta kthente botën në bardh e zi”. Por nuk është e vërtetë pasiqë fotografitë konceptuale me tema bashkëkohore gjithnjë i bën me ngjyra, por siç thotë Burimi “kur fotografia dokumentare apo fotografi që i paraqet njerëzit, është më e fortë kur eleminohen ngjyrat dhe mbetet vetëm karakteri i njerëzve.” 

Në pyetjen se çka mendon për fotografinë në vendin tonë Burimi thotë se në vendin tonë ka shumë fotograf të talentuar dhe në nivel me ato të agjensive si VII (seven) apo Magnum, vetëm se është gjithnjë barriera e kufinjëve ajo që i bllokon fotografët tanë të shihen jashtë vendit dhe ta marrin meritën, “izolimi po ndikon negativisht në zhvillimin e fotografisë në Kosovë”.

“Tani e ka radhën Prishtina, ku dikund kah fundi i verës do të ketë një ngjarje, takim fotografik. Në një kohë të shkurtër deri në pesë ditë do t’i sjellë disa ekspozita të rëndësishme europiane të fotografisë.” Myftiu këtë ngjarje po e quan Fotoist dhe tash e një kohë po punon në këtë drejtim. 

Për fund këshilla e Burimit për fotografët e rinjë është që të lexojnë për fotografinë dhe të bëjnë sa më shumë fotografi. Sipas tij në këtë mënyrë mund të arrihet pjekuria në fotografi.

Intervistë: Ferdi Limani

© PRIZMA MEDIUM