Foto: Oral History Kosovo

✎ Bengi Muzbeg, Tevfik Rada

Në artikullin e fundit kemi diskutuar për zhvillimin e kinemasë në Kosovë deri në Luftën e Dytë Botërore. Nën Mbretëri, kinemaja nuk ishte plotësisht e institucionalizuar, ajo përparoi me iniciativën e sipërmarrësve të vegjël privatë. Së bashku me Luftën e Dytë Botërore ka ndodhur edhe rënia e sistemit të monarkisë dhe sipërmarrjeve private, ndërsa me krijimin e Jugosllavisë Socialiste kinemasë i është kushtuar një rëndësi e madhe, duke krijuar zonat e prodhimit, shpërndarjes dhe shfaqjes, në rend të parë në përputhje me Bashkimin Sovjetik; kurse më pas (1948) ky sistem u riformua mbi bazën e decentralizimit. Sidomos gjatë viteve 1950-1960 u hodhën hapa të rëndësishëm për masivizimin e kinemasë. Si në Jugosllavi ashtu edhe në Kosovë filluan të ndërtohen sallat e kinemasë, në shkurt të vitit 1952 në Kosovë u hapën kinematë Bistrica-Lumbardhi në Prizren dhe kinemaja Omladina-Rinia në Prishtinë. 

Njësia e Kinemasë, e cila u themelua në vitin 1944 nga Ushtria Popullore Jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shndërrua në Korporatë Kinematografike të Ushtrisë Popullore Jugosllave më 3 korrik 1945. Institucioni i Kinemasë si një nga institucionet jugosllave i formuar në përputhje me modelin e aplikuar nga BRSS; është formuar si një njësi në varësi të Ministrisë së Arsimit, buxheti i së cilës sigurohej nga shteti. Një vit më vonë, në qershor të vitit 1946, u krijua Komiteti i Kinematografisë, organi më i lartë i kinemasë; Aleksandar  Vučo një shkrimtar i respektuar dhe një nga themeluesit e ekipit të surrealizmit të Beogradit të viteve 20, u emërua kryetar i komitetit nga vetë Josip Broz Tito. Komiteti i Kinematografisë duke përfshirë zhvillimin e kinemasë në Jugosllavi ishte plotësisht i autorizuar edhe për çështje të rëndësishme si, botimin e revistave dhe librave kinematografik, xhirimin e filmave edukativë e dokumentarë si dhe shpërndarjen e filmave të huaj.

Vučo;  deklaroi se kinemaja jugosllave duhet të jetë informuese për luftën heroike çlirimtare dhe për hapat revolucionarë të ndërmarrë pas luftës, të cilat do t’u mundësojnë popullit të Jugosllavisë të mburren me të kaluarën e tyre; “veprat e kineastëve jugosllavë duhet të jenë informuese dhe jo estetike. Artistët jugosllavë nuk duhet të jenë xhelozë për mundësitë teknike të përdorura nga vendet perëndimore, sepse kinemaja jugosllave në vend që të ishte estetikisht e këndshme për syrin mori përsipër përgjegjësinë për të informuar publikun në vend, gjë që njerëzit tanë e presin nga artistët dhe meritojnë të informohen për këto çështje,” theksoi ai.

