Kosova u njoh me Dokufestin që nga viti 2001, dhe më pas njohu Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Animuar – Anibar, i cili shfaqi këto filma në qytetin e Pejës. Këto festivale nuk janë më vetëm një medium për shfaqjen e filmave, por ato janë shndërruar në institucione që mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrën, ndërgjegjësojnë për pabarazinë gjinore, u japin mundësi segmenteve të ndryshme për t’u shprehur dhe për të marrë iniciativën për të ndikuar, dhe madje për të përcaktuar politikat kulturore të vendeve.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar – Anibar mbahet për herë të 13-të këtë vit dhe çdo vit bën përparim të madh në aspektin e institucionalizimit. Me Arba Hatashin, drejtoren e Festivalit të Filmit të Animacionit – Anibar, i cili do të hapet më 13 korrik, patëm një bashkëbisedim për festivalin, ngjarjet e zhvilluara në kuadër të festivalit dhe marrëdhëniet mes qytetit dhe festivalit.

Foto: Elmedina Arapi

Tema e festivalit këtë vit është “Bestytnitë’. Si e përkufizuat konceptin, a mund të jepni disa detaje se çfarë përfshinë?

Duke marrë parasysh se ky është edicioni i 13-të dhe se ky numër konsiderohet si një numër me fat të keq, kemi vendosur që për këtë edicion ta kemi si temë besëtytnitë. Idetë e fatit dhe besëtytnive ndryshojnë midis kulturave në mbarë botën. Prandaj është diçka shumë interesante ky krahasim i besimeve të ndryshme midis kulturave të ndryshme. Duke marrë parasysh se sa shumë njerëzit besojnë në besëtytni kemi vendosur që t’i tregojmë këto histori përmes festivalit tonë.

Le të flasim pak për programin e festivalit. Programi i filmit përbëhet nga 8 kategori. A mund të flasim më shumë për këto kategori?

Si çdo vit edhe këtë vit do të kemi kategoritë garuese. Kategoritë garuese do të jenë këto: Gara ndërkombëtare (filma të shkurtër të animuar nën 30 minuta, nga çdo vend i botës), Gara studentore (filma të shkurtër të animuar nën 30 minuta, të realizuar në kuadër të studimeve universitare, përfshirë filmat e diplomimit, nga çdo vend i botës), Gara Ballkanike (filma të shkurtër të animuar nën 30 minuta, të prodhuar në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Greqi, Slloveni, Turqi dhe Rumani), Gara për të Drejtat e Njeriut (filma të shkurtër të animuar nën 30 minuta, nga çdo vend i botës), Gara e filmit të metrazhit të gjatë (filma të animuar me metrazh të gjatë se 30 minuta, nga çdo vend i botës), Gara e videove muzikore (klipe muzikore të animuara nën 10 minuta, nga çdo vend i botës) dhe Gara për fëmijë dhe adoleshentë (filma të shkurtër nën 30 minuta që prodhohen për audiencën e fëmijëve, nga çdo vend i botës). Gjithsesi nuk do të mungojnë panelet, punëtoritë, prezantimet nga animatorë profesionist dhe koncertet gjatë mbrëmjeve. Të gjithë emrat e mysafirëve tanë për këtë edicion do t’i publikojmë së shpejti në rrjetet tona sociale së bashku me programin e plotë. 

Gjithsej këtë vit do të kemi 233 filma të shkurtër dhe të gjatë të animuar, nga 81 shtete të botës. Filmat dhe programet të cilat do të shfaqen do të vlerësohen nga katër grupe të jurive të cilat përbëhen nga 16 persona profesionist ndërkombëtarë dhe vendor. 

Foto: Anibar

A mund të flasim për vendet ku do të mbahet festivali? Përveç kinemasë “Jusuf Gërvalla”, cilat ambiente të tjera po i ktheni në kinema apo hapësirë eventesh?

Festivali i Animacionit Anibar ka katër kinema kryesore për shfaqjen e filmave përgjatë festivalit. Ato janë: Kinema “Jusuf Gërvalla”, Kino Kubat, Kino Liqeni dhe teatri Istref Begolli. Përveç hapësirave të kinemave ku do të shfaqen filmat, festivali shtrihet në të gjithë qytetin duke përdorur edhe Galerinë e Arteve për programe të ndryshme, dy qendra rinore në qytetin e Pejës, shkollat profesionale atë të muzikës dhe të arteve, dhe aktivitete të tjera përcjellëse në hapësira të ndryshme.

