Kinematë e Prishtinës

Në një artikull të botuar më parë, pamë se kinemaja erdhi për herë të parë në Prizren me një histori migrimi. Haci Jovani, i emigruar nga Nishi në Prizren, hapi kinemanë e parë në këtë qytet. Po ashtu, në Prishtinë një tregtar i quajtur Branko, i cili migroi për herë të parë në qytet, solli kinemanë. Edhe pse nuk e dimë datën e saktë, llogaritet të jetë në vitet 1920. Emri i kinemasë së parë është “Kino Ton Edison”. Sipas të dhënave të bazuara në dëshmi, derisa në kinematë e viteve 1920 shfaqeshin filma pa zë, me vendosjen e turbinës që prodhonte energji elektrike, për herë të parë në Prishtinë në vitin 1928, në sallat e kinemasë filluan të shfaqen filma me zë.



Si një medium i ri argëtimi, kinemaja tërhoqi vëmendjen në gjithë botën dhe u përhap në një kohë të shkurtër. Milka Protic, një punishte zdrukthtarie që ndodhej pas Ministrisë aktuale të Kulturës e transformoi në kinema dhe e hapi atë me emrin Milka në mesin e viteve 1930. Familja e Abdurahman Shalës, aktorit të parë me origjinë nga Kosova, në vitin 1941 mori me qira dhe e drejtoi kinemanë Milka.

Kinemaja Skënderbeu u hap nga Manush Kosova në hotelin Nacional (Union) të asaj periudhe. Filmat italianë u shfaqën në qytetin e pushtuar nga Italia deri në vitin 1944, ndërsa pas luftës Manush Kosova u vra nga partizanët.
Pas Luftës së Dytë Botërore u hapën disa kinema të vogla dhe u shfaqën filma në sallat e shkollave të ndryshme.

Në përputhje me qëllimin e ndërgjegjësimit masiv të ideologjisë jugosllave dhe strategjisë së një kinemaje për çdo 10 mijë banorë, kinematë e mëdha filluan të ndërtohen në vitet 1950. Më 6 shkurt 1952 në Prishtinë u ndërtua fillimisht Kinemaja Rinia, pastaj kinemaja Vllaznimi. Kinemaja e tretë më e madhe është kinemaja Dom JNA, e ndërtuar në vjeshtën e vitit 1960 nga Qendra e Ushtrisë Popullore Jugosllave – Dom Jugoslovenske Narodne Armije. Në këtë sallë u shfaqën më shumë filma për Luftën Popullore Çlirimtare dhe dokumentarë edukativ. Natyrisht, në fund të viteve 1960 dhe 1970, në repertor u përfshinë edhe filmat e njohur perëndimor dhe filmat luftarakë.



Dom JNA – Kino Armata

Dinamika politike në vitet 1974 pas Kushtetutës së Kosovës dhe efekti i atmosferës nacionaliste që u krijua pas vdekjes së Titos në jetën kulturore dhe artistike të Kosovës u shfaq në një kohë të shkurtër. Me largimin e intelektualëve shqiptarë nga sfera publike, në repertorin e kinemave filluan të hyjnë filma të rinj me një dozë të lartë nacionaliste.

Variola Vera1 (1982 – Goran Marković), i cili trajtoi një virus të panjohur të sjellë në Jugosllavi nga një shqiptar që shkoi për të kryer Haxhin në vitet 1980, Vreme Cuda (1989 – Goran Paskaljević), një kritikë e sundimit socialist që fshiu afresket e një kishe në Serbi dhe një zbukurim për krishterimin ortodoks, dhe, së fundi, shfaqja e parë (në mënyrë që të ndiqej nga publiku i gjerë), porositur për të nxitur ndjenjat nacionaliste – Filmat e Boj na Kosovu (1989 – Zdravko Šotra), të cilët u realizuan në televizione të tjera, veçanërisht në Radiotelevizionin Serb RTS, filluan të ndikojnë negativisht në kulturën kinematografike jugosllave.2

Në këtë atmosferë politike, shoqëria u polarizua dhe filluan të zhvillohen fusha paralele të aktivitetit dhe stilit të jetesës. Në atmosferën negative të viteve 1980, dhe shenjat e periudhës së errët të viteve 1990, kinemaja Dom JNA mbylli dyert për publikun në vitin 1988. Ndërtesa e kinemasë, e cila ruhej fuqishëm nga ushtarë të armatosur në vitet 1990, pushoi së qeni qendër tërheqëse për prishtinasit dhe filloi të humbiste lidhjen me qytetin.

