Hadis Abdula
Ilustrim: Hadis Abdula

✎ Hadis Abdula

Me fjalë të tjera, qytetet janë sisteme që plotësojnë nevojat themelore të njerëzve, herë pas here edhe nevojat e tyre për socializim. Me kalimin e kohës, zhvillime të tilla si ndryshimi i strukturave shoqërore, luftërat dhe revolucioni industrial kanë filluar gjithashtu të transformojnë strukturën e qyteteve dhe janë shfaqur nevoja të reja. I gjithë ky proces ka prekur qytetet dhe popujt, si morfologjikisht ashtu edhe semantikisht. Me fjalë të tjera, ndërsa struktura e dukshme fizike e qytetit ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës, kuptimi i qytetit gjithashtu ka filluar të ndryshojë. Megjithatë, struktura urbane transformuese në fakt është formësuar sipas jetës së përditshme. Me fjalë të tjera, hapësirat e përbashkëta dhe publike që u mundësojnë njerëzve të bashkohen, të socializohen dhe të ndërveprojnë pavarësisht nga nevojat e tyre bazë, kanë marrë formë sipas strukturave kulturore, identiteteve dhe akumulimeve kolektive të shoqërive. Përderisa këto vende ndërvepronin me shoqëritë, me kalimin e kohës ato filluan të simbolizojnë shoqëritë, dhe u bënë qendra të ndërveprimeve shoqërore. Gjithashtu, u zhvillua një proces i ndërsjellë; njerëzit filluan t’i ngjanin karakterit të qytetit dhe qytetet filluan t’u ngjanin njerëzve që jetonin në to. Me fjalë të tjera, përveç aftësisë së grupeve të ndryshme për të transformuar qytetet, herë pas here edhe qytetet kanë gjithashtu fuqinë për të transformuar shoqëritë. Në këtë kuptim, struktura e qyteteve jo vetëm që ndikon në jetën e përditshme të shoqërive, por edhe formëson mentalitetin dhe karakteret e tyre. Pikërisht për këtë arsye, ka nevojë për një strukturë dhe administratë demokratike të qytetit për shoqëritë demokratike dhe të barabarta.

Nga citimi i Smith, sipas Louis Wirth, qytetet në procesin historik mund të përkufizohen si vendbanime të mëdha dhe të dendura me heterogjenitet social: në këtë kuptim, qytetet në fakt përbëhen nga komunitete të mëdha që kanë vendosur të bashkohen sipas një qëllimi të përbashkët dhe sipas ligjeve të caktuara që të gjithë i njohin. Ky përkufizim themelor zbulon se qytetet në fakt janë një sistem social i bazuar në partneritet, marrëveshje dhe të drejta. Në këtë drejtim, Rousseau në librin e tij ‘Kontrata sociale’ thekson rëndësinë e rendit shoqëror duke përcaktuar themelet e të qenit shoqëri; rendi shoqëror është një e drejtë e shenjtë që është themeli i të gjitha të drejtave të tjera, thotë ai, dhe në anën tjetër, në pikën e hetimit përpiqet të tërheqë vëmendjen veçanërisht te drejtësia dhe vlerat: nga gjendja natyrore kalimi në rendin shoqëror bën një ndryshim shumë të rëndësishëm në qenien njerëzore: ai instiktin e zëvendëson me drejtësinë dhe i jep masën e vlerës që i mungonte më parë. Me fjalë të tjera, ajo që i bën shoqëritë shoqëri dhe u mundëson njerëzve të jetojnë së bashku nuk është gjë tjetër veçse fakti që të gjithë shihen të barabartë përmes një marrëveshjeje shoqërore dhe se të gjitha nëngrupeve që përbëjnë shoqërinë u jepet e njëjta vlerë brenda kornizës së drejtësisë. Ky këndvështrim i përgjigjet një parimi të cilit Rousseau i kushton rëndësi për ta bërë të qëndrueshme kontratën shoqërore: “Çdo anëtar i shoqërisë duhet të konsiderohet si pjesë e së tërës”. Theksi i Rousseau mbi kalimin në rendin shoqëror lidhet drejtpërdrejt edhe me përhapjen e shpejtë të urbanizimit. Problemet sociale të përjetuara në procesin e urbanizimit mund të krahasohen me dhimbjet e përjetuara gjatë kalimit nga stili natyror i jetës në rendin shoqëror.

