Sejnur Veshall në moshën 6 - vjeçare nisi aktivitetet e para në Teatrin Rom ‘Nexhip Menekshe’, i cili tashmë është teatri i parë rom i Ballkanit ose, siç shprehet ai “teatri i parë rom i Evropës." Pasi fitoi dy herë çmimin për aktorin më të mirë, Veshall vazhdoi karrierën e tij si menaxher projekti për trashëgiminë kulturore rome në Durmish Asllano, organizata e parë joqeveritare rome. Pas katër vitesh punë aty, ai u bë moderator në degën e radios së asaj organizate joqeveritare. Duke deklaruar se punoi edhe me UNICEF-in për të drejtat e minoriteteve, Sejnur themeloi një grup të quajtur 'Golden Hands' e cila kishte synim të rris aktivitetin e grave rome. Duke punuar me tre institucione të rëndësishme si DokuFest, Lumbardhi, Autostrada Biennale, Veshall ishte gjithashtu edhe pjesë e Rrjetit të Shoqatave Kulturore (RrOK) dhe Rrjetit të Shoqatave Rinore. Sejnur Veshall, u shpreh se ishte i fokusuar më shumë në fushën e kulturës, por edhe të rinisë dhe sportit, ku edhe u emërua zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në moshën 24-vjeçare. Me Sejnurin diskutuam për situatën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të komunitetit rom në Prizren.