Pandjeshmëria e institucioneve ndërkombëtare

Pas përfundimit të luftës, Organiza e Kombeve të Bashkuara dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, u vendosën në zyre të katit të 3’të, dhe në mënyrë indirekte penguan që kjo kinema të funksionojë për banorët e Prishtinës. Po kështu, ndërtesa origjinale, e cila u ndërtua për Kosova Filmin në vitin 1987 dhe nuk u përdor pothuajse për shkak të tensioneve politike, është konfiskuar nga KFOR-i që nga viti 1999.

Në vitin 2015, një grup dashamirës të kulturës dhe artit nga Prishtina ndanë kërkesat e tyre dhe planin e veprimit me autoritetet e BE-së, duke përfshirë përdorimin e ndërtesës Dom JNA për aktivitete kulturore dhe artistike. Kur Kombet e Bashkuara dhe Misioni i EULEX-it vendosën të largohen nga ndërtesa në vitin 2017, filloi të diskutohej çështja e transferimit të objektit tek institucionet e Kosovës.



Pas tejkalimit të pengesave ligjore, Dom JNA u hap në shërbim të artdashësve në Prishtinë me emrin Kino Armata. Në kuadër të Ministrisë së Brendshme dhe Administratës Publike dhe i ndarë si objekt për Komunën e Prishtinës, Kino Armata aktualisht menaxhohet nga një ekip i pavarur. Kino Armata është kthyer në një pikë shumë të rëndësishme alternative të kulturës, artit dhe komunikimit që nga hapja e saj në 2018, me një metodë që institucionet shtetërore dhe komunale ofrojnë mbështetje teknike dhe programi krijohet plotësisht në mënyrë të pavarur. Si një vend alternativ, ngjarjet e Kino Armatës ofrojnë mundësinë për të krijuar një lidhje dhe dialog me të kaluarën. Drejtori i Kino Armatës, Alush Gashi, e përmbledh në fjalët e tij: “Brendësia e Kino Armatës ka një ndjenjë socialiste, sediljet e kinemasë janë blu të OKB-së, programi publik i lidhur me komunitetin është një komponent i ri i kësaj trashëgimie në zhvillim”.

Foto: Ferdi Limani



Shembujt pozitivë si Kino Armata në fushën e kulturës dhe artit në Kosovë inkurajojnë komunitetet që të jenë më shpresëdhënëse në trajtimin e negativiteteve. Në muajt e kaluar, vendimet për transferimin e menaxhmentit të Kino Rinia në Komunën e Prishtinës dhe përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Kulturore na ngjallin shpresat se KFOR-i një ditë do të largohet nga ndërtesa e Kosova Filmit.

Shënim: Informacioni i gjetur në këtë përmbledhje bazohet në kërkimet në internet, raporte dhe artikuj të botuar, në disa imazhe të skanuara dhe copëza gazetash pa datë dhe titull. Përditësimi është i mundur nëse kemi të disponueshme burime dhe informacione të reja.

1Filmi Variola Vera bazohet në një ngjarje të vërtetë që ka ndodhur në vitin 1972. Xhirimet e filmit në vitin 1982 janë një fatkeqësi për sa i përket atmosferës politike të asaj periudhe.

2Është xhiruar në të njëjtën periudhë në filma që kujdeseshin të përdornin një gjuhë unifikuese dhe jo përçarëse. Më të rëndësishmit prej tyre janë Brooklyn Gusinje (1988) i Zelimir Zilnik dhe Za Sada Bez Dobrog Naslova i Srdjan Karanoviç (Filmi nuk ka emër – 1988).

✎ Bengi Muzbeg

© PRIZMA MEDIUM

Ky shkrim është prodhuar me mbështjetjen financiare të EFB-së (European Fund for the Balkan). Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Shoqatës Media e Prizrenit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i EFB-së (European Fund for the Balkan).