Burimi: The New York Times Archives

Arkitekti amerikan Hugh Newell Jacobsen e krahason shikimin e një qyteti me leximin e njëkohshëm të shpresave, mallit dhe krenarisë së kujtdo që e ndërtoi atë. Të ndërtosh qytetin do të thotë të jetosh në qytet, të gjesh një vend në historinë e qytetit dhe disi të lësh gjurmë në atë qytet. Ky proces i lënies së gjurmës është i mundur nga lidhja e krijuar me qytetin. Qyteti përveçse një strukturë ku jeta rrjedh dhe formon sfondin e përditshmërisë është një vend ku njerëzit duhet ta kenë ndjenjën e përkatësisë e të ndihen të sigurt; një vend ku çdo qytetar/e mund të kërkojë të drejtat e tij/saj në mënyrë të barabartë dhe se duhet të jetë një hapësirë fizike dhe në të njëjtën kohë semantike, që nuk përbën kufi për askënd. Kjo situatë në fakt tregon për rendin social ideal dhe qytetet ideale. Studimet se si duhet të jenë rendi shoqëror dhe qytetet kanë qenë në interes të filozofëve dhe artistëve gjatë gjithë historisë. Përpjekjet për të përshkruar rendin shoqëror ideal që vazhduan para dhe pas Republikës së Platonit, me fjalë të tjera utopitë, përparuan përmes përshkrimeve të vazhdueshme të hapësirës urbane duke vendosur rendin shoqëror. Në qendër të utopive qëndron ideja e një qyteti ideal të përhershëm. Qytetet ideale të paraqitura janë përpjekur të idealizohen jo vetëm në aspektin e menaxhimit, por edhe në aspektin hapësinor.

Ilustrim: Hadis Abdula

‘Utopia’ e Thomas Moore, ‘Qyteti i diellit’ i Thoma Campanella’s, ‘Shiko prapa’ e Edward Bellamy, ‘Ecotopia’ e Ernest Callenbach dhe utopitë e tjera, ëndërronin për një jetë më të drejtë dhe të barabartë – për aspektin social – dhe përveç kësaj, ata ëndërronin për hapësira urbane më demokratike, qytete ku të gjithë mund të kenë qasje dhe të jenë pjesë e tyre në mënyrë të barabartë.  Përveç studimeve të utopisë, janë të disponueshme edhe dizajne urbane ideale nga Vitr te Alberti, nga Filarete te Da Vinci dhe më vonë në periudhën e modernizmit, ata u përpoqën të projektonin qytete ideale me struktura të përsosura gjeometrike që formojnë rendin shoqëror. Në këtë kuptim, si utopitë urbane, ashtu edhe studimet ideale të qytetit zbulojnë se rregullimi i qyteteve, që mund të konsiderohet si pasqyrë e shoqërive, zë një vend shumë të rëndësishëm në pikën e organizimit të jetës shoqërore. Me fjalë të tjera, për një shoqëri demokratike, kuptimi i krijimit të një hapësire urbane më demokratike dhe më të qasshme që trajton të gjitha segmentet e publikut në mënyrë të barabartë është kritike. Megjithatë, shihet se këto studime nuk shkojnë përtej përpjekjes për të parandaluar planifikimin teknik dhe problemet sociale që përpiqen të parashikojnë të ardhmen me punime përmirësuese urbane.

Për qytetin, qytetarin/en dhe për të drejtën në qytet

Problemet hapësinore dhe sociale të përjetuara në qytete, veçanërisht migrimi i përshpejtuar në qytet nga revolucioni industrial, rritja intensive e popullsisë në qytet dhe rritja e qyteteve filloi të bëhej në mënyrë eksponenciale. Rritja e qyteteve solli me vete probleme sociale, ekonomike dhe mjedisore, ku u shfaqën edhe konflikte sociale. Ndërkaq, punimet e transformimit urban larguan grupet me të ardhura të ulëta nga qyteti si dhe sollën rezultatete të mungesës së banesave me kosto të ulët dhe hapësirave publike të qasshme.

Ky mentalitet solli koncepte të tilla si ‘e drejta në qytet’ dhe ‘drejtësia urbane’ dhe vëmendja u tërhoq nga marrëdhënia e margjinalizuar midis grupeve në shoqëri dhe qytet. Sot shihet se grupet e margjinalizuara shoqërore në mbarë botën për arsye të ndryshme politike, fetare, kulturore, socio-ekonomike janë të izoluara edhe nga hapësirat urbane. Kjo situatë është një nga faktorët kryesorë që e bën të pamundur të flitet për një strukturë urbane demokratike dhe të drejtë.

