“Gratë nuk janë të interesuara të kyçen në politikë”, është komenti që bëhet zakonisht nga burrat që gëzojnë pushtet, për t’a justifikuar pjesëmarrjen e ulët të grave në vendimmarrje. Përderisa diskursi publik dominohet nga të tilla komente, reduktohet edhe hapësira për të diskutuar rreth shtypjes ekonomike që bëhet ndaj grave; mungesës së kapitalit nga gratë për t’a financuar dhe marrë pjesë në fushatë zgjedhore; mungesës së vullnetit politik për t’i mbështetur kandidatet gra; mungesës së politikave konkrete të subjekteve politike për barazi gjinore; stigmatizimit të rolit të grave në shoqëri dhe shume problemeve tjera thelbësore që pengojnë pjesëmarrjen aktive të grave në jetën politike dhe publike. 

Angazhimi politik dhe pjesëmarrja e barabartë e grave dhe burrave në të gjitha proceset politike e ekonomike janë parakushte për arritjen e drejtësisë dhe barazisë në shoqëri. Ndërsa, në praktikë gratë vazhdojnë të ballafaqohen me vështirësi të shumta për t’i ushtruar të drejtat e tyre elementare. Kjo shumë shpesh vije si rrjedhojë e mungesës së vullnetit politik. 

Përfaqësimi i ulët i grave në komuna, ka bërë që politika në nivelin lokal të konsiderohet tërësisht si fushëbetejë e burrave. Integrimi i perspektivës gjinore veçanërisht në politikbërjen lokale mbetet një sfidë e madhe për nivelin komunal. Deri më tani në Kosovë, hartuesi i politikave publike për barazi gjinore ka qenë niveli qendror, ndërsa komunat nuk kanë luajtur ndonjë një rol aktiv për sigurimin e barazisë gjinore në vendimmarrje. 

Ndonëse baraza gjinore nuk vie paralelisht me përfaqësim, përfaqësimi në pozita institucionale dhe politike është i domosdoshëm. Në zgjedhjet komunale të vitit 2017, nga 204 kandidatë për kryetarë komunash vetëm 4%  ishin gra.

Fakti që 38 komuna të Kosovës janë të drejtuara nga burrat, vulosë që gratë në politika komunale janë “inekzistente”. Gratë mbajnë 35% të të gjitha ulëseve të kuvendeve komunale në Kosovë, ndërsa ky diskriminimi thellohet më shumë tek gratë rome, ashkali dhe egjiptiane; ku asnjë grua nga këto komunitete nuk janë të përfaqësuara në kuvende komunale.

Nga 420 pozita në kuadrin ekzekutiv komunal vetëm 119 prej tyre janë gra.

Ndonëse janë ndërmarrë shumë iniciativa, sidomos nga shoqëria civile, për arritjen e barazisë gjinore dhe përmirësimit të gjendjes sociale dhe ekonomike të grave dhe vajzave nëpër gjitha komuna të Kosovës, ato asnjëherë nuk janë përkthyer në politika konkrete nga subjektet politike. Ndërkaq, Ligji për barazi gjinore i cili konsiderohet si një ndër ligjet me të rëndësishem për garantimin e barazisë gjinore, ku parasheh 50% të përfaqësimit gjinor – në çdo mekanizëm dhe nivel të pjesëmarrjes në jetën politike dhe publik – nuk është implementuar nga subjektet politike, dhe as nga komunat. 

Pa dyshim se mungesa e përfaqësimit të grave në komuna ka ardhur si rezultat i pabarazisë së grave brenda subjekteve politike dhe mungesë së mekanizmave avancues për përkrahjen e grave në garën zgjedhore. Edhe pse subjektet politike në Kosovë – sidomos gjatë fushatave zgjedhore – barazinë gjinore e kanë pjesë të pandashme të retorikës së tyre, kjo zakonisht mbetet vetëm në nivel të deklaratave. Deri më tani, barazia gjinore nuk është trajtuar si prioritet nga subjektet politike, por më shumë ka luajtur një rol simbolik në platformat e tyre politike. 

Gjersa po afrohen zgjedhjet lokale, subjektet politike duhet të bëjnë hapa serioze për rritjen e përfaqësimit të grave në komuna, duke respektuar Ligjin për barazi gjinore. Duhet hartuar politika që kanë të integruar perspektivën gjinore dhe që stimulojnë pjesëmarrjen aktive të grave në jetën politike dhe publike. Por, mbi gjitha, subjektet politike duhet të demokratizohen duke siguruar përfaqësimin e grave në mënyrë të barabartë në të gjitha proceset vendimmarrëse, mbështetje financiare të barabartë në mes të kandidatëve gra dhe burra. Duhet hartuar programe politike që kanë të integruar perspektivën gjinore – që tregojnë konkretisht se si do t’i adresojë problemet me të cilat ballafaqohen gratë në komuna. 

Zgjedhjet lokale duhet të shërbejnë si pikënisje për ta problematizuar tjetërsimin/ përjashtimin e grave nga pushteti lokal, duke e kthyer barazinë gjinore në qendër të diskutimit. Pa dyshim, për të siguruar përfaqësimit të barabartë në nivelin komuna, barazia gjinore duhet të trajtohet në nivelin politik. 

© PRIZMA MEDIUM