Dhuna ndaj grave nuk mund të luftohet me mjete simbolike
Adelina Hasani
Dhuna ndaj grave nuk mund të luftohet me mjete simbolike
Të gjitha shtëpitë në librin “Herland” të autores feministe Charlotte P. Gilman janë të minimizuara, ndërsa të gjitha hapësirat publike janë të zmadhuara, pasuruara dhe të zbukuruara. Kështu, përmes këtyre imazheve ajo përpiqet t’i japë fund skllavërisë së grave brenda shtëpisë. Gratë duhet të lirohen nga “shtëpia”, nga dhuna e cila kryesisht ndodh pas mureve të shtëpisë. Shtëpia si koncept social duhet të dekonstruktohet dhe dhuna ndaj grave duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare – pa asnjë kompromis.
Udhëheqësit politikë në Kosovë dhunën ndaj grave mundohen ta lufojnë me mjete simbolike. Ashtu sikurse edhe 16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, dhunën e konsiderojnë sikur disa ditë – që në mënyrë simbolike, duke u veshur ngjyrë protokalli – të solidarizohen me gratë që përjetojnë apo kanë përjetuar dhunë. Dhuna e cila është e shtrirë në gjitha celuat e shoqërisë dhe në një vend ku çdo e treta grua ka përjetuar dhunë në forma të ndryshme, nuk mundet të luftohet apo parandalohet me mjete simbolike. Madje, diskursi i normalizuar mizogjen i cili përdoret në institucionet më të larta shtetërore – si Kuvendi i Kosovës – deri tek debatet televizive; lajmet që raportojnë pothuajse çdo ditë dhunën dhe vrasjet ndaj e grave; duket se nuk mjaftojnë që institucionet shtetërore dhe liderët politikë të marrin përgjegjësinë e tyre dhe të ndërmarrin hapa konkretë për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që kur flasim për dhunën, të flasim në detaje për çdo formë të dhunës. Të flasim me emra dhe mbiemra, për të gjithë ata që mundohen ta legjitimojnë dhe mirëmbajnë këtë dhunë në mesin tonë. Për të kuptuar mizogjininë apo dhunën ndaj grave, së pari duhet të shohim se si keqpërdoret pushteti në tërësi, dhe t’i analizojmë së bashku të gjitha format e dhunës, si përdhunimin, ngacmimin dhe vrasjet ndaj grave. Pra, si një keqpërdorim të pushtetit, dhunën duhet ta kuptojmë se si ajo është e bartur nga shtëpia, në rrugë dhe në të gjitha institucionet tjera publike dhe private.
Prandaj, kur i gjithë sistemi patriarkal vazhdon të mirëmbahet dhe institucionet publike vazhdojnë të heshtin përballë kësaj dhune – nuk mjafton lufta “simbolik” kundër dhunës ndaj grave, ashtu sikurse nuk mjaftojnë as thirrjet për raportimin e dhunës. Nuk mundemi që parandalimin e dhunës ndaj grave ta reduktojmë vetëm në raportim. Ndërkohë kur jo më larg se një muaj, një dhunues seksual i një vajze 15 vjeçare u dënua me vetëm me 8 muaj e 8 ditë burgim. Madje, këtë dënim të ulët, Gjykata e arsyetoi me rrethana “lehtësuese”. Apo aktgjykimi seksist i Gjykatës Themelore në Gjilan, që shfajësoi pesë burra për përdhunimin e një vajze 19 vjeçare. Është koha që dhuna ndaj grave të trajtohet si emergjencë kombëtare. Madje, kjo është një ndër kërkesat kryesore të aktivisteve feministe në Kosovë. Për emancipim, barazi dhe drejtësi sociale, ekonomike dhe politike ne duhet fillimisht të ofrojmë siguri për të gjitha gratë dhe vajzat. Me fjalë të tjera, ne grate dhe vajzat duhet të mbesim në jetë! Madje është shqetësuese kur dhuna pandemike ndaj grave – siç do ta quante Rebecca Solnit -, që është aq shumë prezente në mesin tonë, asnjëherë të mos jetë trajtuar si krizë shoqërore dhe institucionale.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, aktivistët feminist në Kosovë përmes shumë aksioneve publike, kanë arritur të artikulojmë qëndrimet e tyre për parandalimin e dhunës ndaj grave. Kërkesa kryesore e cila është – ashtu siç u përmend më herët – trajtimi i dhunës ndaj grave si emergjencë kombëtare. Dhe për këtë fillimisht gratë duhet të trajtohen si subjekt, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në trajtimin e politikave për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe në ndryshime të rëndësishme socio – ekonomike dhe politike që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e grave.
Për ta demaskuar dhe luftuar dhunën e normalizuar institucionale dhe shoqërore, nuk na mjaftojnë mjetet simbolike, madje ndodh që ato janë pengesa kryesore. Ne kemi nevojë për veprime konkrete radikale për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë dhunës me të gjitha format e saj.