Ilustrim: Hadis Abdula

Pabarazia dhe politikat diskriminuese ushtrojnë presion mbi qytetin dhe banorët e tij. Në veçanti, në qytetet që janë kthyer në pasqyrë të sistemit kapitalist, vihet në pikëpyetje pushtimi dhe uzurpimi i së drejtës së qytetit. Në këtë kontekst, si pasojë e krizave, ngjarjeve dhe lëvizjeve shoqërore, e drejta e qytetit filloi të bëhej e popullarizuar duke u integruar me një përmbajtje antikapitaliste. Për këtë arsye, e drejta për qytet është në fakt një përfaqësim i mendimeve, dëshirave dhe nevojave që i kundërvihen një strukture urbane që menaxhohet dhe planifikohet nga pikëpamja kapitaliste dhe ecën në përputhje me interesat e një segmenti të caktuar të qytetarisë. Me fjalë të tjera Şen, i cili diskutoi mbrojtjen e të drejtës së qytetit përmes shembullit të Taksim Gezi Parki, theksoi se “qyteti modern është kthyer në një nga zonat më të rëndësishme të konfliktit të interesave kontradiktore”. Mënyra e parandalimit të këtyre zhvillimeve është ndërgjegjësimi shoqëror dhe rebelimi kundër këtyre zhvillimeve, dhe kjo ka të bëj me krijimin e një revolucioni social, ku sipas Lefebvre, kjo pikëpamje revolucionare, e cila kundërshton rendin ekzistues, mund të konsiderohet si përkufizimi bazë i së drejtës themelore për qytet.

Lefebvre, duke përcaktuar të drejtën për qytet, thekson se e drejta për qytet përfshin “të drejtën për liri, të drejtën e individit brenda komunitetit, të drejtën për qëndrim, të drejtën për të punuar, të drejtën për të marrë pjesë dhe për të zotëruar pronësi” dhe e drejta për qytet në fakt është formësuar brenda kornizës së koncepteve si strehimi, vendbanimi, liria dhe individualizimi.

Me fjalë të tjera, e drejta për qytet ka të bëjë në fakt me demokracinë urbane; procese transparente në vendimmarrje e me përjetimin e ndjenjës së përkatësisë; me krijimin e një insfrastrukture nga veprimet e njerëzve që jetojnë në qytet. Në këtë kuptim, e drejta për qytet mund të përshkruhet si një revolucion kundër qasjes dominuese. Qëllimi i këtij revolucioni është të kundërshtojë pushtimin e hapësirave urbane, privimin nga drejtësia urbane të segmenteve të caktuara të popullsisë, shkatërrimin e natyrës dhe hapësirave publike për përfitime personale në vend që t’i shfrytëzojë ato për të mirën e shoqërisë.

Nga ana tjetër, David Harvey, i cili e përkufizon të drejtën për qytet si të drejtën më të vlefshme dhe të neglizhuar të të drejtave të njeriut, ka prodhuar edhe studime të tjera të rëndësishme. Harvey tregon të drejtën për qytet përmes klasës punëtore; sipas tij, me përqendrimin e sistemit kapitalist në mbivlerën, fokusohen edhe qytetet dhe si rrjedhojë shfrytëzohen nga njerëzit me kapital dhe klasa punëtore fillon të margjinalizohet. 

Ilustrim: Hadis Abdula

Në këtë kuptim, koncepti i së drejtës në qytet kundërshton margjinalizimin, gjithashtu duke theksuar se të gjithë duhet të kenë një zë për çështjet që lidhen me qytetin dhe se askush nuk duhet të margjinalizohet në këtë proces. Sipas Harvey, në rendin aktual botëror, prona private dhe norma e fitimit peshojnë më shumë se të gjitha të drejtat e imagjinueshme, megjithatë, në disa raste, japin rezultatete edhe lëvizjet e caktuara për kërkimin e të drejtave mbi bazën e një reagimi kolektiv. Në këtë drejtim, Harvey tregon shembullin e kërkimit të të drejtave të tilla si; të drejtat e punës, të drejtat e grave dhe të drejtat e pakicave. Në këtë pikë ai thekson se e drejta e qytetit është një nga të drejtat që shoqëritë duhet ta kërkojnë kolektivisht. Në diskutimin e tij për të drejtën në qytet, Harvey identifikon qytetin me vetë personin dhe se ne pyesim se çfarë lloj njerëzish duam të jemi në të vërtetë gjatë kërkimit të qytetit ideal, dhe për këtë arsye, ai argumenton se e drejta për qytet në fakt ka të bëjë më shumë me marrëdhëniet shoqërore që preferojmë, teknologjitë që duam të përdorim, vlerat estetike që kemi. Pra, nuk është thjesht e drejta për t’u qasur në atë që qyteti premton; e drejta për qytet është në fakt e drejta e ndryshimit të vetes ashtu siç duam duke ndryshuar qytetin dhe më shumë se e drejtë individuale është një e drejtë kolektive.