Ecuria e kinematografisë jugosllave në këtë drejtim u rikthye gjatë konfliktit mes Jugosllavisë dhe BRSS-së në vitin 1948 dhe u ndërpre plotësisht në 2 vitet e ardhshme. Që nga viti 1950, struktura e vetëmenaxhimit është aplikuar edhe në fushën e kinemasë. Reflektimi i praktikës së vetë-menaxhimit në kinema fillimisht u shfaq në formën e pastrimit të industrisë kinematografike jugosllave nga modeli sovjetik. Kinematografia e Jugosllavisë së Re më 1950; është ndarë në prodhimin e filmit, tregtinë e filmit dhe së treti në shfaqjen e filmit. Prej tyre, prodhimi i filmit u vlerësua në kuadër të “Rëndësisë së veçantë kulturore”, tregtia e filmit u vlerësua në kuadër të “Tregtia e brendshme dhe e jashtme”, dhe distributori dhe shfaqja e filmit u vlerësuan nën “Shërbimin”. Me ligjin e kinemasë të miratuar në vitin 1956, vendimi për subvencionimin e prodhimit të filmit nga buxheti i shtetit u hoq dhe u vendos një taksë prej 17%-23% në të gjitha biletat e kinemasë. Të ardhurat nga tatimi u transferuan drejtpërdrejt në kompanitë vendase të prodhimit të filmit dhe kinemaja jugosllave filloi të ringjallej. Derisa zhvillimet institucionale u përjetuan në mbarë Jugosllavinë, nisma të vogla u kryen edhe në Kosovë.

Kulturno-Propagandni Centar (Qendra për Kulturë-Propagandë) është themeluar në Prishtinë më 11 dhjetor 1960. E themeluar nën presidencën e Rade Djuric, departamenti i prodhimit filmik të qendrës funksiononte me emrin Kos-Met Film. Detyrat kryesore të qendrës u përcaktuan si në përkthimin e filmave, krijimin e stafit teknik, koordinimin e kinemave udhëtuese dhe ofrimin e mbështetjes teknike për shfaqjen 16 mm. Prodhimi dhe shpërndarja e filmit u vlerësua gjithashtu në kuadër të përgjegjësisë së qendrës. Në vitin 1966, qendra xhiroi filmin e saj të parë, të titulluar Ekselencije: Kad bi sva deca sveta, i cili u shkrua nga regjisori i teatrit të Prishtinës Slobodan Popiç dhe me regji të regjisorit beogradas Zdravko Velimiroviç. Filmi, objekt i të cilit ishin intervistat poetike të mbajtura në një klub fëmijësh, tërhoqi vëmendjen e madhe në botë. Ky film, i cili u shfaq në më shumë se 100 vende nga UNICEF, fitoi çmime dhe u prit me interes në Oberhausen, Moskë, Teheran dhe shumë vende të tjera. Qendra më vonë prodhoi 6 filma të tjerë dokumentarë. Mes tyre janë filmat Skenderbeg (Zdravko Velimiroviç) dhe Një Lindje (Ekrem Kryeziu). Në vitin 1968 u xhirua filmi i parë shqiptar në Kosovë me skenarin e Abdurrahman Shalës dhe Murteza Pezes, nën regjinë e Miki Stamenkoviçit. Filmi Uka i Bjeshkëve të Nemura (1968) u shfaq në më shumë se 40 vende. 

Në vitin 1962, Ligji i Filmit u rishikua dhe zhvillimi i tij u inkurajua duke marrë parasysh dallimet kulturore në të gjitha republikat. Me iniciativën e Abdurrahman Shalës u themelua dega e Slavija Film në Prishtinë. Por, për shkak të problemeve administrative, kjo degë u mbyll për një kohë të shkurtër. Më 20 shkurt 1969 u themelua institucioni Kosovafilm nga Kuvendi i Kosovës dhe kryetar i tij u emërua Abdurrahman Shala. Me themelimin e Kosovafilmit, Qendra e Kulturës dhe Propagandës u mbyll dhe detyrat e saj i kaluan Kosovafilmit. Kosova është rajoni i fundit në Jugosllavi që ka një institucion të vërtetë të prodhimit dhe shpërndarjes së filmit. 