Përveç se festival i filmave të animacionit, Anibar organizon edhe evente të ndryshme anësore…

Po, këtë vit do të kemi programet e edukimit të cilat përfshijnë katër punëtori për grupmosha të ndryshme, dhe tri masterklasa profesionale, tri prezantime nga animatore ndërkombëtarë, katër programe speciale të kuruara, pesë panele të diskutimit, një program të ri i cili do t’i shtohet festivalit, një ekspozitë, dhe shtatë koncerte muzikore.

Gjithçka duket shumë mirë, Ju uroj një festival të suksesshëm. Nëse dëshiron, le të vazhdojmë bisedën tonë duke folur për themelimin e Anibarit. Cila ishte arsyeja kryesore që ju shtyu të organizoni një festival të tillë?

Një nga arsyet kryesore të themelimit të festivalit ka qenë që të promovohet animacioni si formë e artit, që nuk është eksploruar me herët në Kosovë. Gjithashtu, të inkurajohen të rinjtë që të diskutojnë dhe veprojnë për çështje sociale me rëndësi për shoqërinë. Festivali është krijuar nga të rinj vullnetar, me dëshirë dhe vullnet për të dhuruar më shumë për qytetin dhe regjionin dhe vazhdon të ketë një frymë të tillë.

Foto: Anibar

Ne e dimë se shoqëria kosovare i është nënshtruar kufizimeve të ndryshme për shumë vite. Ajo që dua të pyes është se si i kuptoni festivalet që u krijuan në vitet 2000 e më pas, pjesë e të cilave është edhe Anibar. A mund të funksionojnë festivalet si rebelim apo ndikim në politikat kulturore dhe shoqërore të shteteve. 

Një nga synimet e Anibar ka qenë të përdorë animacionin dhe kulturën për të bërë ndryshime në politika shoqërore dhe kulturore përmes aktivizmit. Ne besojmë se duke përdorur forma të ndryshme të artit si medium për ndryshim ka rezultuar të ketë ndikim të dëshmuar dhe do të vazhdoj të luaj një rol me rëndësi në jetën shoqërore në Kosovë. Dhe ky është qëllimi i tematikave që Anibar trajton çdo edicion të festivalit.    

Çfarë lidhje ndërtoi Anibar me qytetin e Pejës? Si ishte ndërveprimi midis transformimit të Pejës dhe formimit të festivalit? Me fjalë të tjera, derisa festivali e transformoi Pejën, si ndikoi Peja në festival? Marrëdhënia mes qytetit dhe festivalit më ka tërhequr gjithmonë vëmendjen. A Mun të ndani përvojat tuaja në lidhje me këtë temë?

Të rinjtë e Pejës ishin ata që ideuan dhe realizuan Festivalin Anibar dhe vazhdojnë të shtyjnë para gjithë idenë fillestare, andaj edhe vetë festivali ka një lidhje të ngushtë me shoqërinë pejane.

Organizata Anibar ka punuar përgjatë viteve që t’iu përgjigjet nevojave të qytetarëve të Pejës dhe rrethinës për aktivitete kulturore kështu edhe duke marr në menaxhim Kinemanë e vetme në Pejë, Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar është aktiviteti kulturor më i madhi në qytetin e Pejës dhe punëson më shumë se 40 të rinj dhe 50 vullnetarë nga vendi dhe secili nga ta kanë rëndësi të pazëvendësueshme për ne. Peja i ofron festivalit ambiente të veçanta të cilat e karakterizojnë Anibar-in dhe e bëjnë më atraktiv për pjesëmarrësit dhe ofron mundësinë e realizimit të më shumë se 60 aktiviteteve përgjatë javës së Festivalit. Gjatë ditëve para dhe gjatë festivalit mbizotëron një energji e veçantë që e karakterizon Anibar-in dhe lidhjen e saj me qytetin e Pejës. 

Foto: Anibar

Së fundi, dua të iu pyes këtë. Me edicionin e 13-të të këtij viti, Anibar çfarë mesazhi synon t’i japë botës dhe shoqërisë kosovare? 

Duke marrë parasysh temën që kemi përzgjedhur për këtë edicion, synimi ynë ka qenë ndërlidhjet dhe ngjashmëritë mes kulturave të ndryshme anë e mbanë botës. Ndonëse për disa, bestytnitë mund të duken të liga e të pa arsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme. Ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm se na afrojnë, por ato gjithashtu prirën të na japin arsye të paimagjinueshme ose shpjegime mbi atë se përse ndodhin disa gjëra. Nganjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni. Pra mesazhi ynë është që ta respektojmë dhe ta duam kulturën tonë dhe vendin prej nga vijmë, sepse ruajtja dhe trashëgimi i kulturës ruan integritetin tonë si popull.

Intervistë: Bengi Muzbeg

© PRIZMA MEDIUM