Nga ana tjetër, Harvey argumenton se e drejta për qytet është e hapur për akses në infrastrukturat urbane, hapësirat publike si dhe në burimet urbane dhe në fakt ai argumenton se janë të mundura edhe ndryshimet me një pushtet kolektiv në proceset që lidhen me qytetin. Me fjalë të tjera, përveç pjesëmarrjes dhe proceseve demokratike, aktorët urbanë duhet të kenë fuqinë për të luajtur një rol aktiv në proceset e transformimit të qyteteve.

Çështja kryesore që Harvey dhe Lefebvre në fakt përpiqen të nënvizojnë është se të gjithë që jetojnë në qytet duhet të jenë aktivë në të gjitha proceset e qytetit si dhe ta kuptojnë rëndësinë e vazhdimësisë së kësaj. E drejta për qytetin nuk është vetëm qasja në burimet potenciale të ofruara nga qyteti, por edhe pjesëmarrja në të gjitha proceset e transformimit. Për këtë arsye, gëzimi i të drejtës së qytetit nga të gjithë, veçanërisht banorët e qytetit që nuk kanë qasje as në të drejtat më elementare, në fakt nuk është gjë tjetër veçse një luftë elementare për të drejtat e njeriut. Prandaj, për të kuptuar se si dhe në çfarë mënyrash njerëzve u privohet e drejta në qytet, është e nevojshme të shikohen grupet e margjinalizuara dhe të fokusohemi se në çfarë kufijsh të padukshëm ata jetojnë në jetën e përditshme.

© PRIZMA MEDIUM

Ky lajm është prodhuar me mbështjetjen financiare të EFB-së. Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i EFB-së

Burimet në artikull

Rousseau,J. J. (2020). Toplum Sözleşmesi, özgün adı: Du Contrat Social 91946), Çev: Vedat Günyol, İş Bankası Kültür Yayınları , s.4
Sönmez, I. B. (2011). Kent Planlama ve Adalet İlişkisinin Değişen İçeriği, “Herkes için Kent Herkes için Planlama”, Dünya Şehircilik Günü 7. Türkiye Şehircilik Kongresi
Domaradzka, A. (2018). Urban Social Movements and the Right to the City: An Introduction to the Special Issue on Urban Mobilization, Springer, Voluntas (2018) 29:607–620
Kuran, H. (2016). Kitap İncelemesi: Henri Lefebvre: Şehir Hakkı, Ankara Universitesi SBF Dergis
Şen, A. F., (2015). Kent Hakkının Korunmasında Bir Mücadele Alani Olarak Alternatif Medya: Taksim Projesi ve Gezi Parki Örneği, Selçuk İletişim, 2015, 9 (1): 141-161, doi: 10.18094/si.71390
Marx ve Lefebvre’nin homojen yapıya sahip köylerdeki yapıyı küçükmesemesinin nedenlerinden birisi, heterojen yapıya sahip olmamalarıdır, Mitchel, D. (2003). The Right to the City Social Justice and the Fight for Public Space, The Guilford Press, New York / London
Mitchel, D. (2003). The Right to the City Social Justice and the Fight for Public Space, The Guilford Press, New York / London
Ergönül, E., & Sadioğlu, U. (2020). Kentsel Çöküntü Alanları Üzerine Teorik Bir Tartışma. KAÜİİBFD, 11(Ek Say 1), 155-180.
Dinçer, Ö., (2016). Sürdürülebilir Kentleşme Tartişmalari ve Kent Hakki, Ufuk Üniversitesi Sosyal Bilimler Enstitüsü Dergisi Yıl:5 Sayı:10 (2016)
Kuran, H. (2016). Kitap İncelemesi: Henri Lefebvre: Şehir Hakkı, Ankara Üniversitesi SBF Dergisi
Henri Lefebvre (2015), Sehir Hakki, Özgun Adi: La Droit a La Ville (1967) Çev. Işık Ergüden, Sel Yayınları, Istanbul, s.151
Güler, M. (2011). Kentsel Haklar, Kapitalizm ve Katılım, Ankara Üniversitesi SBF Dergisi, 66-1, 2011
Harvey, D. (2010). Rebel Cities, From the Right to the City to the Urban Revolution, Verso, London / New York
Ibid.
Domaradzka, A. (2018). Urban Social Movements and the Right to the City: An Introduction to the Special Issue on Urban Mobilization, Springer, Voluntas (2018) 29:607–620