Logoja e Kosovafilm-it

Për krahasim, institucioni Neoplanta në Vojvodinë, një rajon tjetër autonom i Jugosllavisë, është themeluar në vitin 1966, disa vite para Kosovafilm. Kosovafilm fillimisht u fokusua në projekte të përbashkëta. Në këtë kontekst, filmi Rekvijem (1970) me regji të Caslas Damjanovicit është xhiruar në bashkëpunim me Filmom Danas, ndërsa filmi Prva Ljubav (1970) është xhiruar sërish me Filmski Novosti me regji të Zoran Calic. Ky film është një nga filmat më të ndjekur të Jugosllavisë dhe në të cilin rolin kryesor e zotëronte Faruk Begolli. Përveç kësaj janë xhiruar filma si Moja Luda Glava (1971 – Vuk Vuca), Kondori (1970 – Zoran Calic). Filmi është xhiruar nga Umir Krvi (1971 – Zdravko Velimiroviç) në bashkëpunim me FRZ me qendër në Beograd dhe bëhet fjalë për familjet shqiptare në Mal të Zi që i japin fund gjakmarrjes. Filmi u zgjodh si filmi më i mirë dokumentar në Festivalin e Filmit të Shkurtër dhe në Festivalin Dokumentar të Beogradit. Kako Umreti – Si e Vdiset (1972), me regji të Miomir Stamenkoviç, ishte filmi i parë i prodhuar vetëm nga Kosovafilm pa mbështetjen e një kompanie tjetër produksioni. Abdurrahman Shala u kritikua dhe u shkarkua në vitin 1975, me arsyetimin se luftën antifashiste të Jugosllavisë e interpretoi me gjuhë qesharake në filmin Crveni Udar. Shkrimtari Azem Shkreli u emërua drejtor i Kosovafilm, duke zëvendësuar Shalën. Gjatë periudhës së Shkrelit, Kosovafilm u fokusua më shumë në produksionet kosovare. Në këtë kuadër ishte xhiruar dokumentari “117” i Besim Sahatçiut dhe filmi “Kur Pranvera Vonohet” me regji të Ekrem Kryeziut. Skenari i filmit është bërë nga Azem dhe Imer Shkreli, bazuar nga ditarët e ditëve të luftës së Fadil Hoxhës. Ky film fillimisht ishte planifikuar të bëhej nga Zivojin Pavlovic. Megjithatë, Pavlovic u pa si “i kundërshtueshëm” nga qeveria e asaj periudhe, dhe gjatë një kohe thuhej se xhirimi i filmit do të realizohej nga Bekim Fehmiu dhe përfundimisht filmi u realizua nga regjia e Ekrem Kryeziut. Filmi “Era dhe Lisi” është xhiruar nga Besim Sahatçiu në vitin 1979 në kuadër të Kosovafilm dhe ky film ka arritur sukses të madh. Skenaristi i filmit Petrit Imami është vlerësuar me çmimin “Arena e Artë” në festivalin e filmit të mbajtur në Pula. Kosovafilm po ashtu në vitet 1980’ta ka prodhuar filmat, si:  Gjurmët e bardha (1980 – Ekrem Kryeziu), Lepuri me pesë këmbë (1982 – Ismail Ymeri), Proka (1984 – Isa Qosja), Njeriu prej dheut (1984, Agim Sopi), Pikniku (1986 – Emin Halili), Rojet e mjegullës (1988 -Isa Qosja). Paralelisht me zhvillimet negative politike, Kosovafilm u mbyll në prill të vitit 1993.

© PRIZMA MEDIUM

*Kjo përmbajtje është përgatitur me mbështetjen e CHwB Kosova dhe platformës GërrGërr

Disa burime të përdorura:
Goulding, Daniel J (2004) Jugoslovensko Filmsko Iskustvo 1945 – 2001, Çev. Luka Bekavac, (Zagreb: Publikimet VBZ).
Kosanoviç, Dejan (1985) Filmske Proizvodnje u Jugoslaviji, 1. Basım (Beograd: BİGZ -Jugoslavija Film Press).
Volk, Petar (1975) Svedocenje, Hronika Jugoslovenskog Filma 1945 – 1970 (Beograd: NIP Knjizevne Novine)
Imami, Petrit (2012), Film Na Kosovu Posle Drugog Svetskog Rata, Novi Filmograf, Beograd.
Arkiva e Gazetës Rilindja